Qëndrimi i mbajtur nga lideri i PD-së Lulzim Basha për të vazhduar me “qetësi” reformën në drejtësi dhe për tu fokusuar tani tek reforma zgjedhore si prioriteti më i madh i vendit të lë të kuptosh se PD nuk do të votojë reformën në drejtësi para qershorit. Deklarata e Bashës se ka punë më të rëndësishme sesa të merret me deklaratat e ambasadorëve dhe se BE nuk do të hapë kurrë negociatat me Shqipërinë pa zgjidhur problemin e zgjedhjeve e lira të con në variantin se Pd nuk ka ndërmend të votojë tani reformën në drejtësi. Kjo për faktin se ambasadorët e kanë thënë qartë se reforma në drejtësi duhet të kalojë TANI dhe se është kusht për hapjen e negociatave me BE. Të gjithë zyrtarët e mundshëm të BE-së që janë prononcuar për Shqipërinë e kanë thënë troc se reforma në drejtësi është kusht për hapjen e negociatave këtë vit dhe jo reforma zgjedhore. Vendet e këtyre ambasadorëve janë investuar drejtpërdrejt në këtë draft-reformë drejtësie dhe e kanë të qartë se cdo vonesë përbën justifikim për të mos e votuar reformën. Pra nëse nuk do të votonte reformën në drejtësi , Lulzim Basha do të humbiste mbështetjen ndërkombetare të ambasadorëve të cilët e dinë mirë të vërtetën se pse pengohet reforma. Kjo do të ishte humbja e parë për Lulzim Bashën dhe më ë rënda pasi deri tani mbështetja ndërkombëtare ka qënë arma e tij më e fortë. Duke mos votuar TANI profili i tij prej politikani të moderuar dhe të shkolluar në Perëndim do të cënohej rëndë.

Lulzim Basha nëse nuk do të votonte reformën në drejtësi do të humbiste me siguri 100% zgjedhjet parlamentare të 2017 dhe kjo do të ishte humbja e dytë e madhe e tij. Kjo për faktin se një qëndrim destruktiv për reformën do të shfrytëzohej maksimalisht nga shumica e majtë për fushatën e radhës duke mbuluar madje dhe dështimet e qeverisjes. Gjithashtu një qëndrim në frontin e JO-së ndaj reformës do të konsolidonte më shumë koalicionin PS-LSI . Pavarësisht problemeve të fshehura, të dyja partitë kanë patur një qëndrim të njëjtë për reformën, ndaj dhe refuzimi i PD vetëm sa i bashkon më tepër aleatët. Deklarata e kreut të grupit LSI Petrit Vasili në Report Tv se nëse PD pengon reformën përbën vetëm krizë për të dhe aspak për mazhorancën tregon se cdo qëndrim destruktiv i Lulzim Bashës do të cojë ujë vetëm në mullirin e koalicionit PS-LSI. Dhe nëse  PS-LSI shkojnë të bashkuar në zgjedhje shancet e PD për të ardhur në pushtet janë më pak se 0%.

Humbja në zgjedhje me shumë gjasa do ti kushtojë postin e kryetarit të PD-së Lulzim Bashës duke shënuar dhe humbjen e tretë të madhe për të. I rrethuar mes politikanëve të vjetër që mezi presin dështimin e tij humbja në zgjedhje do të rriste presionin ndaj Bashës i cili do ta kishte të pamundur rezistencën ndaj kastës së vjetër .
Një JO ndaj reformës që mund të cojë drejt 3 humbjeve të mëdha për liderin demokrat  Lulzim Basha. Të tjerët për momentin janë të qetë dhe të sigurt për aq kohë sa vijon refuzimi i Bashës….