Kjo është historia e një prej të mbijetuarëve të fundit që u burgosën në kampet naziste.
Stillo Papadhima humbi babanë në moshën 5-vjeçare, ndërsa mbështetja e vetme për të mbetën nëna, motrat dhe vëllezërit më të mëdhenj.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai iu bashkua forcave Nacional-Çlirimtare. Stillo ende doleshent së bashku me katër shokë rreshtohet në Batalionin e Dytë të brigadës së VI- Sulmuese, në prapavijë për furnizimin e partizanëve nga Borshi-Kuç-Kurvelesh me ushqime e material luftarak që grumbulloheshin si nga ndihmat anglo-amerikane dhe nga fshatrat përreth. Ishte koha kur Bregu i Detit përjetoi vrajset dhe internimet masive për shkak se rezistenca e këtyre fshatrave qe e madhe.
Në dhjetor të vitit 1943 formacioni u shpërbë dhe pjesëtarët u urdhëruan të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Ndërkohë që Stillo së bashku me vëllanë dhe disa partizanë të tjerë u kapën në Borsh, hamarrja gjermane kishte marrë përmasa të mëdha.
Forcat gjermane në përbërje të grupimit “Shtajzer”, pas disa sulmeve dhe bombardimeve, nga datat 1 e deri me 13 qershor, më 14 qershor, mundën të hyjnë në fshatrat Nivicë-Bubar e Shën-Vasil të bregdetit. Nga bombardimet që i paraprinë mësymjes naziste ne bregdet, në këto dy fshatra që janë edhe porta hyrëse e bregdetit përgjatë Sarandës në drejtim të Vlorës, mbetën të vrarë Arsen Munguli dhe Vite Baxheri. Me hyrjen e forcave gjermane në Nivicë, fshati u rrethua dhe burra e gra, pleq e fëmijë u grumbulluan me forcë në varrezat e fshatit. Të njëjtin fat do të kishin më pas edhe banorët e fshatrave të tjerë të bregut. Pas dy ditësh terrori e shtetrrethimi në Nivicë, gjermanët pushkatuan në vendin e quajtur Vilëz, Arsen Gjikën, Loni Papadhimën, Illo Thomain e Andon Mungulin.Të pushkatuarit, për gjashtë ditë nuk u lanë të merreshin nga familjarët e tyre. Terrori gjerman u shoqërua edhe me plaçkitje e bastisje të mallit e banesave. Përveç zisë së vrasjes së të pafajshmëve, po i kërcënonte edhe kriza e urisë.
Më 17 qershor, vritet në qendër të fshatit edhe Qëndro Shkurti e Shano Pali. Por hakmarrja gjermane me 10 të vrarë për tre ditë, nuk kishte përfunduar me kaq. Masakra mbi popullsinë e këtyre fshatrave, do të vazhdonte.
Gjithë fshati i Nivicës, siç qe i grumbulluar në varrezat e fshatit nën terror e tmerr, më 17 qershor veçohen burrat nga 16-60 vjeç dhe nisen në drejtim të Kuçit për hapjen e rrugës Fterrë-Kuç. Gjatë rrugëtimit për në Fterrë, kolona gjermane ndalet në fshatin Lukovë, ku veçohen e pushkatohen nivicjotët Stefan Boçi, Foto Baxheri, Stamat Qirka, Lekë Dami e Sotir Kosta, duke e çuar kështu numrin e të pushkatuarëve në 16 vetë. Ditët e qershorit pasonin njëra-tjetrën. Të dy fshatrat ishin në zi, por edhe vazhdonte plaçkitja. Mbi 140 burra nga të dy fshatrat ishin të arrestuar dhe nuk dihej fati se si do bëhej me ta. Masakrës dhe terrorit nuk i dihej fundi. Më 23 qershor, ajo arriti kulmin. Nga të arrestuarit veçohen një pjesë e burrave, gjithsej 33 vetë. Këta, të rrethuar nga forcat gjermane, me kazma e lopata, me duart e tyre po hapnin varrin e përbashkët. Të rreshtuar buzë gropës, mbi ta u lëshuan plumbat e mitralozit gjerman. Trupat e tyre pa jetë u hodhën në gropën e vdekjes.
Kjo masakër mbi popullsinë e pafajshme të bregut të detit, u krye në fshatin Shën –Vasil, në dalje të tij në vendin e quajtur Hondrovun. Për 9 ditë, u pushkatuan 56 njerëz.
Stillo dhe miqtë e tij i shpëtuan pushkatimit por ata ende nuk e dinin se ky ishte vetëm fillimi i kalvarit të gjatë të vuajtjeve: ai u mbajt dhe u transferua nga një burg në tjetrin, për të përfunduar më pas në Selanik.
Në këtë kamp bëhej seleksionimi ku të sëmurët pushkatoheshin dhe të tjerrët ndaheshin për në Gjermani e Greqi. Në Korrik rreth 130 të burgosur nga bregdeti, u nisën për në Gjermani së bashku me robër të tjerrë bullgarë, grek dhe për tetë ditë udhëtimi mbriten në kampin “Stalag 7/A” në Gjermani.
Ishte fund korriku i vitit 1944.
Shtalag VII-A ishte kampi më i madh i të burgosurve të luftës në Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, i vendosur pak në veri të qytetit të Moosburgut në Bavarinë jugore. Ai u hap në shtator të vitit 1939 dhe ishte projektuar për të strehuar deri në 10,000 të burgosur polakë nga pushtimi gjerman i Polonisë në vitin 1939. Kampi mbulonte një sipërfaqe prej 35 hektarësh. Të burgosur nga çdo komb që luftonte kundër Gjermanisë kalonin nëpër të. Aty kishte amerikanë, britanikë, rusë, polakë dhe kombësi të tjera.
Shqiptarë në kamp
Këtu gjendeshin edhe 206 burra shqiptarë, nga të cilët 42 nivicjotë, 48 shënvasioët, 59 lukoviotë dhe 52 nga Piqerasi.
Stillo Papadhima tregon se të burgosurit detyroheshin të kryenin punë kryesisht në bujqësi, si mjelja e lopëve, korrja e jonxhës, kultivimi i patateve, si dhe pastrimi i qytetit nga dëmet e bombardimeve.
Ai rrëfen gjithashtu një moment prekës, kur një grup prej rreth 20 hebrenjsh u strehuan në kapanonin e tyre për t’i shpëtuar transferimit nga forcat gjermane. Shqiptarët u dhanë rroba duke ndihmuar në shpëtimin e tyre.
Çlirimi i kampit
Stillo kujton edhe ditën e çlirimit të kampit nga forcat amerikane, e cila u kthye në një festë të madhe për të gjithë të burgosurit e kampit të Moosburgut.
Stalag VII-A u pushtua më 29 prill 1945 nga Komanda e Luftimit A e Divizionit të 14-të të Blinduar. Forca amerikane mësoi për ekzistencën e kampit dhe vendndodhjen e tij të përafërt vetëm disa orë para sulmit. Për shkak se kaq shumë të burgosur aleatë ishin në zonë, artileria amerikane, një faktor i rëndësishëm në çdo sulm, u urdhërua të mos qëllonte dhe qëndroi e heshtur gjatë sulmit. Një muaj më vonë, më 9 Maj 1945, u shpall edhe kapitullimi i Gjermanisë.
Sipas burimeve zyrtare gjermane, në janar të vitit 1945 në kamp kishte pasur 76,248 të burgosur dhe 40,000 ose më shumë që punonin në fabrika, duke riparuar hekurudha ose në ferma.
Gjatë 5 viteve e gjysmë, rreth 1,000 të burgosur vdiqën në kamp, shumica nga sëmundjet, disa nga lëndimet gjatë punës.
Rruga e kthimit drejt Shqipërisë nuk ishte e lehtë. Ishin të lirë por pa asnjë mbështetje nga vendi i tyre.
Pasi lenë kampin, shkojnë në Austri. Prej andej, me interesimin e ish-Jugosllavisë u nisën drejt saj, për të mbrritur më pas në Strugë.
Prej këtej u nisën në këmbë nga kufiri tokësor midis dy shteteve.
Në Gusht të vitit 1945 Stillo Papadhima mbrrin në fshatin e tij, Nivicë, së bashku me vëllanë dhe ish-të burgosurit e tjerë. Kthimi i tyre i shndrrua në një festë të madhe.
Me ardhjen e demokracisë, fëmijët e tij i mundësuan Stillo Papadhimës të vizitonte sërish kampin e Moosburgut në Gjermani, një moment tejet prekës dhe emocional për të.
777 shqiptarë përjetuan tmerrin e kampeve naziste në Gjermani. Stillo Papadhima është njëri prej tyre që sot ka lënë pas 100 vite jetë, duke mbetur një dëshmi e gjallë e një prej periudhave më të errëta të historisë njerëzore.
Komente









