JEMEN - Tre marinarë shqiptarë ndodhen në një proces gjyqësor në Jemen, nën akuzën e trafikut të paligjshëm të armëve. Lajmi i botuar në mediat jemenase ka zbuluar një histori trafiku që duket shumë e dyshimtë dhe pritet të zbardhet.

Shqiptarët janë kapur me 179 ton eksplozivë, municione dhe armë më 18 dhjetor të 2012-ës në bordin e anijes “Ayios” nisur nga Greqia, me flamur të Maldiveve, në bregdetin e Jemenit.

Tre shqiptarët janë identifikuar si Arif Bakillari, kapiteni i Anijes, Mihal Cangonji oficer i parë dhe Nezir Shahaj, kryeinxhinier. Në bord ndodheshin dhe tre marinarë të tjerë, dy indianë dhe një grek, të cilët u arrestuan më 18 dhjetor nga policia portuale jemenase.

Mësohet se anija është nisur nga Greqia, ka ndaluar në Durrës, më pas ka udhëtuar drejt Malit të Zi, ku është furnizuar me armatimet dhe eksplozivin dhe është nisur drejt Irakut. Por anija ka humbur në det të hapur dhe për 5 muaj është endur në ujërat territoriale të Jemenit. Pasi kanë mbërritur në port për t’u furnizuar me karburant dhe për të vijuar udhëtimin marinarët nuk janë lejuar nga autoritetet portuale.

Sipas mediave jemenase, ndalimi është bërë pasi ngarkesa e madhe me armatime dhe eksploziv bie në kundërshtim me ligjet e Jemenit si edhe me konventat ndërkombëtare. Sipas të njëjtave burime, ngarkesa është ndaluar që të mos shkonte për organizata të dyshimta apo grupe ilegale, pasi do të rrezikonte sigurinë e shoqërisë.

Ndërkohë të mërkurën zhvillohet seanca e radhës gjyqësore në ngarkim të shqiptarëve.

shqiptar jemen trafik armsh
(Në foto, kapetini i anijes, shqiptari
Arfi Bakillari dhe një prej marinarëve indian)

SHKRIMI ORIGJINAL

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja,com)