30 mln euro për emergjencat
nga zjarret furnizimin me energji

30 mln euro për emergjencat<br />nga zjarret furnizimin me energji
Si zakonisht, shifrat e buxhetit të shtetit ndryshojnë në shtator. Por, këtë herë, duket se ka qenë më shumë thatësira e gjatë që e ka detyruar qeverinë të ndërhyjë për të ndryshuar buxhetin. Ministria e Financave ka përgatitur tashmë një akt normativ, me theks në mbështetjen për energjinë dhe fondin rezervë.
 
Energjetika
Sipas draftit të rishikuar, qeveria do të japë 3 miliardë lekë të tjera për sektorin e energjisë (22.6 milionë euro), nga 1.5 miliardë që kishte parashikuar në fillim të vitit. Fondet shtesë do të shkojnë për të paguar kreditë e kompanive publike të energjisë.
Për shkak të shpenzimeve të larta për blerjen e energjisë nga importi, kompanitë energjetike shtetërore, veçanërisht OSHEE, kanë ndërprerë shlyerjen e borxheve të marra me garanci të qeverisë. Këto pagesa tashmë do të merren përsipër nga buxheti i shtetit.
 
Emergjencat
Por mbështetja për energjinë nuk është zëri i vetëm që preket. Thatësira ka edhe një kosto tjetër për buxhetin e shtetit, atë që vjen nga emergjencat. Drafti i rishikuar rrit me 1.2 miliardë lekë, pak më pak se 10 milionë euro, fondin rezervë të Këshillit të Ministrave, i cili shkon për të përballuar faturën e zjarreve, por edhe ngjarjeve të tjera të paparashikuara që mund të ndodhin deri në fund të vitit.
 
Bilanci
Megjithatë, sipas relacionit shoqërues të aktit normative, shpenzimet shtesë për energjinë dhe emergjencat nuk do ta prekin shifrën e borxhit publik. Qeveria ka rritur me 2 miliardë lekë planin e të ardhurave buxhetore, që do të thotë se buxheti do të grumbullojë më shumë të ardhura, ndërkohë që paralelisht ka kursyer 4.1 miliardë lekë nga interesat e borxhit, të cilat kanë ërdhur në ulje kohët e fundit, falë yield-eve në nivele të ulta rekord të bonove të thesarit dhe obligacioneve të shtetit.
 
Aktet
Qeveria edhe këtë herë duket se kërkon të përdorë formën e aktit normative për të miratuar ndryshimet në buxhet, në mënyrë që ato të hyjnë në fuqi menjëherë. Është mungesa aktuale e Parlamentit ajo, që e bën të detyrueshmë përdorimin e një forme të tillë. Me konstituimin e Kuvendit të ri, zgjedhjes së organeve të tij drejtuese, formimit të qeverisë, do të duhej që të kalonte një kohë e çmuar, ndërkohë që situatat e krijuara nga thatësira nuk lejojnë një pritje të gjatë.

Sikurse ka ndodhur edhe disa herë në të kaluarën, në situata të tilla emergjence, Këshilli i Ministrave miraton aktin normativ, i cili ka fuqi ligjore, por ai duhet të çohet më pas në Kuvend për miratim, ku do të diskutohej si një projektligj i zakonshëm.
 
Fushata
Tashmë që ka përfunduar fushata elektorale, qeveria Rama e ndjen veten më të lirë të ndërmarrë një fushatë tjetër, atë të rritjes së të ardhurave fiskale. Kjo mund të arrihet vetëm me anë të shtrëngimit të bizneseve për të respektuar kërkesat e ligjeve, pra duke i detyruar të jenë më të rregullt subjektet në pagesën e taksave.

Nisur nga fakti që parashikohet një rritje të të ardhurave edhe në aktin normativ, mund të mendohet se aksioni kundër informalitetit në ekonomi do të vazhdojë nga administrate tatimore e doganore më fort se sa deri tani.

Fushata në fjalë dy vitet e fundit pësoi një “ngrirje”, pas goditjeve masive të evazionit sidomos në vitin 2015. Kohët e fundit qytetarët kanë konstatuar se sërish dyqanet nuk pranojnë të japin kuponat tatimorë në shitje.
 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Berat/ Përfshihet nga flakët një sipërfaqe me ullishte në fshatin Sinjë (VIDEO)

Berat/ Përfshihet nga flakët një sipërfaqe me ullishte në fshatin Sinjë (VIDEO)