30 vite nga krijimi i RENEA-s, Nano: Mision, mbrojtja e jetës së qytetarëve deri në vetëmohim! Ministri i Brendshëm: Janë kryer më shumë se 2 mijë operacione të rrezikshme

Histori suksesi e ka konsideruar kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano punën e kryer nga Forcat RENEA përgjatë këtyre 30 viteve. Në aktivitetin e mbajtur për 30-vjetorin e krijimit të repartit special RENEA, Nano u shpreh se përtej operacioneve të suksesshme të kryera, janë 5 efektivë që kanë humbur jetën, tashmë të shpallur "Dëshmorë të Atdheut", ndërsa 18 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

"RENEA histori suksesi. Në këto operacione të vështira, kemi patur veç suksesit edhe humbje të efektivëve. Kanë humbur jetën 5 punonjës që janë shpallur dëshmorë të atdheut dhe janë plagosur 18 të tjerë, duke u përballur me keqbërësit. Luan Haxhia, Lulzim Sulullari, Arben Ujka, Elham Elezi dhe Ibrahim Basha që janë memorizuar përjetësisht duke u gdhendur në altarin e kombit", tha Nano

Ai thekson se misioni i RENEA do të mbetet mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve, në çdo rrethanë.

"Misioni i këtij reparti mbetet shërbimi maksimal dhe me vetëmohim për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve në çdo rrethanë. Në operacionet  e kërkim-shpëtimit ndaj tyre janë shpëtuar me qindra jetë në rastet e fatkeqësive natyrore. Historia dhe misioni i RENEA ka vetëm një mesazh, ne jemi në shërbimin tuaj në çdo kohë, duke mbrojtur jetën me jetë", shtoi ai.  

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi bëri një bilanc të aksioneve të RENEA-s të zhvilluar përgjatë këtyre viteve, ku tha se janë zgjidhur me sukses plot 2,827 operacione me rrezikshmëri të lartë, mesatarisht 94 operacione në vit, ose afërsisht 1 operacion çdo 4 ditë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:18
30-vjetori i krijimit të RENEA-s, ish-efektivi: Jemi shfrytëzuar në mënyrë shtazore pa marrë asgjë në këmbim

Ish-efektivi i RENEA-s, Shkëlzen Brahaj

Në 30-vjetorin e krijimit të RENEAS u renditën arritjet e këtij reparti, por ish-efektivi Shkëlzen Brahaj duket se ka jo pak rezerva ndaj drejtuesve. Me një postim në Facebook, Shkëlzen Brahaj thotë se efektivët e këtij reparti janë shfrytëzuar 'në mënyrë kafshërore' dhe se rroga që marrin është e pamjaftueshme. Sipas Brahajt, RENEA është përdorur nga drejtuesit, duke akuzuar se shpeshherë e kanë përdorur edhe si katapultë për t'u emëruar në detyra të tjera.

Postimi i plotë:

Mirëpo i pakënaqur shprehet efektivi i RENEA-s, Shkëlzen Brahaj, i cili si duket nuk është ftuar për të qenë pjese e ceremonisë të 30-vjetorit.

Ai me anë të një postimi në rrjetet sociale me ironi shkruan se thirren në “dasmë” vetëm ata që dinë të “kërcejnë”.

“30 vjet nga krijimi i repartit special RENEA. Askush më mirë se ata djem të atij Reparti nuk e di se çfarë do të thotë 30 vite forcë speciale, 30 vite sakrificë në të gjitha aspektet njerëzore dhe profesionale. Nuk mjaftojnë as 300 vite të flasësh për heroizmat dhe sakrificën e atyre djemve të atij Reparti, por duhen 500 vite të flasësh për ligësitë dhe padrejtësitë qe u janë bërë atyre djemve duke i shfrytëzuar maksimalisht në mënyrë shtazore pa u dhënë asgjë në këmbim, pervec një page qesharake që gjysmën e lënë duke u paraqitur në detyrë orar pa orar.

Dhe persekutimi vazhdon….Do te theksoja që ai repart është mbajtur nga energjia dhe vullneti i çdo pjesëtari(trupe speciale), por është shkelur me këmbë djersa dhe gjaku i tyre nga drejtues të atij reparti (te pamerituar në atë post) të cilin shpeshherë e kanë përdorur për katapultë në detyra të tjera. Komandantë reparti që të shohin si “pronë të tyre” ku dhe në rastin e kësaj feste nuk e marrin mundimin që djem që kanë shërbyer me dekada në atë Repart dhe  me kontribut “vetëmohues” në atë repart nuk marrin as ftesë për këtë feste ku kane gjithë jetën e tyre me të mirat dhe të këqijat e kësaj jete. Drejtuesit aktual të cilët njihen si (15 xhirot rreth fushës) duket që e paskan privatizuar këtë repart dhe në këtë ditë shumë të rëndësishme të 30 vjetorit të krijimit te RENEA-s thërrasin në “dasmë” vetëm ata që dinë të kërcejnë. Publikisht u them se duhet tju vij turp kur mburreni me gjakun e heronjve të RENEA-s dhe se historia mund të keqinterpretohet por kurrë, të fshihet. Lavdi dëshmorëve të rënë në krye te detyres,Respekt heronjve të gjallë (trupe operacionale) Neveri drejtuesve të atij Reparti Elite. Shqipëria e Shqiptarëve” shkruan ai në postimin e tij.

 

Ora 12:10
'100 mijë euro dhe lironi shokun tonë brenda 1 ore', nga negociatat me pengmarrësit te operacionet për arrestimin e kriminelëve, ja si stërviten forcat RENEA

 

Në 30-vjetorin e krijimit, forcat RENEA kanë zhvilluar sot një stërvitje, duke stimuluar situata të ndryshme, nga  operacionet për kapjen e kriminelëve te negociatat me pengmarrësit. Në videon e publikuar shihet sesi policia negocion me pengmarrësit, të cilët kërkojnë lirimin e një të burgosuri dhe po ashtu edhe 100 mijë euro. Po ashtu shihet edhe momenti kur një person i armatosur tenton të largohet me vrap dhe ndiqet nga  i cili më pas kapet nga qeni i stërvitur, teksa efektivët i bëjnë thirrje të hedhë armën dhe të shtrihet në tokë, për ta neutralizuar më pas.

Ora 11:10
30 vjet RENEA, ministri: Kurorën e lavdisë e keni fituar me sakrifica në betejën pa kompromis kundër krimit

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka dhënë mesazhin e tij për 30-vjetorin e themelimit të RENEA-s, duke thënë se këto tre dekada ishin të mbushura me sukses të arritur përmes punësdhe sakrificës së njerëzve.

Çuçi shprehet se kurorën e lavdisë, RENEA e ka fituar përmes sakrificash të pafundme, me jetë të humbura e të plagosur nga radhët e saj, në betejat pa kompromis me krimin.

Ministri e ka quajtur RENEA-n “elitë” jo vetëm sa i përket përgatitjes profesionale, efikasitetit në aksione apo rezultateve të arritura, por edhe sa i përket pastërtisë së figurës morale në raport me fenomenet rrënuese të korrupsionit, favorizimeve të ndryshme apo në rastin më të keq, bashkëpunimit më krimin.

Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm në ceremoninë e 30 vjetorit të themelimit të RENEA-s:

Kanë kaluar plot tre dekada, të mbushura me suksese të jashtëzakonshme, e të arritura përmes punës dhe sakrificës së njerëzve si ju, në dukje të zakonshëm, por edhe me mësime të vyera për të ardhmen, qëkur, më 12 nëntor 1991, kjo njësi u pagëzua me emrin RENEA. Që prej atij nëntori të largët, ky emër ka bashkëshoqëruar çdo aksion të bujshëm, të rrezikshëm, e njëherësh të suksesshëm të Policisë së Shtetit.

Sot, kjo njësi është “elita” e trupës së Policisë së Shtetit, e ky titull glorifikues, nuk i është dhënë as përmes një procedure të mistershme, e as përmes një akti burokratik. Kurorën e lavdisë, RENEA e ka fituar përmes sakrificash të pafundme, me jetë të humbura e të plagosur nga radhët e saj, në betejat pa kompromis me krimin!

 E ka fituar me djersë në stërvitje të përditshme, me stërmundime fizike gjatë aksioneve në terrene të vështira, në përballje jo vetëm me krimin, por edhe me forcat e natyrës, me privacione të panumërta, larg syrit të publikut, përgjatë tri dekadash! Gjatë rrugëtimit të vet në këto 30 vite, ky repart ka pësuar ndryshime të rëndësishme, për të arritur në modelin që kemi sot. Por kjo rrugë nuk ka qenë aspak e lehtë.

Që nga krijimi i saj, kjo njësi ka organizuar dhe zgjidhur me sukses plot 2,827 operacione me rrezikshmëri të lartë, mesatarisht 94 operacione në vit, ose afërsisht 1 operacion çdo 4 ditë. Janë operacione, në të cilat rreziku i humbjes së jetës është i pranishëm gjatë gjithë kohës. Është fakt i njohur se RENEA ka shpëtuar dhjetëra jetë njerëzore në operacione me shkallë të lartë vështirësie, ashtu sikurse në raste fatkeqësish natyrore, zjarre e aksidente të ndryshme. Detyrat që kryen kjo njësi elitë e Policisë së Shtetit, kapin një fushë të gjerë që nis nga çlirimi dhe shpëtimi i pengjeve, te kapja dhe neutralizimi i grupeve të armatosura me rrezikshmëri të lartë shoqërore e deri te dhënia e ndihmës në rastet e emergjencave civile.

Ka pasur disa operacione, ku ekspertët zhytës të RENEAs kanë gjetur trupat e shtetasve të mbytur në lumenj të rrëmbyer, që kishin dalë nga shtrati apo raste të ngjashme. Këto janë akte tejet të guximshme, pasi përballja me forcat e natyrës tregon një nivel mjaft të lartë përgatitjeje, por edhe një përkushtim tejet të lartë njerëzor.

 Më trishton sigurisht fakti që, nga radhët e RENEA-s kanë humbur jetën në përballje me krimin, 5 djem të shkëlqyer, oficerë shembullorë, të cilët sot prehen në varrezat e dëshmorëve. Emrat e tyre sot janë përjetësuar jo vetëm në memorien e secilit prej nesh, por edhe në “Murin e kujtesës”. I fundmi në radhë nga këta emra të spikatur të RENEA-s, është ai i Ibrahim Bashës, që humbi jetën në Lazarat, në përballje me trafikantët e kanabisit, që kishin krijuar një shtet brenda shtetit, që e zhbëmë përfundimisht. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve të Policisë së Shtetit!

 Gjatë jetës sime, kam mësuar se njerëzit mund të harrojnë se çfarë është thënë apo çfarë është bërë, por ata nuk do të harrojnë asnjëherë se si i keni bërë të ndihen. Sot, jo vetëm Policia e Shtetit në përgjithësi, por forcat RENEA në veçanti kanë bërë që qytetarët e këtij vendi, dhe të gjithë ne, të ndihemi më të sigurt dhe komod në shtëpitë, rrugët dhe punët tona. 

 Puna juaj e jashtëzakonshme, ka krijuar stabilitetin që ne ndjejmë dhe perceptojmë çdo ditë, e që shërben si garanci për rendin dhe sigurinë tonë kombëtare. Sot ne ndihemi krenarë që në radhët e Policisë së Shtetit, kemi oficerë kaq të përgatitur, që vlerësohen jo vetëm nga kolegët e të njëjtës organizatë, por edhe nga ekspertët e fushës nga vendet mike. Me përgatitjen tuaj të lartë, taktikat që ju keni përvetësuar dhe standardet që keni përdorur, ju keni shkëlqyer edhe ndaj forcave speciale homologe të vendeve partnere.

 RENEA është “elitë” jo vetëm sa i përket përgatitjes profesionale, efikasitetit në aksione apo rezultateve të arritura, por edhe sa i përket pastërtisë së figurës morale në raport me fenomenet rrënuese të korrupsionit, favorizimeve të ndryshme apo në rastin më të keq, bashkëpunimit më krimin.

 Standardi i lartë moral e profesional është njëkohësisht një shfaqje e qartë e dimensionit qytetar e patriotik dhe e rrezatimit vezëllues të djemve dhe vajzave të kësaj njësie. Nga ana tjetër, asnjë situatë e thjeshtë në dukje, apo komplekse, nuk mund të zgjidhej pa frymën dhe shpirtin e skuadrës, të cilën ju e keni krijuar, jo vetëm përmes cilësive tuaja profesionale, por mbi të gjitha përmes besimit të pakushtëzuar te njëri-tjetri.

 Unë jam i vetëdijshëm për të gjithë kontributin tuaj, siç jam në dijeni edhe për ngarkesën e madhe psikologjike dhe stresin gjatë punëve pa orar, natë e ditë, apo edhe për privacionet në jetën e përditshme, që ju duhet të përballoni. Ne si qeveri, kemi treguar një vëmendje e kujdes të veçantë e të vazhdueshëm për RENEA-n, duke përmirësuar kuadrin ligjor dhe trajtimin financiar, e pa diskutim, edhe duke modernizuar, rinovuar e forcuar bazën materiale, pajisjet dhe mjetet logjistike, për ta ngritur atë në nivelet e forcave homologe të vendeve të Bashkimit Evropian.

Në buxhetin e vitit 2022, kemi parashikuar investime dhe fonde shtesë për policinë, posaçërisht për forcat speciale, përfshirë dhe RENEA-n, për blerjen e teknologjive moderne dhe mjeteve të sofistikuara si dronët inteligjentë, kamera e radarë, si dhe çdo pajisje tjetër që do të lehtësojë punën tuaj.

 Sot, RENEA është akomoduar në ambiente të reja, të projektuara dhe ndërtuar enkas për një trupë të tillë elitare. Ambientet e qëndrimit, stërvitjes, programet e përgatitjes komplete etj., janë konceptuar dhe hartuar me asistencën teknike të specialistëve më të mirë gjermanë te Forcave Speciale GSG-9, si dhe të homologëve të ndryshëm të forcave speciale nga shumë vende partnere.

  Trajnimet e përbashkëta me disa nga njësitë e specializuara perëndimore, ndër më të mirat në botë, kanë rritur kapacitetet profesionale të secilit, duke shërbyer si një përvojë e çmuar, për të përballuar më së miri situatat në terren. RENEA gjithashtu është e pajisur me armatim modern dhe pajisje bashkëkohore, të cilat rrisin sigurinë e efektivëve, në zgjidhjen me sukses të operacioneve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në terren.

 Mbështetja financiare dhe investimet në pajisje dhe teknologji moderne, do të shtohen vit pas viti në këtë mandat 4-vjeçar, por edhe më tej si pjesë e vizionit tonë Shqipëria e Sigurtë - 2030, për të transformuar Policinë e Shtetit dhe Forcat e saj Speciale në shëmbëlltyrën e modeleve më të mira të forcave policore të vendeve të Bashkimit Evropian.

Në mbyllje, me rastin e këtij përvjetori, dëshiroj të siguroj çdo oficer të RENEA-s, e njëherësh çdo punonjës të organizatës së madhe të Policisë së Shtetit, për mbështetjen time dhe të kësaj qeverie në çdo përpjekje dhe betejë në përballje me krimin dhe fenomenet e tjera të paligjshme.

 Ndaj, duke qenë përherë me mendje dhe zemër pranë jush, dëshiroj t’ju inkurajoj që të vazhdoni edhe më tej në realizimin e objektivave të punës suaj, me devotshmëri të lartë, profesionalizëm dhe sakrificë, për të kontribuar në krijimin e një të ardhme më të sigurt  për fëmijët, familjet dhe vendin tonë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sara: 12/11/2021 13:24

    Ato dy autoblinda te RENEA jan per meshire.Ato duhet te ken blinda te ri dhe ultramodern dhe jo dhurata qe zbrazin magazinat tjeret apo furgon qe nuk ka mbrojtje

    Përgjigju
  • Y.D: 12/11/2021 12:34

    Kte efektivin e rrevoltum por ene disa të tjerp ish efektiv shteti duhet me i kalu në sitë sepse kto që qahen kan mor pjesë në shumë ngjarje kriminale por ktu te ne osh bo han mr 2 porta

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja