SHKODER - Protesta e tregtarëve të Zdralës është spostuar sot para ambjenteve të Myftinisë Shkodër pas asaj të zhvilluar rreth një muaj më parë para Bashkisë.
Në mbështetje të prostestuesve ishte edhe kryetari i BSPSH Shkodër, Albert Tuka, i cili i kërkoi përfaqësuesve të Myftinise, të marrin parasysh kërkesat e tregtareve pasi, sipas tij, këta të fundit janë taksapagues të rregullt dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre konform të gjitha rregullave që parashikon ligji.

Ai gjithashtu bëri me dije se këtë javë pritet të vijë në Shkodër Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar Skënder Bruçaj në lidhje me këtë mosmarreveshje të krijuar. 

“Kjo protestë është e imponuar për shkak se, Myftinia Shkodër kërkon në mënyrë të jashtligjshme që të largojë këto tregtarë legjitim nga tregu i lirë i Zdrales. Kujtojmë se këto tregtarë të cilët bëjnë pjesë në Bashkinë e Sindikatave të Pavarura të Prefektures Shkodër, janë të ligjshëm për shkak se, nuk e kanë zënë atë tokë me dhunë, janë në konform me ligjet e shtetit Shqipëtar.” tha Albert Tuka

Nga ana tjetër, tregtarët i kanë bërë thirrje Myftiut të Shkodrës imam Muhamed Sytarit që të lidhë një marrëveshje të re me këta tregtarë, duke u lejuar atyre ushtrimin e aktivitetit të tyre. 

“Ne na intereson vetëm marrveshja me tregun e Zdrales ku në atë treg janë të vetëpunësuar 500 persona dhe duke i shumëzuar me familjarët e tyre dalin 3000 vetë pa bukë. Prandaj në një kohë kur në Shkoder papunësia është shumë e madhe dhe kur flitet për zyra punësimi dhe për punësim, 3000 vetë dalin pa bukë” shprehen tregtarët

Burime pranë Myftinisë së Shkodrës bëjnë me dije se ky institucion fetar është pronar me të gjitha të drejtat e pronësisë, në të gjithë sipërfaqen ku shtrihet tregu. Sipas të njëjtave burime, i është kërkuar Bashkisë që të gjendet një treg informal për të kaluar këta tregtarë.

Nga ana e tyre tregtarët e këtij tregu shprehen se nuk do pranojnë të largohen deri sa të marrin zgjidhje kërkesat e tyre.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)