Mbi 130 mijë punonjës, persona me pagesë papunësie dhe familje me ndihmë ekonomike kanë marrë 3 pagat e luftës në vlerën e 26 mijë lekëve. Sipas Ministrisë së Financave deri më datë 3 shtator për punonjësit e biznesit të vogël dhe kategoritë e tjera është dhënë 5.8 miliardë lekë. Ndërkohë nga paketa e dytë me pagë prej 40 mijë lekësh, kanë përfituar 172 mijë e 490 punonjës e ish-punësuar.
Por në paketën e dytë nuk mungojnë ‘surprizat’ sa iu takon atyre që e kanë marrë pagën prej 40 mijë lekësh. Sektori i turizmit më i godituri dhe njëherësh më pak i subvencionuari. As 50% e punonjësve të këtij sektori nuk e kanë marrë bonusin. Nga 10 mijë përfitues në total pagën e kanë marrë vetëm 4 mijë e 920 persona.
Ndërkohë nga të dhënat e përditësuara të Ministrisë së Shëndetësisë, bëhet i ditur edhe numri i punonjësve të larguar nga puna nga data 1 mars deri më 17 maj, pasi thuhet se e kanë marrë pagën 65 mijë e 592 të larguar, pjesë e Masës së dytë të paketës. Pra ky është edhe numri i të larguarve gjatë periudhës së karantinës totale. Në total nga të dyja paketat kanë përfituar mbi 303 mijë punonjës, me një fond të disbursuar prej 12,7 miliardë lekësh.
PAKETA 1 – Mbështetje për Biznesin e Vogël dhe Qytetarët
Masa 1 – ndihmë financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 000 000 lekë, për periudhën pas ndërprerjes së aktivitetit ekonomik për shkak të gjendjes së pandemisë së shkaktuar nga COVID19, duke përfshirë:
• personat fizikë të vetëpunësuar;
• punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar;
• të punësuarit në personat fizikë tregtarë;
• të punësuarit në personat juridikë.
Masa 2 – Dyfishim të pagesës për individët që përfitojnë pagesë të ndihmës ekonomike.
Masa 3 – Dyfishim të pagesës për individët që përfitojnë pagesën e të ardhurës nga papunësia.
PAKETA 2 – Mbështetje për Sipërmarrjen dhe Punëmarrësit
Masa 1 – Subvencionim për punonjësit e larguar + aktualë në bizneset me të ardhura 14+ milionë lekë të mbyllur nga urdhërat e MSHMS-së
Masa 2 – Mbështetje për të larguarit nga puna në periudhën 1 Mars – 17 Maj (për të gjitha subjektet e hapura apo të mbyllura nga urdhrat e MSHMS-së).
Masa 3 – Subvencionim për të gjithë punonjësit e bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë (përjashtuar 8,000 persona në profesionet e lira, tregtia, farmacitë, përfituesit e pagës së luftës së Paketës 1, etj.)
Masa 4 – Subvencionimi i pagës së luftës për punonjësit e strukturave akomoduese në sektorin e turizmit.
Masa 5 – Mbështetje për punonjësit e Rafinerisë së Ballshit (Punonjës me pagë nën 100 mijë lekë/muaj)
Masa 6 – Ndihmë financiare për aplikuesit e ndihmës ekonomike, të cilët rezultojnë aplikues dhe nuk janë përzgjedhur nga sistemi i pikëzimit të ndihmës ekonomike.