Në Librari” vjen me 3 tituj! “XXXIII tregime të zgjedhura” nga Andon Andoni, “I humburi” nga Tarik Tufan dhe Shkenca që shpjegon ndryshimin (Një model i ri për nxënien e shkencave të natyrës)” nga Alketa Karameta. Rubrika e poezisë përcjell vargje nga Rovena Rrozhani.

ANDON ANDONI, AUTOR

33 TREGIME TË ZGJEDHURA NGA 40 VITE KRIJIMTARI TË ANDONIT

Titulli: XXXIII tregime të zgjedhura
Autori: Andon Andoni
Shtëpia botuese: M & B
Çmimi: 1200 lekë

Shkrimtari Andon Andoni vjen me një vëllim të ri me tregime, ku ka përmbledhur thelbin e një krijimtarie gati 40-vjeçare në prozë.

Libri sjell 33 tregime të zgjedhura nga dhjetë vëllime të botuara ndër vite, duke ndërtuar një mozaik narrativesh që pasqyrojnë jetën, kujtesën dhe shpirtin e trevës juglindore të Korçës.

“Ky është një libër me 33 tregime të zgjedhura, të marra nga gati 10 libra të mi me tregime. Është një dëshirë dhe një dashuri për të nxjerrë në pah gjithë atë zonën tonë, trevën juglindore të Korçës, ku shumica e tregimeve i kushtohen asaj”, thotë Andoni.

Autori tregon se përzgjedhja e tregimeve është bërë me kujdes, në bashkëpunim me botuesit dhe redaktorin Kliton Nesturi, me synimin për të pasqyruar evolucionin e tij krijues ndër vite.

“Jemi kujdesur që nga çdo libër të marrim disa tregime për t’i përmbledhur në këtë vëllim, në mënyrë që të pasqyrohet gjithë vijimësia e krijimtarisë sime prej 40 vjetësh”, shton shkrimtari.

Kritiku dhe studiuesi Luan Topçiu e konsideron prozën e Andonit si një rikthim me vetëdije estetike te tradita klasike shqiptare, duke e vendosur autorin në dialog të heshtur me emra të rëndësishëm si Mitrush Kuteli dhe Sotir Andoni. Përmes tregimit, një prej formave më të vështira të rrëfimit, autori ndërton histori të thjeshta në dukje, por me një ngarkesë të thellë emocionale dhe njerëzore.

Në qendër të këtij universi narrativ janë njerëzit e zakonshëm, jeta e fshatit, kujtimet, emigracioni, figura e nënës dhe raportet njerëzore që zhvillohen larg zhurmës së ngjarjeve të mëdha. Pikërisht në këtë thjeshtësi, Andoni gjen bukurinë dhe autenticitetin e jetës. Personazhet e tij jetojnë mes dhimbjeve të heshtura dhe gëzimeve të vogla, duke krijuar një mikrokozmos shpirtëror që i jep tregimeve një dimension të përjetshëm.

“Mendoj se është një libër që përfshin një gamë të gjerë tematikash, nga mësuesi, fshati, qyteti, tregimet për nënën dhe emigracionin. Besoj se është një libër që do të ndjehet edhe tek lexuesi”, thotë Andoni.

Vetë autori shprehet se ky libër është një përmbledhje e gjithë krijimtarisë së tij në tregim, duke nisur nga libri i parë “Kilometri 39”, botuar në vitin 1987, e deri te botimet më të fundit.

Andon Nasi Andoni ka lindur më 16 gusht 1958 dhe ka studiuar Gjuhë-Letërsi. Për vite me radhë ka punuar si mësues në zonat e Librazhdit, më pas si gazetar dhe drejtues i gazetës “Mësuesi”, si edhe pedagog i jashtëm në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Krahas dhjetë librave me tregime, ai është autor i dy romaneve dhe dy monografive.

TARIK TUFAN, AUTORI

AUTORI TURK TARIK TUFAN VJEN NË SHQIP ME ROMANIN “I HUMBURI”

Titulli: “I humburi”
Autor: Tarik Tufan
Përktheu: Lindita Xhanari Latifi
Shtëpia botuese: Muza
Çmimi: 1400 lekë

“Edhe sot, kur kam lënë mënjanë turpin tim dhe po rrëfej të vërtetën, vazhdoj të jetoj jetën e të tjerëve dhe jo timen…”

Është ky një pasazh i shkurtër nga romani “I humburi” i autorit turk Tarik Tufan, që së fundi ka ardhur edhe në shqip për lexuesin në vendin tonë.

Një burrë dhe dy gra mbeten të ngujuar në qarkun e humbjes, ndërsa kërkojnë rrugën për të rigjetur veten. Por çmimi që duhet të paguajnë bëhet gjithnjë e më i lartë.

“I humburi” është një histori e ndërtuar mbi kujtimet, dashurinë e parë dhe kërkimin e vetvetes. Një roman që endet nëpër rrugët e Stambollit, mes jetëve të thyera, plagëve të fshehura dhe njerëzve që përpiqen të kuptojnë kush janë në të vërtetë.

“I humburi” vendos në qendër pyetjen më të vështirë të jetës: a po jetojmë vërtet jetën që duam? Përmes personazhit kryesor, Hakanit, autori eksploron ndjesinë e humbjes dhe krizën e njeriut modern përballë vetvetes dhe së kaluarës.

“Fillimisht dua të shpreh kënaqësinë time që vepra ime e pestë u përkthye në gjuhën shqipe. Ky është takimi im i tretë me lexuesin shqiptar dhe kjo më bën shumë krenar. Letërsia është një gjuhë e përbashkët që mundëson takimin e njerëzve dhe për mua është nder që vepra ime përkthehet në gjuhën e Kadaresë”, shprehet Tufan.

Për Tufanin, romani është një mënyrë për të kuptuar jetën dhe njeriun. Në “I humburi”, ai sjell dramën e individit modern që ndjehet i huaj në jetën e vet.

“Në romanin tim jam përpjekur të përcjell ndjesinë e humbjes dhe të qenit i huaj të njeriut modern. Të gjithë ne përjetojmë një humbje gjatë jetës sonë. Është një problem filozofik, psikologjik dhe metafizik. Njeriu i drejton vetes pyetje si: A është kjo jeta që dua të jetoj? Dhe përgjigjja nuk është kurrë e thjeshtë”, thotë Tufan.

Në ditëlindjen e tij të 40-të, personazhi kryesor përballet me të shkuarën dhe me të vërtetat që ka shmangur për vite me radhë. Përmes tij, autori tregon se rikthimi tek vetvetja kalon përmes kujtimeve dhe plagëve që mbartim.

“Njeriu që është drejt humbjes kërkon ta rigjejë vetveten dhe këtë mund ta bëjë vetëm duke u kthyer në të shkuarën e tij. Por e kaluara ka gjithmonë dhoma të errëta, të mbushura me fantazma”, shprehet autori.

“I humburi” vjen si një reflektim i thellë mbi identitetin, vetminë dhe përballjen me jetën që kemi zgjedhur ose që na është imponuar. Tarik Tufan rrëfen historinë universale të përballjes me kujtimet, dashurinë e parë dhe kërkimin e vetvetes.

“I humburi” është një roman që endet nëpër botë të plagosura, jetë të thyera, trishtime të fshehura dhe rrugët e Stambollit.

Çështja më e koklavitur e jetës, misteri më i vështirë për t’u zgjidhur, është të kuptosh se kush jemi në të vërtetë. Sepse gjithkush nga ne humbet diku në jetën e vet. Disave, për të gjetur veten, u duhet të gjejnë fillimisht atë që kanë humbur dikur, shumë kohë më parë.

ALKETA KARAMETA, AUTORE

MODEL I RI PËR NXËNIEN E SHKENCAVE TË NATYRËS NGA KARAMETA

Titulli: Shkenca që shpjegon ndryshimin (Një model i ri për nxënien e shkencave të natyrës)
Autori: Alketa Karameta
Botues: Filara
Çmimi: 1000 lekë

“Shkenca që shpjegon ndryshimin” është libri me autore Alketa Karameta, botim që sjell një model të ri për të nxënit e shkencave të natyrës dhe synon ta bëjë mësimin më të kuptueshëm dhe praktik për nxënësit.

Si specialiste e arsimit dhe zhvillimit të kurrikulës, autorja theksoi se libri është ndërtuar për të ndihmuar mësuesit në organizimin e procesit mësimor, duke e vendosur nxënësin në qendër të të nxënit. Sipas saj, modeli i ri synon që nxënësit të mos mësojnë vetëm teori apo përfaqësime simbolike, por të ndërtojnë njohuritë përmes situatave konkrete, eksperimenteve dhe bashkëpunimit në klasë.

“Ky libër do ta ndihmojë shumë mësuesin gjatë procesit mësimor që, në bashkëpunim me nxënësin, ta orientojë atë për të ndërtuar njohuritë, aftësitë dhe qëndrimet në fushën e shkencave të natyrës. Është një risi, sepse për herë të parë mësuesi do të ketë një udhëzues jo vetëm në aspektin didaktik, por edhe në hartimin e planit ditor dhe mënyrën sesi përmbajtjen shkencore ta kthejë në përmbajtje të nxëni. Sot duhet të largohemi nga përfaqësimet simbolike dhe të krijojmë situata konkrete të të nxënit, ku nxënësi ndërton vetë dijet dhe aftësitë. I gjithë fokusi i modelit i kushtohet veprimtarisë së nxënësit, i cili është në qendër të procesit mësimor”, thotë Karameta.

Karameta u shpreh se prej gjashtë vitesh, gjatë punës me mësues dhe specialistë të arsimit, ka vënë re vështirësitë që nxënësit hasin në lëndë si fizika, kimia dhe biologjia. Nisur nga kjo, ajo tha se libri synon të ofrojë ndihmë konkrete për mësuesit, në mënyrë që mësimi të bëhet më i kuptueshëm dhe më tërheqës për të rinjtë.

Autorja theksoi gjithashtu se interesi i nxënësve për shkencat mbetet i lartë, gjë që dëshmohet edhe nga projektet e shumta që prezantohen në konkurset kombëtare të fizikës dhe shkencave të natyrës.

MELODIA E VARGUT

“MELODIA E VARGUT” SJELL VARGJE POETIKE NGA ROVENA RROZHANI

Rubrika e poezisë përcjell vargje plot ndjenjë, por dhe me forcë të madhe reflektimi, nga Rovena Rrozhani.

Edhe sot

Edhe sot

Priftërinjtë vazhdojnë të luten,

Bombat bien kudo.

Edhe sot,

Dielli lind

Njerëzit vdesin,

Prapë edhe sot.

Ndryshuam rrobat,

Letrën këmbyem me laptop.

E rafinuam jetën,

Por njësoj vritemi,

Edhe sot.

Po aq të frikësuar,

Po aq të varfër

Po aq naivë si të sapolindur.

Ironikisht përqeshim veten,

Pa ndryshuar asgjë,

Edhe sot, si dikur.

 

Një milion të hëna dhe të marta

Të kam dashur,

Të dua.

Pa asnjë kufi midis një million të hënave

dhe të martave që shkuan.

Prapë do të të dua

Pa reshtur,

Midis një million të hënave

dhe të martave që do të vijnë.

Pa fjalë,

Pa konjuktura.

Në buzët e dashurisë

miliona jetë kalova për ty!

Edhe miliona të tjera do të jetoj,

pa u frikësuar,

nga mallkimi i përjetësisë.

 

Mam!

Në valë i përkundim kujtimet

Qetësojmë zemrën,

largësinë, duke varur

mbi çdo pulëbardhë

Ti, në atë anë të oqeanit

Unë, detit, në këtë anë.

Në maja malesh,

retë shkëmbejmë

si pusulla me mall

Ti, në tokën e premtuar

Unë, në kontinentin plak!

Në lojë e vëmë universin

Unë hënën, ti diellin

njëra –tjetrës ia hedhim

Mbi qepallë,

dashuria bëhet ëndërr

Vjen e më puth!

Çdo natë!