32-vjeçari i humbur prej 7 vitesh në Indonezi, ekstradohet drejt Tiranës Luan Bundo që i mori 13 mijë € dhe i premtoi se do ta çonte në Australi! U arrestua në Spanjë pas denoncimit në 'Pa Gjurmë'
Ka mbërritur në Shqipëri, Luan Bundo i arrestuar pas denoncimit në emisionin ‘Pa gjurmë’, për trafik klandestinësh kundrejt 13 mijë euro. Publikimi i rrjetit të tij të trafikut u bë në emisioni ‘Pa gjurmë’ nga familjarët e 32 vjecarit, Mensur Prençi i cili rezulton i humbur prej 7 vitesh.
Redaksia 17 Korrik 2021, 10:51 | Përditesimi: 17 Korrik 2021, 12:07
Ka mbërritur në Shqipëri, Luan Bundo i arrestuar pas denoncimit në emisionin ‘Pa gjurmë’, për trafik klandestinësh kundrejt 13 mijë euro. Publikimi i rrjetit të tij të trafikut u bë në emisioni ‘Pa gjurmë’ nga familjarët e 32 vjecarit, Mensur Prençi i cili rezulton i humbur prej 7 vitesh.
Luan Bundo, 64 vjeç, është arrestuar nga autoritetet policore në Madrid në tetor 2019, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se ka ndihmuar 32-vjeçarin Mensur Prençin të kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt një shume prej 13 mijë eurosh. Ky i fundit, prej vitit 2014, ka humbur kontaktet me famijarët të cilët kanë denoncuar rastin e humbjes së tij në emisionin 'Pa gjurmë' në Report Tv.
Luan Bundo dhe 32-vjeçari Preçi, sipas policisë kanë shkuar fillimisht në Maqedoni ku janë pajisur me viza për në Indonezi dhe më pas janë transportuar drejt Australisë me anë të një peshkarexhe nga një indonezian.
Nga hetimet ka rezultuar se linja e ndjekur nga Bundo ishte nëpërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, ku klandestinët bashkë me të humburin Mensur Prençi, pajiseshin me vizë indoneziane për arsye turistike. Nga Indonezia linja vijonte në ishullin Kupang të Singaporit, ku nëpërmjet indionezianëve dërgoheshin për në Australi.
Sipas familjarëve të Prençit, kontakti i fundit me 32-vjeçarin ka qenë gjatë kohës që qëndronte në ishullin Kupang në pritje për t’u nisur drejt Australisë. Pas këtij momenti i pandehuri Luan Bundo është kthyer në Shqipëri dhe i ka komunikuar familjarëve të Prençit se djali i tyre kishte mbërritur në një kamp refugjatësh në Darwin të Australisë. Lidhur me këtë ngjarje Luan ështe dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.