TIRANË - Nga e hëna pensionistët do të duhet të qëndrojnë në shtëpi pa mundur të dalin për të blerë ushqime e ilaçe, deri në një vendim të dytë të qeverisë për situatën me koronavirusin.

Të gjitha shërbimet do t'u çohen në banesë nga autoritetet përkatëse. Por në kushtet kur gjithçka, përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës, po punon me staf të reduktuar si masë mbrojtëse për përhapjen e COVID-19, shihet e vështirë se si do t'u shërbehet të gjithë të moshuarve të vetmuar.

Vetëm në Tiranë janë mbi 100 mijë pensionistë, ndërsa të identifikuar prej tyre janë 35 mijë të moshuar që janë të vetmuar, pra që nuk kanë asnjë familjar të tyre pranë për t'i ndihmuar.

Në një intervistë për Report Tv, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ka nevojë për një sistem solidar, pasi vetëm nuk mund të përballohet. Ashtu si kopshtet dhe çerdhet që u rikonstruan falë investimeve nga privatët, kryebashkiaku i bëri apel të rinjve e të rejave që në këtë moment të vështirë që po kalon Shqipëria dhe gjithë bota, të adoptojnë një gjysh apo gjyshe. Kështu, kush merr lejen për të dalë nga shtëpia për të blerë pazaret pas autorizimin nga e-Albania, Veliaj kërkoi që në këtë fashë orare të blejë bukë, ushqim e ilaçe edhe për fqinjin e tij të moshuar që jeton i vetëm.

"Një nga gjërat që sot kemi fokus, është se si do të adresojmë numrin e rritur të atyre që kanë nevojë për ndihmë, për të moshuarit që duhet të qëndrojnë në shtëpi.  Kur marrin lejen 1 orarëshe për të dalë nuk i kushton asgjë të bëjë pazar për komshien. Tani adopto një gjysh dhe një gjyshe. Kemi nevojë për një sistem solidaritet. Përsakohë do dalë nga shtëpia nuk i kushton asgjë të marrë edhe ilaçe ushqim për fqinjin e moshuar. Edhe stafi është i reduktuar, edhe polici ka prindër e familje. Na duhet të paktën nëse dikush nuk ndihmon dot të mos abuzojë me këtë sistem.  Adopto një gjysh një gjyshe të pallatit tënd të lagjes tënde" , u shpreh Veliaj për Report Tv.

Veliaj dha edhe një lajm të mirë, ku edhe kompanitë private i janë bashkuar nismës për të ndihmuar të moshuarit e vetmuar, dhe bëri apel edhe për solidaritetin e shumë të tjerëve.

"Na duhen furrat e bukës që të thonë në djall vaftë fitimi, se do ia çoj unë bukën e freskët. Na duhet çuni goca e mirë e pallatit", tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në mesin e kësaj situate, qytetari i parë i Tiranës tha se ka edhe raste të abuzimeve, ku pensionistë me fëmijët pranë, kërkojnë ndihma, siç ishte dhe një rast në periferi ku i moshuari që kërkoi ndihmë kishte vilë tre katëshe, makinë, dhe jetonte pranë të birit.

"Kjo është një platformë solidaritet, jo pizza taxi. Për prindërit që i kanë rritur kokën me shumë sakrifica, prindërit e meritojnë këtë shërbim. Ne nuk bëjmë shërbime për dikë që i ka fëmijët në Tiranë. Deri në mesditë 2/3 e rasteve ishin raste që nuk kanë lidhje me nevojat. Pjesa më e madhe janë për cinizma të vogla. Më vjen keq kur shkojmë në disa vende vilë me 2-3 kate me makina poshtë. Nuk duhet të harxhohet energji njerëzore për të humbur ata që realisht kanë nevojë për ndihmë", tha Veliaj.

Numri ku të gjithë të moshuarit e vetmuar mund të kërkojnë për ndihmë është 08000888.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:16
Bashkia e Lezhës thirrje për vullnetarë të ndihmojnë të moshuarit e vetmuar

Bashkitë në vend e kanë të pamundur të përballojnë shërbimin në shtëpi për pensionistët e vetmuar. Për këtë arsye, kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu bëri thirrje për vullnetarë, qytetarë që kanë mundësi të dalin nga shtëpia për të marrë leje, e me këtë rast edhe të ndihmojnë të moshuarit që janë vetëm në banesa, pa të afërmit e tyre.

"Nga situata e krijuar për shkak të virusit COVID-19 , të moshuarit nuk do dalin më nga shtëpia për asnjë motiv.  Nisur nga kjo, lind nevoja për vullnetarë, të cilët do u japin ndihmë të moshuarve për bërjen e pazarit dhe shërbime të tjera të domosdoshme. Çdo vullnetar/re, që bëhet pjesë e skuadrës së Bashkisë Lezhë është një ndihmë për ne! Na telefono në  0686694445 ose na shkruani  në inbox ne faqen Bashkia Lezhë", thuhet në një njoftim të bashkisë së Lezhës.