Report Tv publikoi ekskluzivisht skandalin e dy mjekëve italianë, Andrea Formiga dhe Marco Procopio, të cilët në Itali janë nën hetim dhe të pezulluar pas vdekjes së dy pacientëve, por ndërkohë punojnë edhe në Shqipëri, në spitalin privat në Tiranë, “Trita Hospital”. Në Shqipëri punojnë aktualisht 354 mjekë të huaj, për të cilët Ministria e Shëndetësisë thotë se licencohen nga Urdhri i Mjekëve. Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala iu përgjigj pyetjeve të Report Tv se kush i kontrollon mjekët e huaj që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendin tonë, duke thënë se Urdhri i Mjekut që jep licencat është një institut i pavarur dhe nuk kontrollohet nga Ministria e Shëndetësisë.
“Licencimi i mjekëve bëhet nga Urdhri i mjekut. Urdhri i mjekut është i pavarur dhe duhet të jetë i pavarur. Sigurisht që bashkëpunojmë, pastaj spitalet kur marrin punë mjekët kontrollojnë që ka një licencë mjekësore. Nuk është detyra e ministrisë të kontrollojë urdhrin e mjekut se nuk mbetet më i pavarur. Ne nuk mund të bëjmë çrregullimin e sistemit”, tha Sala për Report Tv.
Sala tha se spitalet private kanë njëjtin detyrimin si spitalet shtetërore që të kontrollojnë nëse kanë marrë mjekë të licencuar apo jo.
“A ka mjekë që janë pa licencë? Spitalet duhet t’i kenë të tërë mjekët e licencuar. Kur mjeku punësohet kontrollohet edhe licenca. Nëse ka sinjalizime që diçka ka ndodhur, sistemet e tjera administrative që marrin masa në varësi të situatës që ka ndodhur, por licencimi është nga urdhri i mjekut. Spitali privat ka të njëjtin detyrim që të marrë mjekë të licencuar”, vijoi Sala.
Menjëherë pas denoncimit të Report Tv, Ministria e Shëndetësisë thotë se strukturat respektive të inspektimit kanë shkuar në spitalin në fjalë për të nisur verifikimi përkatës. Ministria e Shëndetësisë thotë se e ka detyrim ligjor që njëherë në vit të bëj inspektime në strukturat spitalore private. “Rasti konkret, mund të ketë ndodhur që të jetë punësuar pas verifikimeve tona, pra gjatë muajve që ne e kemi pas bërë inspektimin”, theksohet në reagim.
Paralelshit, Shëndetësia thotë se po kryhet hetim edhe nga Prokuroria e Tiranës për vdekjen e biznesmenit italian Massimo Ferro në QSUT, pas ndërhyrjes për ngushtimin e stomakut te Trita Hospital me kirurgun Andrea Formiga.
Lajmi kryesor:
Skandali me 2 mjekët italianë te 'Trita'/ Ping-pongu institucional u lë terren mjekëve të huaj në hetim të punojnë në privat në Shqipëri












