Turi i takimeve në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, vijoi këtë herë në Kukës. Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, tha se ky është një qark që ka dëshmuar se vullneti e ka mbajtur gjallë këtë forcë politike, ndërsa shpalosi ambicien për zgjedhjet e ardhshme.

“Vijmë për të korrur fitoren e radhës dhe pse jo, në garën e ardhshme elektorale, të tria bashkitë të drejtohen nga socialistë”, tha Klosi.

Ai iu referua edhe avancimeve me procesin e anëtarësimit në BE pas miratimit të qëndrimit të përbashkët të vendeve anëtare për raportin e piketave të ndërmjetme. Klosi u shpreh se PS i ka shërbyer gjithnjë Shqipërisë dhe askush s’e ka bërë më mirë sesa ajo.

“Ne ia dolëm që të hapnim një nga kapitujt e fundit të rrugëtimit tonë europian. Ne mund të themi të gjithë së bashku se po ne, socialistët shqiptarë, të gjithë pa përjashtim, si ata që kanë qenë socialistë të thjeshtë, komisionerë, të gjithë së bashku, jemi krenarë që përfaqësojmë Partinë Socialiste të Shqipërisë. Jemi krenarë që që nga dita e themelimit deri të integrimit, 35 vjet, i kemi shërbyer Shqipërisë çdo ditë. Ne duhet ta themi me gojën plot: sakrifica jonë ka shkuar për Shqipërinë. Më mirë se socialistët askush nuk i ka shërbyer këtij vendi, ndjenjës kombëtare, shqiptarisë. Askush më mirë se ne nuk ia ka dalë ta çojë Shqipërinë në majat më të larta. Socialistët dhe anëtarët e kësaj partie kanë shërbyer që njerëzit të jetojnë më mirë dhe të jenë më europianë”, tha Klosi.

Klosi shtoi se PS “fiton çdo garë”, ndërsa shprehu sigurinë se e ardhmja do të sjellë edhe më shumë fitore.

“PS është gjithmonë besimplotë se me Edi Ramën dhe socialistët, do t’ia dalim të fitojmë gjithnjë e më shumë edhe kur Shqipëria të jetë anëtare e BE”, tha Klosi.

Në fund, u nderuan edhe disa prej themeluesve të PS që vijnë nga ky qark, të cilëve iu dorëzua një certifikatë dhe medalje.