Kryesocialisti dhe kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të enjte një takim masiv me socialistë të Qarkut Korçë, me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.

Në fjalën e tij, e cila u shkurtua për shkak të reshjeve të shiut që filluan të nisnin sapo ai u ngjit në podium, Rama kujtoi masakrën e 26 majit të vitit 1996, kur Sali Berisha manipuloi dhe deformoi në mënyrë të pashembullt zgjedhjet parlamentare, ndërsa 2 ditë më vonë përdori Policinë e Shtetit dhe Shërbimin Informativ Kombëtar për të dhunuar në mënyrë brutale opozitën e saj kohe, mes së cilës ndodhej edhe PS.

Rama theksoi se "ai 26 maj sot është i papërfytyrueshëm për të rinjtë apo shumëkënd tjetër që nuk e ka jetuar atë moment dramatik".

"Nuk mundet dot të mos e përsëris që një koincidencë e madhe e bashkoi në një datë, 26 maji, dy momente shumë domethënëse të historisë së PS. 26 maji i ’96, kur socialistët u përballën me furinë e një dhune dhe me një brutalitet që faktikisht vuri të gjithë shoqërinë përballë sfidës reale të ndërtimit të demokracisë, si një sfidë që u shfaq shumë më e madhe sesa dukej kur u përmbys diktatura, dhe që e vendosi PS në një situatë dramatike, ku ata të cilët ishin në vijën e parë, qoftë si përfaqësues të PS, qoftë si drejtues, apo si komisionerë, u dhunuan, ashtu sikundër u dhunuan dhe rezultatet e atyre zgjedhjeve, që u grabitën nga pushteti i degraduar i PD.

Ai 26 maj sot është i papërfytyrueshëm për të rinjtë apo shumëkënd tjetër që nuk e ka jetuar atë moment dramatik. Është e paimagjinueshme sot që Shqipëria, ku opozita dhunohej rregullisht, ku kishte vetëm një ekran, ekranin e RTSH-së, dhe në atë ekran nuk shfaqej asnjëherë opozita, përveç ndonjë rasti me pamje që mbuloheshin nga komentet negative të spikerit të lajmeve. Shqipëria e asaj kohe kishte vetëm një gazetë opozite, e cila edhe ajo u bë shkrumb e hi nga ai që ishte vërtet një regjim brutal.

Nuk mund të imagjinohet sot se ishte e pamundur të ishe në opozitë dhe të mos keqtrajtoheshe, duke u denigruar dita-ditës",- tha Rama.

Kreu i qeverisë vuri në pah ndryshimin epokal të 26 majit '96 me 26 majin e vitit 2026, kur Shqipëria sot është më afër anëtarësimit në Bashkimin Europian se kurrë më parë.

"Dua ta lidh këtë 26 maj me 26 majin e shumë pak ditëve më parë, ku PS e ngjiti Shqipërinë edhe një majë më lart në rrugën drejt majës që faktikisht është amaneti që kemi ndaj të parëve tanë, është borxhi që u kemi fëmijëve tanë; maja ku gjendet shtëpia e Europës së Bashkuar, ku pa diskutim do të vendosim me respekt flamurin kuqezi të Ismail Qemalit dhe Gjergj Kastriotit",- tha Rama.

"PS në këto 35 vjet ka dëshmuar se është e vetmja forcë politike që mund të jetë në një marrëdhënie të drejtë me interesin kombëtar", mbylli fjalën e tij kryesocialisti, duke shtuar se shiu që i shkurtoi fjalimin, simbolizon bereqetin elektoral që synon të ketë Partia Socialiste në zgjedhjet vendore të vitit 2027.

K.M/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 19 Qershor, 13:51

    A kanë të drejtë SPAK dhe gjykatat të ndalojnë prezencën e kamerave gjatë seancave publike?