''Dimri i madh'', misteret e një
romani në rrëfimet e Kadaresë

''Dimri i madh'', misteret e një<br />romani në rrëfimet e Kadaresë
“Dimri i madh”, një roman kushtuar figurës së Enver Hoxhës mbetet një prej veprave më të diskutuara të shkrimtarit Ismail Kadare.
Në vitin 1979, Kadare kujton gjerësisht procesin e shkrimit të kësaj vepre në një shkrim me titull “Si e shkrova romanin “Dimri i madh” botuar në revistën “Nëntori” të shtatorit të atij viti.
Në atë shkrim Kadare rrëfen detaje të hollësisht të procesit shkrimor, nga fillesa, ngacmimi, përgatitja që i është dashur të bëjë, gjurmimi arkivor, leximi i një sërë veprash, përjetimi i një varg rrethanash dhe njohja e shumë ambjenteve e personazheve, e deri tek kujdesi I treguar për linjën ideore të pushtetit në fuqi….  Zërat kritikë ndaj shkrimtarit, sidomos pas viteve ’90-të, nuk kanë nguruar ta vënë këtë roman në shenjestër të sulmeve të tyre ndaj shkrimtarit.

Ndërsa ai vetë ka mbajtur qëndrimin e tij. Në intervista e rrëfime të ndryshme pas viteve ’90, ai ka rrëfyer se ka qenë i shtrënguar ta shkruajë atë vepër për shkak të rrethanave delikate ku ndodhej menjëherë pas sulmeve dhe kritikave që shoqëruan romanin “Përbindëshi”.
Madje Kadare, në një intervistë (të cilën kemi zgjedhur ta rikthejmë në vëmendjen e lexuesve, krahas rrëfimti të tij të 1979) që gazetarja malazeze Branka Bogavac i ka marrë shkrimtarit pas strehimit të tij politik në Francë, flet gjerësisht për arsyet pse e ka shkruajtur “Dimrin e madh”. Për një pjesë të lexuesit ky rrëfim është i njohur, pasi u botua edhe në mediat shqiptare në vitin 2007. Por ky fragment i intervistës ku flet rreth romanit, shërben për të kuptuar diçka më shumë mes rrëfimit të shkrimtarit në kushtet e diktaturës dhe të një rrëfimi, pas arratisë prej këtij regjimi.

 
Ismail Kadare: Si e shkrova romanin  “Dimri i madh”
Për të shkruar romanin “Dimri i madh” kam punuar intensivisht në vitet 1971 dhe 1972 dhe më vonë në një  periudhë kohe midis viteve 1974 dhe 1977 për të shkruar  disa pjesë dhe motive  plotësuese. Por këtu duhet thënë se, ndërsa dihet saktësisht koha e mbarimit të një vepre, është e vështirë të thuhet një gjë e tillë për kohën e fillimit të veprës kam nisur të mendoj, të bëj plane, dhe të mbledh  materiale për të, qysh në vitin 1969. Bile edhe kjo është relative. Më 1968 unë botova poemën “Vitet ‘60”, që tregon se motivi i ndeshjes së Partisë sonë me revizionizmin hrushovian më kishte preokupuar qysh më parë.

Gjeneza e një vepre letrare në ndërgjegjen e shkrimtarit, duke mos qenë aspak enigmatike, është megjithatë e komplikuar. Qëllon që embrioni i veprës lind në mënyrë të përnjëhershme por për arsye të ndryshme qëllon që rruga e shkrimtarit drejt veprës të kalojë nëpër disa faza.
Ndeshja e Partisë sonë me revizionizmin hrushovian, duke qenë një ndeshje me proporcione madhore në planin ndërkombëtar, është njëkohësisht një luftë dhe përvojë e re, që i shtohet epopesë së proletariatit botëror.

Si e tillë edhe pasqyrimin e saj në letërsi, ajo nuk e kishte të lehtë, sidomos në një gjini të gjerë si romani. Dëshira ime për të shkruar diçka  për këtë ndeshje monumentale haste në pengesën që krijonte vetvetiu noviteti i temës si dhe në mungesën e mjaftueshme të përvojës time si prozator për të rrokur tablo të një gjerësie të tillë. Kjo gjë bëri që në fillim unë ti shmangem atakimit të drejtpërdrejtë të temës dhe të kërkoj rrugë të tjera për ta pasqyruar atë. Duke qenë se isha marrë gjer atëherë më shumë me poezi, m’u duk se edhe në prozë do ta kisha më lehtë të realizoja diçka duke thirrur në ndihmë kryesisht mjete të poezisë, figuracionin dhe simbolikën poetike. Kështu duke u nisur nga fakti se tradhëtia hrushoviane, në atë kohë, dhe më vonë, në shtypin e propagandës tonë dhe në gjithë shtypin revolucionar botëror, quhej si Kali i Trojës brenda lëvizjes komuniste botërore, unë nisa të shkruaj një novelë për historinë e moçme të Kalit të Trojës, të lidhur drejtpërdrejt me kohën tonë.

Novelën e shkrova dhe e botova më 1965 në revistën “Nëntori”. Siç e tregoi me të drejtë kritika jonë si dhe reagimi i lexuesve, novela pavarësisht nga qëllimi im, ishte e parealizuar, konfuze dhe aspak e qartë. Botimi i saj megjithatë më ndikoi mua të bindem edhe njëherë  për një gjë të madhe: mjetet simbolike konvencionale ishin tepër të kufizuara dhe nuk mund të jepnin kurrësesi dëshmitë e mëdha të kohës që ishin të jetuara nga mbarë populli. Imazhi i Kalit të Trojës, sado që të përdorej në një sens të drejtë, nuk mjaftonte për të dhënë fytyrën  reale të tradhëtisë së sotme hrushoviane.

Pas novelës për Kalin e Trojës unë shkrova poemën “Vitet 60” që ishte, në një farë mënyre, si një prelud i një vepre të ardhme. Kisha shumë dëshirë që  këtë ngjarje epike ta trajtoja gjerësisht në prozë. Në atë kohë isha duke shkruar romanin “Kështjella”, ku ndihej një analogji e qartë midis heroikës së kohës së Skënderbeut dhe asaj të kohës sonë. Romani u prit mirë nga lexuesit dhe kritika dhe tingëllimi aktual i veprës u vlerësua si diçka e realizuar. Megjithatë edhe pas kësaj unë nuk ndihesha i kënaqur me veten time. Tingëllimi aktual i një vepre historike, megjithëse është në vetvete një gjë e mirë, nuk mund të zëvendësojë në asnjë mënyrë pasqyrimin e drejtpërdrejtë të kohës në veprën letrare. Letërsia dhe artet afirmohen në radhë të parë nëpërmjet pasqyrimit të kohës së vet.  Brumi i tyre i parë, prova e tyre është, në radhë të parë realiteti bashkëkohor.

Tingëllimi aktual i temave historike, vlerësimi i ngjarjeve të shkuara, nëpërmjet një pikëvështrimi të ri, të bazuar në ideologjinë e proletariatit, gjetja e pikave të përbashkëta në historinë e vendit, të gjitha këto janë të dobishme e të vlefshme, por s’duhet harruar se të gjitha këto janë përherë elemente plotësuese në skalitjen e fytyrës së epokës. Kjo fytyrë riprodhohet në letërsi dhe arte kryesisht nga vetë shkrimtarët bashkëkohorë dhe drejtpërdrejt nga realiteti bashkëkohor.

Bindja në këtë parim më shtyu që, duke kapërcyer një farë drojtje profesaionale, t’i hyj punës për romanin “Dimri i madh”. Sa më shumë që mendoja për të, aq më tepër mendoja se romani duhej shkruar sa në një mënyrë realiste, aq edhe të guximshme, që të më ndihmonte të hyja lirshëm në ambjentet më të ndryshme, duke filluar nga apartamentet ku rrjedh jeta e përditshme e njerëzve, gjer në zyrat më të larta shtetërore, nga ndjenajt e personazheve më të thjeshtë, gjer në mendimet e brendshme të personazheve të rëndësishëm historike, nga situatat lirike gjer te ato dramatike e tragjike. Unë kisha bindjen se metoda e realizmit socialist, në kundërshtim me gjithë blasfemitë që kanë lëshuar e lëshojnë mbi të propagandat e zeza, i jep shkrimtarit mundësi të jashtëzakonshme për të krijuar vepra letrare të nivelit më të lartë ideoartistik. Kisha gjithashtu besimin se trajtimi i drejtpërdrejtë i temës politike, i ndeshjeve dhe figurave politike, jo vetëm nuk e dobëson një vepër letrare, siç thonë estetët borgjezë e revizionistë, por i jep asaj një vlerë autentike të pazëvendësueshme.
 
Kështu u kristalizua faza e parë e punës për romanin “Dimri i madh”. Shkurtimisht kjo fazë konsistonte në faktin që si shkrimtar krijova bindjen në veten time që historia e ndeshjes së Partisë sonë me revizionizmin hrushovian, ai dimër i paharrueshëm i vitit 1960 -1961, përbënte një subjekt madhor, sublim e objektivisht të bukur për një krijues. Ky moment, momenti kur krijuesi zgjedh temën e tij, është një nga më vendimtarët dhe nga më të bukurit. Pas tij vjen faza e dytë: përgatitja për t’i hyrë punës.

Për romanin “Dimri i madh”, mu desh të bëj një punë përgatitore rreth një viti e gjysëm. Pjesën më të madhe të kohës ia kushtova studimit të dokumenteve të Partisë sonë për ngjarjet, materialet për Mledhjen e Moskës, dokumentet e tjera shtetërore, letra, memorandume, nota qeveritare. Një kujdes të veçantë i kushtova studimit të veprave të shokut Enver, që lidheshin drejtpërdrejt me ngjarjen, si dhe veprave të tjera, që kishin lidhje të tërthortë me to dhe që s’kishin lidhje, si p.sh veprave të kohës së luftës. Nganjëherë për një frazë, për një rikujtim, apo mendim të personazhit historik të veprës, shkrimtarit i duhet të studiojë e të kërkojë shumë. Natyrisht pa studimin e dokumentacionit arkival, realizimi i romanit ishte i pamundur.

Siç është lehtë të konstatohet, skena nga më të rëndësishme të romanit, dialogë dhe situata nga më dramatiket janë të bazuara në materialet e vëllimit të 19-të të veprave të shokut Enver. Një punë jo të vogël më është dashur të bëj me shfletimin e shtypit të kohës, gazetat, revistat, letrat nga populli, deklaratat e botuara në shtyp, rezoluta dhe telegrame të mitingjeve dërguar udhëheqjes së Partisë e të shtetit, etj, etj. Të gjithë këto më ndihmuan për të krijuar atmosferën e reagimit të madh popullor ndaj ngjarjes. Po kështu tepër të rëndësishme e të frytshme ishin për mua bisedat e hollësishme me shokë të ndryshëm që kishin marrë pjesë në punime të Mbledhjes së Moskës si përkthyes ose ndihmës të delegacionit të Partisë sonë.

Një gjë positive që më ndihmoi për të ringjallur skenat në kryeqytetin sovjetik ishte fakti që unë e njihja Moskën, rrugët dhe sheshet e saj, njerëzit rusë si edhe ambjentet e Kremlinit ku u zhvillua Mbledhja e 81 partive. Në këto ambjente më kishte qëlluar rasti të gjendem si dëgjues në një Kongres të Bashkimit të shkrimtarëve sovjetikë. Një ndihmë të veçantë për të rikrijuar atmosferën, më dha udhëtimi në SHBA dhe prania në një kongres botëror të OKB-së më 1970. Megjithëse ishin ngjarje të ndryshme, dhe me proporcione fare të pakrahasueshme, mua si krijues, duke qenë pjesëtar në një delegacion politik të vendit tim, që ndodhej në një pozitë të hapur përballë vendeve borgjeze e revizioniste, kjo ngjarje më dha “shijen” e ndeshjes, atë atmosferë të veçantë që krijojnë skenat e përballimit të drejtpërdrejtë, të reagimit të dëgjuesve, të vazhdimit të reagimit të dëgjuesve nëpër korridore, në kuluare. Ngjarja e Moskës ishte qindra herë më e fuqishme dhe dramatike se ndeshja në OKB. Në krahasim me këtë të fundit ajo ishte si druri shekullor me një degë të vet, prandaj unë si krijues bëja përpjekjet e nevojshme që t’i afrohesha me anë të imagjinatës toneve madhore të saj.

Shkrimi i romanit ishte faza e tretë e punës. Natyrisht që gjatë këtij procesi tepër të rëndësishëm shkrimtarit i qëllon të bëjë ndryshime të ndjeshme nga plani i parë i veprës. Shumë nga personazhet, episodet, ç’vendosen, modifikohen, plotësohen ose eliminohen fare, duke ua lënë vendin linjave dhe personazheve të rinj, që i kërkon drama. Të gjitha këto janë të ngjashme për çdo krijues dhe të gjitha këto kanë ndodhur edhe gjatë punimit të romanit “Dimri i madh”. Shkrimi i një romani polifonik, siç është kjo vepër, është përveç të tjerash edhe një shkollë për krijuesin. Gjatë procesit të punës mbi të, krijuesi është i detyruar të përpunojë lloj-lloj mënyrash për të dhënë sa më besnikërisht, kompleksitetin e përmbajtjes. Ai zbulon, verifikon, modifikon dhjetra e dhjetra sekrete të vogla e të mëdha të mjeshtërisë, merret me ditë të tëra me to në laboratorin e tij krijues, duke u përpjekur që nga moria e tyre të zgjedhë  e të përdorë ato që për veprën e dhënë janë më efikase. Këtu dua, të përsëris se metoda jonë e realizmit socialist edhe në çështjet e mjeshtërisë e të formës i hap horizonte të pakufishme shkrimtarit. 

Në mbyllje të këtij shkrimi dëshiroj të theksoj se  epoka e socializmit në Shqipëri është e mbushur plot me tema madhore dhe orientimi i Partisë që shkrimtarët tu drejtohen sa më shumë këtyre temave duhet të jetë akoma më shumë në qendrën e vëmendjes sonë. Vitet e para të çlirimit, atëherë kur u hodhën themelet e shtetit të ri të punëtorëve e të fshatarëve në Shqipëri, ndeshjet e para të Partisë sonë me tradhëtarët revizionistë, qysh në atë kohë, reforma e madhe agrare, shtetëzimet, më vonë kolektivizimi, brezat e njerëzve tanë në jetën e tyre të përditshme, e pleksur kjo me jetën e Partisë e të shtetit, e gjer te ndeshja e fundit e Partisë sonë me tradhëtinë kineze, në kuadrin e  historisë botërore të proletariatit, të gjithë këto e të tjera momente si këto janë një thesar i pashtershëm për shkrimtarët e artistët tanë.

Trajtimi i tyre ka një vlerë të madhe edukuese për njerëzit tanë, ndihmon popullin e Partinë në luftën për socializmin e revolucionin; nga ana tjetër edhe vetë zhvillimin e letërsisë dhe arteve, zgjeron përmasat e tyre, u jep frymëmarrje e u hap horizonte të reja, duke i bërë kështu më të vërteta e më të dashura për popullin.

 
 Shkrimi u publikua sot (5.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar