TIRANË  - Kryeprokurori Adriatik Llalla ka folur për herë të parë për reformën në drejtësi duke kritikuar ndryshimet e propozuara në lidhje me institucionin e akuzës.

...
Prokurori i Përgjithshëm shpreh rezerva për procesin e ndjekur deri në hartimin e draftit për reformimin e sistemit të drejtësisë, duke thënë se ka mungesë konsultimi me prokurorët.
 
Në një takim konsultativ me krerët e prokurorive të rretheve e Apeleve dhe ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani, kryeprokurori Lllalla pohoi nevojën për reformim që ka sistemi i drejtësisë, por theksoi se drafti i përgatitur nga ekspertët e nivelit të lartë ishte i nxituar. Ai tha se vetë prokurorët do të përgatisin një draft të tyrin sa i përket funksionimit të Byrosë së Hetimit që krijohet si pjesë e kësaj reforme kyçe për integrimin e vendit në BE

"Prokuroria Shqiptare, në takimin paraprak që ka zhvilluar me ekspertët e Komisionit të Venecias, ka prezantuar qëndrimin e saj. Synimi ynë bazohet në të paktën dy pika të rëndësishme; së pari : të forcohet roli i prokurorit në hetimet penale, duke i dhënë kompetenca të plota mbi policinë gjyqësore; dhe së dyti : forcimin e mekanizmave të kontrollit mbi aktivitetin e prokurorit", tha Llalla.

Gjatë fjalës së tij Llalla kërkoi nga vartësit që të angazhohen për pastrimit e radhëve të akuzës nga të korruptuarit duke sjell si shembull arrestimet e prokurorit Haxhi Giu dhe Petrit Vukaj.

"Këto raste janë dëshmi që në sistemin e drejtësisë ka elementë të përfshirë në veprime korruptive dhe ne kemi aftësinë për t’u vetëpastruar. Kërkoj nga ju të përcillni mesazhin që prokurorët që nuk respektojnë Kodin e Etikës të prokurorit do të largohen nga radhët tona. Arrestimi i kolegëve tanë, dënimi i ish-drejtorit të Prokurorisë së rrethit Pukë, tregon se ne kemi vullnetin e duhur brenda radhëve tona për të luftuar korrupsionin. Nuk do të tolerohet asnjë rast abuzimi me detyrën", u shpreh Llalla.

Këto qëndrime kritike Llalla i mbajti 3 ditë pas opinioneve të Komisionit të Venecias.

Prokurori i Përgjithshëm theksoi në vijim se "Prokuroria Shqiptare do të vijojë të japë kontributin e saj në hartimin e draftit për Reformën në Drejtësi”, duke kërkuar njëkohësisht që "institucionet e drejtësisë, përfaqësuesit e saj me përvojë, duhet të jenë pjesë aktive e formulimit të dispozitave që kanë qëllimin pozitiv të forcimit të sistemit të drejtësisë”. 

Duke i cilësuar si njohës të problemeve të vërteta të sistemit të drejtësisë, në të njëjtën linjë me Llallën edhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani tha se prokurorët duhet të pyeten për reformën.
 
"Përkrah forcimin e rolit të prokurorisë që në fazat e hershme të hetimit.Biseduam me kryeprokurorin Llalla për problemet e sistemit, pasi prokurorët dinë problemet e këtij sistemi si çdo banor që dinë ku i pikon çatia. Duhen pyetur dhe prokurorët për reformën", tha Manjani.
 
Ministri përfundoi duke thënë se ky është viti i parë që janë bërë arrestime të personave publik si asnjëherë më parë. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)