Qeveria e Shqipërisë do të mbështesë financiarisht 10 idetë më bindëse për realizimin e ëndrrave, që do të paraqesin të rinjtë. Kryeministri Edi Rama i inkurajoi të rinjtë që do të paraqesin projekte. “Walt Disney thoshte: dallimi mes ëndrrës dhe projektit është afati”, shkruan Rama në rrjetin social “Facebook”.

Unë besoj, shkruan ai, se çdo ëndërr që njeriu ka, me sy hapur jo me sy mbyllur, është e realizueshme. “Por sigurisht sa më e madhe ëndrra, aq më e madhe përpjekja për t’ia dalë. Dhe për t’ia dalë është ta projektosh ëndrrën ashtu siç duhet e ta ndjekësh projektin tënd me kurajo e vendosmëri. Sot po ju prezantoj një aplikacion për të bërë realitet dhjetë ëndrrat më bindëse qe ju keni për këtë vit. Po natyrisht, ato duhet të jenë edhe të artikuluara bindshëm përmes një projekti”, vijon Rama.

Afati për të kërkuar financim për projektin është 28 shkurti. Në mars do të shpallen 10 ëndërrimtarët apo grupet e ëndërrimtarëve, të cilët i kanë kthyer në 10 projektet me interesante për financim, ëndrrat e tyre. “Kurajo miq, mos e harroni asnjëherë se ku ka një ëndërr dhe një vullnet të fortë, ka gjithnjë një rrugë për t’ia dalë”, shkruan Rama.
Kush është gjimnazist, student apo i ri deri në moshën 30-vjeçare dhe ka nevojë për mbështetje për të bërë realitet një ëndërr në vitin 2015, mund të marrë pjesë tek Ëndrra Ime për Vitin 2015. 

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)