Një 'furtunë ka përfshirë ditën e sotme Prokurorinë e Përgjithshme, ku Kryeprokurorja Arta Marku ka nënshkruar një sërë ndryshimesh në radhë drejtuesish. Report Tv ka mësuar se janë larguar nga detyra disa drejtues të Prokurorive në rrethe, siç është ai i Elbasanit, Dritan Gina, i cili do të kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është emëruar.

Gina do të zëvendësohet nga prokurori Ardjan Nezha, i cili nga dita e sotme merr çelësat e Prokurorisë së Elbasanit. 

Ndryshimet kanë prekur dhe Prokurorinë e Fierit, e cila nga sot do të drejtohet nga prokurori Fatmir Lushi, duke zëvendësuar në këtë detyrë prokurorin Pali Deçolli, si dhe Prokurorinë e Kukësit, ku Marku largon drejtuesin Artur Ismailukaj, duke e zëvendësuar me prokuroren Alketa Nushi.

Njoftimi i plotë:
Në kuadër të riorganizimit, mirëfunksionimit të organit të akuzës, rritjes së performancës dhe besueshmërisë së publikut tek ky institucion, Prokurori i Përgjithshëm, znj. Arta Marku nënshkroi ndryshimet si më poshtë:

Duke filluar nga dita e sotme, datë 09. 01. 2018,

- Z. Dritan Gina, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është i emëruar;
- Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, caktohet prokurori, z.Ardjan Nezha.
- Z. Pali Deçolli, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është i emëruar;
- Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, caktohet prokurori, z.Fatmir Lushi.
- Z. Artur Ismailukaj, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është i emëruar;
- Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, caktohet prokurori, zj.Alketa Nushi.

Ndërkohë, menjëherë pas vendimit të kryeprokurores Arta Marku erdhi dhe reagimi i parë nga radhët e të larguarve. Ishte drejtuesi i Elbasanit, Dritan Gani, i larguar nga Marku, i cili reagoi ashpër për vendimin e kryeprokurores, duke deklaruar se refuzon të largohet nga detyra. Gani e cilësoi të pa bazë dhe të paligjshëm vendimin e Markut për largimin e tij, duke thënë se nuk do ta lërë detyrën, nëse Marku nuk bazohet në prova e fakte.

d.c./shqiptarja.com