Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për tre ish-zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të cilët u ndaluan me urdhër të Prokurorisë më 13 shkurt si të dyshuar se kanë rritur koston me 75.8 milionë lekë të reja mbi koston fillestare duke mundësuar përfitime individuale nga ky projekt.

Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzën për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimit të dokumentave…”, në zhvillimin e procedurave të prokurimit publik për projektin e kamerave dhe instalimin e tyre në Tiranë në vitin 2010, ndaj 3 ish-zyrtarëve të policisë.

Pas urdhrit nga Prokuroria e Tiranës janë ndaluar më 13 shkurt Kol Kukaj me detyrë ish shef i sektorit të Prokurimeve, Agim Hysko ish specialist i Sektorit të Prokurimeve dhe Besjana Martini ish Juriste e Sektorit të Prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Prokuroria: Tre ish-zyrtarët kanë kryer procedura fiktive
Sipas prokurorisë rezulton se anëtarët e Komisionit të Negocimit të realizimit të procedurës për “Instalim i sallës operative dhe sistemit të kamerave të qytetit të Tiranës”, me fondin prej 165.000.000 lekësh, të vëna në dispozicion të Policisë së Shtetit nga buxheti i shtetit”, tre zyrtarët kanë kryer procedura fiktive, pasi tenderi është realizuar pasi kishte përfunduar marrja e shërbimit.
 
Masat dhe arsyetimi i Gjykatës për vendimin
Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, Gjykata vlerësoi se provat e administruara nga Prokuroria e Tiranës deri në këtë fazë të hetimit janë të mjaftueshme për të vendosur masë sigurie ndaj këtyre personave.

Ndërsa për llojin e masës së sigurisë, gjykata vendosi:
Për Kol Kukajn, masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, pasi nga gjykata u administruan nëpërmjet mbrojtjes dokumenta se një familjar i afërt i këtij shtetasi vuan nga sëmundje që kërkon praninë e tij të vazhdueshme.

Për Agim Hyskon, masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, pasi nga gjykata u administruan nëpërmjet mbrojtjes dokumente se vuan nga sëmundje, e cila kërkon kujdesje të vazhdueshme jashtë ambienteve të paraburgimit.

Për Besjana Martinin, masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, pasi Prokuroria kërkoi këtë masë në gjykatë.

Kamerat, Tahiri kërkoi hetim që në prill 2014
Në lidhje me kamerat e sigurisë, Saimir Tahiri ka dërguar në prill 2014 në Prokurori dosjen e tretë penale ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe zyrtarëve të tjerë të ministrisë dhe strukturës së policisë.Periudha kur është konkretizuar ky megatender në Policinë e Shtetit, përkon me kohën kur ministër i Brendshëm ishte Lulzim Basha, kryetari aktual i Partisë Demokratike. Kamerat e sigurisë, hetim tenderit 3.9 mld lekë në kohën e Bashës

Tre ish-zyrtarët të përfshirë edhe në kallzime të tjera
Kol Kukaj, Agim Hysko dhe Besjana Martini janë të përfshirë edhe në kallëzimin penal dhe gjobitjen ndaj ish drejtorit të policisë së shtetit Hysni Burgaj për shkelje të ndryshme administrative në lidhje me tendera dhe blerje të ndryshme të realizuara nga Policia e Shtetit për gjatë periudhës së 8 viteve të qeverisjes së djathtë ku tre zyrtarët ishin anëtarë të komisioneve të vlerësimit të ofertave. Kallëzim Burgajt, 3.1 milionë $ abuzime me spotet televizive

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)