'Manipulimi',20 mijë komisionerë
të PD rrëzojnë alibinë e Berishës 

'Manipulimi',20 mijë komisionerë<br />të PD rrëzojnë alibinë e Berishës 
Mbyllen ankimimet për zgjedhjet e 25 Qershorit. Mbi 20 mijë komisionerë të Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane, në të gjitha komisionet e administrimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit 2017, hedhin poshtë alibinë ish-kryeministrit Sali Berisha dhe pasardhësit të tij politik, Lulzim Basha, për tjetërsimin e votës së qytetarëve shqiptarë.

Të besuarit e opozitës në qendrat e votimit dhe grupet e numërimit të votave nuk konfirmojnë asnjë pretendim të humbësve të zgjedhjeve, për tjetërsimin e votave, sidomos gjatë procesit të numërimit. Dy javë pas disfatës më të rëndë në karrierën e tyre politike, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, po tentojnë të justifikojnë humbjen në sytë e demokratëve, duke ndërtuar një alibi për humbjen e radhës, të shtatën që nga zgjedhjet lokale të 2011.

Berisha ka kërkuar hapjen e kutive të votimit në Qarkun e Tiranës dhe në të gjitha qarqet e tjera, me pretendimin se votat janë tjetërsuar gjatë procesit të numërimit. Ndërsa Lulzim Basha shkon edhe më tej, teksa thotë se votat janë blerë para se Partia Demokratike të niste fushatën.

Pretendime të tilla, sidomos ai i Berishës, mbështeten edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe PDIU, të cilat së bashkua me PD do të jenë gjithashtu në opozitë për katër vitet e ardhshme.

Por, akuzat për vjedhje të votave duket se konsistojnë thjeshtë në strategjinë e re politike dhe në funksion të qetësimit të turbullirave të brendshme në parti, pasi pretendime të tilla nuk reflektohen në shënimet e komisionerëve të Partisë Demokratike apo edhe të LSI.

Anëtarët e grupeve të numërimit të PD-PR dhe përfaqësuesit e tyre në KZAZ e përkatëse, nuk kanë shënuar asnjë pasaktësi në procesverbalet e konstatimit për procesin e numërimit të votave.

Në kushtet kur disa përfaqësues të PD kanë hedhur dyshime për blerjen e numëruesve të tyre, puna korrekte e numëruesve të opozitës konfirmohet edhe nga vëzhguesit e Partisë Demokratike, të cilët nuk kanë njoftuar për asnjë mospërputhje apo parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave apo edhe procesit të votimit. Numërimi i votave në përputhje me ligjin është reflektuar edhe në numrin e paktët të ankesave të subjekteve zgjedhore për rezultatin e zgjedhjeve. 

PD vetëm një ankesë 
Pavarësisht pretendimeve të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për manipulimin e zgjedhjeve, Partia Demokratike ka paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vetëm një ankesë, ku konteston tabelën përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve për Qarkun Berat. Përfaqësuesit ligjorë të PD nuk kanë ngritur asnjë pretendim tjetër në asnjë qark tjetër të vendit. Lajmi është konfirmuar nga vetë kryetari i KQZ, Klement Zguri, i cili njoftoi edhe fundin e afatit për të kontestuar rezultatin e zgjedhjeve. Ndërkaq, tezës së manipulimit të votave nuk i besojnë as 100 funksionarë të lartë të Partisë Demokratike, të cilët kanë identifikuar Lulzim Bashën dhe rrethin e tij si përgjegjës për humbjen. 

Skadon afati për ankesat 
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, deklaroi dje se tabelat përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve nuk mund të kontestohen më.

“Ditën e hënë u mbushën 5 ditë nga shpallja e vendimit të fundit të KQZ-së për miratimin e Tabelave Përmbledhëse të Rezultatit. Subjektet zgjedhore deri dje kanë pasur të drejtën e ankimit po në KQZ kundër vendimeve për secilin qark. Subjektet kishin të drejtën të kërkonin ndryshimin e Tabelave Përmbledhëse të Rezultatit sipas qarqeve ose/dhe pavlefshmërinë e rezultatit në një apo më shumë qendra votimi. Këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë, Partia Demokratike, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Berat, si dhe Partia Socialiste e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë. Tabelat përmbledhëse të rezultateve për qarqet e tjera, nga sot nuk mund të kontestohen më”, tha Zguri. Ai shtoi se asnjë subjekt elektoral nuk ka paraqitur kërkesë për deklarimin e pavlefshëm të rezultatit në ndonjë qendër votimi. “Kërkesa të tilla, nga sot nuk mund të depozitohen më. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do procedojë me shqyrtimin e këtyre kërkesave ankimore, përpara se të përmbyllë këtë fazë të procedurave të veta administrative. Afati ligjor i përcaktuar për këtë qëllim është jo më i gjatë se 10 ditë nga data kur është regjistruar ankimi përkatës. Kjo procedurë do përmbyllet brenda datës 20 korrik”, tha Zguri. 

Faza tjetër 
Zguri tha se për tre ankesat e PS, PD dhe PDIU fjalën e fundit do ta ketë Kolegji Zgjedhor.

Përfitoj nga ky komunikim publik, për të tërhequr vëmendjen për një çështje tjetër tejet të rëndësishme. Shqyrtimi administrativ i ankimimeve nga KQZ-ja nuk ezauron gjithë problematikën e këtyre zgjedhjeve. Procesi, me gjasë, do investojë dhe Kolegjin Zgjedhor, tek drejtësia e të cilit KQZ mbështetet plot besim. Por procesi ka regjistruar incidente dhe shkelje të natyrave të tjera, të cilat kërkojnë reagimin e përgjegjshëm edhe të institucioneve të tjera. Task Forca e ngritur nga Këshilli i Ministrave për monitorimin e Zgjedhjeve 2017 apo Departamenti i Administratës Publike, janë marrë gjerësisht me problematikën e zgjedhjeve, kanë bërë konstatime, kanë ndërhyrë dhe kanë nisur procedura hetimi administrativ. Është momenti që këto organizma të bëjnë publike rezultatet e punës së tyre”, pohoi kreu i KQZ. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

“Galaktikët” gati për sezonin e ri, Yamal-Mbappe gati për të marrë skenën

“Galaktikët” gati për sezonin e ri, Yamal-Mbappe gati për të marrë skenën