Ministri Tahiri e quajti këtë nismë të munguar në këto 20 vite, si të domosdoshme për krijimin e një bashkëpunimi sa më të mirë të policisë së shtetit me qytetarët dhe mundësinë shumë të mirë për luftën ndaje krimit.
Policia e Shtetit ka çelur konkursin për punësim në zyrat e shërbimit të qytetarëve, ndërsa pritet që Policia e Tiranës të rekturojë dhe numrin më të madh të administratës civile. Në fjalën e tij, ministri u bëri thirrje të gjithë të rinjve të cilët kanë përfunduar studimet e larta të bëhen pjesë e këtij konkursi. Ai tha se të rinjtë e përzgjedhur do të trajnohen për komunikimin që duhet të kenë me qytetarët. Trajnimi i te rinjve per keto vende do te behet ne bashkepunim me Raiffaisen Bank.
Gjithashtu, ai bëri të ditur edhe reformimin dhe ndryshimet që do të pësojë operatori i shërbimit telefonik 129, ku sipas Tahirit deri tani ka pasur shumë raste kur përgjigja në 129 ishte jo etike, jo e duhura dhe jo në kohë. Tahiri është shprehur se edhe në këtë drejtim do të bëhet një reformim tërësor që nga zyrat deri tek personat që do të punësohen në ofrimin e këtij shërbimi, të cilët gjithashtu do të jenë të rinj dhe të reja të trajnuar më së miri.
Ai i ka quajtur të gjitha këto ndryshime si shumë të nevojshme për të luftuar kriminalitetin, burokracitë apo informalitetin.
“Zyrat në Tiranë dhe në të gjitha rajonet dhe komisariatet në të gjithë Shqipërinë janë të nevojshme sepse lufta ndaj kriminalitetit kërkon bashkëpunimin e qeverisë me qytetarin. Ky bashkëpunim kërcënohet kur qytetari e ka të vështirë të bashkëpunojë me policinë. Policia sot jep edhe shumë shërbime të cilat janë administrative. Ne po marrim nisma ku qytetari trajtohet si klient dhe polici i shtetit si ai që i ofron shërbimin. Kjo nisëm e munguar për 20 vjet ne tashmë po e mundësojmë. Këto zyra do të jenë të shumta dhe do të mundësojnë eliminimin e korrupsionit. Ky është hartimi i një sistemi kompjuterik të dixhitalizuar. Ky sistem ndjek në mënyrë elektronike që nga kërkesa e qytetarit deri tek kthimi i përgjigjes. Dhe çdo vonesë për kthimin e përgjigjes identifikohet dhe do të dënohet. Vonesa shpesh është përdorur si pretekst për të nxitur korrupsionit. Në këtë mënyrë ne monitorojmë punonjësin e policisë që ti përgjigjet në kohë çdo qytetari dhe të identifikojmë rastet e korrupsionit. Kjo do të mundësojë edhe eliminimin fizik të kontaktit të punonjësit të policisë me qytetarin. Dhe kjo vjen në vazhdën e modernizimit. Ndaj ne morëm nismën ti heqim punonjësit e policisë nga kontakti me qytetarin dhe të trajnonim disa të rinj për ti punësuar në këto zyra. Do të jenë të rinj dhe të reja të edukuar dhe me gjuhë të huaj, të cilët kanë komunikim të duhur me qytetarët. Kjo fillon nga krijimi i platformës solide të besimit. Në këtë kuadër pilotojmë në drejtorinë e Tiranës përgjigjet ndaj telefonatat në 129. Përgjigja në numrin 129 ishte jo rrallëherë, jo etike, jo në kohe dhe jo e duhura. Ne po pilotojmë të rinjtë dhe të rejat edhe në këtë shërbim. Përtej reformimit të sallave të 129 dhe reformimit tërësorë të telefonatave ne po punojmë hap pas hapi reformimin në tërësi të këtij sistemi edhe me të rinj dhe të reja civil të cilët do të trajnohen edhe me këtë drejtim. Do ti vëmë në provë ata për të parë se cili duhet të jetë komunikimi konstant që duhet të mbajnë të rinjtë dhe të rejat në këtë shërbim. Lufta ndaj kriminalitetit duhet të kalojë nga lufta me burokracinë dhe informalitetin”, tha Tahiri.
Gjithashtu i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa. Në fjalën e tij Cipa duke u bëri thirrje të gjithë të rinjve të cilët kanë përfunduar studimet e larta që të aplikojnë për vendë pune në këto zyra, duke bërë të mundur më pas ofrimin e shërbimit “one stop shop” në polici. Çipa theksoi se qëllimi i këtij shërbimi është kthimi i besimit të qytetarëve tek forcat e policisë nëpërmjet komunikimit.
“Shpallim vendet vakante për aplikim të punonjësve civilë në zyrat për shërbimin e qytetarëve dhe të operatorëve 129. Policia e Tiranës pas krijimit të zyrave për shërbimin e qytetarëve po rivendos marrëdhënie të reja të ecur përpara sipas modelit “One stop shop”. Punonjësit e ri që do të shpallen fitues do të shpërbejnë në këto zyra ku do të kenë ne fokus shërbimin ndaj qytetarëve. Punonjësit e policisë që do të shërbejnë si operatorë pranë 129 thelbësore do të kenë sjelljen dhe komunikimin për të kthyer besimin tek qytetarët. Të rinjtë që kanë përfunduar studimet mund të aplikojnë në këto struktura për të rritur standardin dhe imazhin, për të plotësuar kërkesat e qytetarëve. Krahas punës së infrastrukturës për ambientet është punuar edhe për krijimin e akteve ligjore për funksionimin e këtyre zyrave”, tha Ardian Çipa.
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)