TIRANE- Një tentativë e mëtejshme për të përcaktuar përgjegjësitë deri në “kupolën” e Bankës së Shqipërisë për vjedhjen në Thesar, është ndërmarrë dje me nismë të anëtares së Këshillit Mbikëqyrës të këtij institucioni Ermelinda Meksi. Ishministrja në disa qeveri socialiste, e cila ishte deputete në Kuvend përpara se të kalonte në instancën drejtuese të BSH, ka propozuar dje që Këshilli Mbikëqyrës të ngarkonte me përgjegjësi guvernatorin Ardian Fullani për ngjarjen, duke e dërguar çështjen për pozicionin e mëtejshëm të tij në Kuvend, i vetmi institucion i shtetit shqiptar që mund ta shkarkojë atë.

Nga burime të brendshme mësohet se debatet në këtë mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit janë zhvilluar me dyer të mbyllura për tri orë. Sikurse pritej, të gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikëqyrës janë shprehur kundër propozimit të Meksit, duke lënë tani në dorë të vetë parlamentit shqiptar të ndërmarrë apo jo veprim për largimin e guvernatorit të BSH nga posti. Në këtë rast të fundit, do të mjaftonte nisma e 8 deputetëve që propozimi të hidhej në votë. Lajmi është përgënjeshtruar me ngut nga zyra e shtypit e BSH, e cila, megjithatë, ka pranuar zhvillimin e mbledhjes urgjente të Këshillit kushtuar masave për garantimin e funksioneve të emetimit të monedhës.

Deri tani, të gjithë politikanët, zyrtarët dhe institucionet nuk kanë munguar të deklarojnë se janë pro përcaktimit të përgjegjësive për ngjarjen e rëndë në çdo nivel drejtues të Bankës. Por, para së gjithash, “lobi” i përkrahësve të Fullanit në Këshillin Mbikëqyrës që mund të propozojë veprimin përkatës është dërmues. Vetë guvernatori u propozua dhe u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë për një mandat të dytë shtatëvjeçar si kandidat i qeverisë Berisha. Ndërkohë, ndër anëtarët e tjerë të Këshillit bëjnë pjesë këshilltari ekonomik i ish-kryeministrit Sali Berisha, Petraq Milo, apo Dhori Kule, rektor i Universitetit të Tiranës, i angazhuar në fushatën politike të Lulzim Bashës, etj.

Në këto kushte, nuk mund të pritej që rezultati i këtij propozimi të ishte i ndryshëm. Do të duheshin të paktën 4 vota pro propozimit të zonëjs Meksi, gjë që nuk ndodhi. Nga mazhoranca parlamentare deri tani nuk ka patur qëndrime të qarta lidhur me përgjegjësinë e vetë guvernatorit, ndërkohë që opozita është shprehur se ka qenë vetë institucioni që zbuloi ngjarjen, duke lehtësuar Fullanin nga akuzat. Ndërkohë, shumica e opinionit publik duket qartë se mendon ndryshe.
 
MEKSI
Në Facebook, anëtarja e KN Ermelinda Meksi ka shkruar dje sa vijon: “Në respekt të informimit publik për qendrimin tim në mbledhjen e sotme të Këshillit Mbikëqyres, me përgjegjësinë e anëtares së tij, kam kërkuar që, krahas detyrës për rishikimin e kuadrit rregullator që nxori ngjarja e rëndë në BSH, Këshilli Mbikëqyrës duhet të përdorë të gjithë instrumentat ligjorë të disponueshëm për adresimin e plote të përgjegjësive në gjithë strukturën e Bankës: nga Administratorët, Këshilli Mbikëqyrës, e deri te specialisti më i fundit.

Vetëm kështu mund t’i rikthehet besimi publikut se ngjarje të tilla nuk do përsëriten në të ardhmen. Pavarësia e një banke qendrore ecën paralel me përgjegjshmërinë e të zgjedhurve për drejtimin e saj. Kjo situatë ka vënë të gjithë strukturën e BSH para një sprove të vështirë që duhet përballuar me maturi e pjekuri”, shkruan ajo. Duke shtuar: “Për më shumë, në respekt të etikes dhe ligjit mund të shprehem vetëm para Kuvendit, si organi më i lartë i Sovranit që më ka zgjedhur. Sqarim: Deklaratatat dhe vendimet e Këshillit Mbikëqyrës bëhen me aprovimin e shumicës. Interesi i madh për këtë ngjarje dhe respekti për trasparencën dhe qartësimin e opinionit publik, brenda kuadrit ligjor dhe rregullativ, më obligoi për sa më sipër nëpërmjet medias sociale”.

Ligji për Bankën, Si largohet dhe kush e largon guvernatorin e BSH
Në Nenin 47 të ligjit për Bankën e Shqipërisë parashikohen rastet për shkarkimin ose dorëheqjen e guvernatorit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët, pezullohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave dhe shkarkohet nga Kuvendi Popullor, në qoftë se  është në pamundësi për të shërbyer në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim; është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar i falimentuar dhe nuk është rehabilituar; është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë dhe gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike.

Guvernatori mund të shkarkohet nga Kuvendi me propozim të shumicës së gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, kur ka munguar për dy ose më shumë herë në vazhdimësi në mbledhjet e radhës të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pa shkak të arsyeshëm; është në pamundësi fizike ose mendore për të mbuluar funksionet e ngarkuara; ose gjatë ushtrimit të detyrës ka shkelur rëndë etikën e punës dhe ka cenuar thellë interesat e Bankës së Shqipërisë.
Ndërkohë, sipas ligjit, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, mund të japë dorëheqjen duke njoftuar me shkrim përpara jo më pak se tre muajve Kuvendin. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)