Por ne nuk mund të mbetemi peng i një opozitë që nuk e do këtë reformë. Ne sovrani na ka dhënë votën për të bërë këtë reformë, madje po të jetë e nevojshme ne mund t’i drejtohemi sërish atij për një referendum për miratimin e reformës territoriale”, deklaroi Fino, gjatë seancës dëgjimore me përfaqësues të organizatave jofitimprurëse dhe shoqërinë civile. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe anëtari i këtij komisioni dhe kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. “Opozita i ka vendet e saj në Kuvend, por ne nuk mund ta edukojmë dhe detyrojmë që të vijë këtu dhe të bashkëpunojë me ne për realizimin e reformës”, -tha Vasili. Gjatë ditës së djeshme, komisioni ka pasur senacë dëgjimore me përfaqësues të organizatave jofitimprurëse dhe shoqërinë civile, ku janë paraqitur projekte dhe ide për mënyrën se si duhet realizuar kjo ndarje territorjale.
Ish-kryeministri socialist, Ylli Bufi, në cilësinë e kryetarit të ekspertëve të “Shtetiweb”, ka propozuar që vendi të ndahet në 88 njësi vendore dhe 5 qarqe. Sipas Bufit, ndarja mes njësive vendore duhet të bëhet në tre grupe ku të përfshihen si efiçente 38 bashki dhe 44 komuna, të ndërmjetme 19 komuna dhe 37 bashki dhe si inefiçente 8 bashki dhe 227 komuna. Bufi ka bërë të njëjtin sugjerim si më pare, që 5 qarqet e territorit të merrnin emërtim historik. Propozimi i Bufit sugjeron dy herë më shumë njësi vendore nga propozimi i bërë nga qeveria dhe kjo sipas ish-kryeministrit ndodh për shkak se reduktimi i njësive vendore do të krijonte probleme në administrimin e tyre. “Shtetiweb” përfshin në rajonin e Shkodrës(qarkun Shkodër, Lezhë dhe Kukës), në rajonin e Arbrit(qarkun Dibër,Tiranë, Durrës dhe rrethi Kurbin, në rajonin Elbasan-Korçë(qarkun Elbasan, Korçë), rajonin e Muzakajve(qarku Fier,Berat) dhe në rajonin e Kaonëve(qarku Vlorë, Gjirokastër).
Edhe studimi i “CO Plan” ka qenë i fokusuar në çështjen e qarqeve duke u bazuar edhe në studimin e tij në qarkun e Shkodrës. Sipas relatorit të “Co Plan”, Dritan Shutina, vendi duhet të ndahet në katër qarqe të cilat të kenë lidhje historike, ekonomike dhe kulturore ose mund të shihet edhe mënyra e ndarjes me 6 qarqe ku si kriter bazë të merren basenet dhe lumenjtë. Një këndvështrim tjetër në lidhje me ndarjen territoriale ka propozuar “Programi Zvicerian”, ku sipas tyre vendi duhet ndarë në zona funksionale. Sipas studimit të bërë nga kjo organizatë në 5 qarqe të vendit, rezulton se krijohen 18 deri në 24 njësi funksionale.
Disktutimet në lidhje me reformën territoriale janë zhvilluar edhe gjatë pasdites ku diskutimi ka vazhduar edhe gjatë mbasdites ku përfaqsuesit e OJF-ve paraqitën pikpamjet e tyre në lidhje me mënyrën e ndarjes së re territoriale. Opozita edhe ditën e djeshme nuk ka marrë pjesë në komision, ndërsa kryetari i Komisionit Fino, ka njoftuar se nga data 15-20 maj qeveria nëpërmjet ministrit për Çështjet Vendore, Bledi Çuci, do të bëjë prezantimin e varianteve paraprake të hartës së re administrative sipas qeverisë duke pritur sugjerime dhe marrë konsulta për të dalë me një hartë përfundimtare të ndarjes administrative-territoriale.
Shkrimi u publikua sot 3 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)