'Thesari', FMN: Incident i rëndë
bordi para ligjit në rast implikimi

'Thesari', FMN: Incident i rëndë<br />bordi para ligjit në rast implikimi
“Skandali i vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë është një incident i rëndë” Kështu e ka cilësuar përfaqësuesi i ri i Përhershëm i FMN-së në Tiranë, Jens Reinke, në një dalje të tij të parë për mediat në Shqipëri  ka folur për revistën “Monitor” lidhur me vizitën që misioni i FMN-së po zhvillon aktualisht në Tiranë.

Në fjalën e tij Reinke thekson se duhet të jetë hetimi ai që do të përcaktojë përgjegjësit, ndërsa shprehet se në rast të implikimit të Bordit drejtues të BSH në vjedhje, i takon autoriteteve shqiptare për ta trajtuar në përputhje me ligjin.

“Ky është një incident i rëndë: Është e rëndësishme që të lejohet që hetimet aktuale të bëjnë punën e tyre. Kur faktet të jenë të njohura dhe gjithnjë nëse ka implikime për Bankën e Shqipërisë, drejtuesit e saj dhe bordin – është çështje e autoriteteve shqiptare që ta trajtojnë në zbatim të plotë të ligjit.” tha Reinke
 
Më poshtë intervista e plotë e Jens Reinke:

Cili do të jetë qëllimi i misionit t FMN-se që ka mbërritur në Tiranë? 
Si pjesë e programit me Shqipërinë, një skuadër e FMN-së viziton periodikisht Tiranën për të shqyrtuar progresin në zbatimin e angazhimeve të marra dhe për të diskutuar politikat e ardhshme. Si pjesë e diskutimeve për të ardhmen, në axhendë janë dhe diskutimet për buxhetin e vitit 2015. Nëse progresi i kohëve të fundit është i përshtatshëm, atëhere marrëveshja për politikat që do të ndiqen në të ardhmen mund të arrihet dhe më pas skuadra e FMN-së do t’i rekomandojë Bordit të FMN-së miratimin e rishikimit të dytë të programit, dhe do të lëvrohet transhi i tretë të kredisë së Fondit të Zgjeruar (EFF). 

Qeveria është në fazën e parë të hartimit të buxhetit të vitit 2015. Cilat do të ishin rekomandimet tuaja dhe sa është probabiliteti që të kalohet në skenarin B të rekomanduar nga ju (që përfshinte rritje të disa taksave dhe shtrenjtim të energjisë)?

Më duket se ka një keqkuptim të vjetër lidhur këtë, por më lejoni të theksoj se nuk ka “plan B”. Zhvillimet fiskale, përfshirë të gjithë zërat e të ardhurave dhe të shpenzimeve si dhe angazhimet për të ardhmen diskutohen gjatë çdo misioni. Politikat janë nën rishikim të vazhdueshëm dhe nëse duhen bërë ndryshime, ato bazohen në faktet më të fundit dhe jo në ndonjë skenar alternativ të hartuar më parë. 

Buxheti i 2015 duhet të lejojë një reduktim të vazhdueshëm të borxhit publik, duke i mundësuar qeverisë të investojë dhe të kryejë shërbime, si dhe të sigurojë një fluks të qëndrueshëm të ardhurash. Kjo do të duhet të arrihet pa akumuluar detyrime të prapambetura të reja. Parashikimet për të ardhurat do të bazohen në parashikimet më të fundit makroekonomike. Rregullime si për planet e shpenzimeve ashtu dhe për taksat do të diskutohen. Në fund fare, qeveria vendos të zgjedhë ndërmjet masave. 

Para një muaji, në Bankën e Shqipërisë u zbulua vjedhja e 713 milione lekëve, duke sjellë një reagim të ashpër kryesisht nga shoqëria civile për mbajtjen e përgjegjësisë direkte nga guvernatori. Cili është qëndrimi i FMN-se. Si i gjykoni rekomandimet e kryetarit të Komisonit të Ekonomisë për ndryshime në ligjin e Bankës së Shqipërisë? 

Ky është një incident i rëndë. Ne jemi informuar se Banka e Shqipërisë dhe agjenci të tjera vendase janë duke marrë masa për t’i shkuar deri në fund zbulimit të asaj që ka ndodhur. Është e rëndësishme që të lejohet që hetimet aktuale të bëjnë punën e tyre. Kur faktet të jenë të njohura — dhe gjithnjë nëse ka implikime për Bankën e Shqipërisë, drejtuesit e saj dhe bordin – është çështje e autoriteteve shqiptare që ta trajtojnë në zbatim të plotë të ligjit. 

Ligji i Bankës së Shqipërisë i ka shërbyer vendit mirë duke siguruar që BSH të marrë vendime profesionale lidhur me menaxhimin makroekonomik dhe të stabilitetit financiar, përfshirë këtu gjatë periudhës së vështirë të krizës globale të vitit 2008 dhe më vonë kur sistemi bankar ishte i ekspozuar ndaj presioneve të jashtme. Në të njëjtën kohë, veprime që e forcojnë më tej ligjin e bankës qendrore në raport me mandatin e saj kryesor dhe veprimtarinë operacionale, duke ruajtur pavarësinë e bankës qendrore, do të ishin të mirëpritura. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Prokuroria e Kukësit kërkon konfiskimin e pasurive të të dënuarit për drogë në Itali

Prokuroria e Kukësit kërkon konfiskimin e pasurive të të dënuarit për drogë në Itali