TIRANE - 15 dëshmitarët okularë të shoqëruar në atentatin e mbrëmshëm në Rrugën e Kavajës ndaj të riut nga Bulqiza Shkëlzen Leka kanë thënë se teksa qëllonte, vrasësi ishte i qetë dhe i maskuar. Aktualisht hetimet nga Policia e Tiranës janë fokusuar në një vrasje për hakmarrje dhe konfliktet që prej 4 vitesh rezultonte të kish viktima me rivalë të biznesin e kromit në qytetin verior, përfshi edhe Gjin Nikën të vrarë në Prill të këtij viti.

...
Konflikti i bandave të kromit në Bulqizë është pista kryesore e hetimit për vrasjen me tetë plumba të Shkëlzen Lekës në Tiranë, i njohur si dëshmitari kyç në çështjen kundër të fortit të Bulqizës, Gjin Nika, i cili mbeti i vrarë në vitin 2013 nga autorë ende të paidentifikuar për policinë.
 
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në kryeqytet rreth orës 19:00 pranë “Rrugës Kavajës”, teksa 38-vjeçari ka qenë i ulur në një bar-kafe. Në lokal ka hyrë një djalë në moshë të re dhe ka shkrehur mbi të plot  8 plumba, të cilët e kanë kapur në kokë dhe në trup. I riu, i cili ka pasur të veshur një bluzë me kapuç, ka dalë jashtë dhe duke përfituar nga errësira është larguar drejt pallateve të rrugës “Islam Alla” me një motor “Papaq”, ku e priste bashkëpunëtori i tij. Ndonëse i riu u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës, nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra, duke ndërruar jetë pa hyrë në sallën e operacionit.

Policia shoqëroi menjëherë gjithë dëshmitarët okularë në vendngjarje dhe rreth 15 persona të tjerë, të cilët mund të japin të dhëna të vlefshme për hetimin dhe identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Deri në këto momente grupi hetimor nuk ka mundur të identifikojë autorin e ngjarjes paçka se nga dëshmitë e personave dhe disa fragmenteve filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë rezultojnë dy persona që lëvizin në rrugën “Islam Alla” me motor.

Hetimet po kryhen njëherazi dhe me policinë e Dibrës ku prej mbrëmjes janë kryer kontrolle në një sërë banesash dhe 6 të rinj me njohje me Shkëlzen Lekën janë marrë në pyetje.

Pista e hetimeve: Hakmarrje e grupeve kriminale në biznesin e kromit
Burime për A1Report nga grupi hetimor dhe Strukturat për Krimet e Rënda në Policinë e Tiranës thanë se nga mënyra e atentatit dhe sasia e plumbave të derdhur mbi Lekën, dyshimet janë të forta se vrasja lidhet me hakmarrjen. Të njëjta burime shpjeguan se nuk përjashtohet pista e konflikteve në grupet kriminale që kontrollojnë biznesin e kromit në Bulziqë, ku ndërmjet bandave ku bënte pjesë Shkëlzen Leka dhe ish i forti i Bulqizës Gjin Nika përplasjet vazhdojnë prej 4 vitesh.

Leka, rivali i Gjin Nikës
Ekzekutimi i mbrëmshëm në mes të Tiranës, çon hetuesit në përplasjet e përgjakshme për kromin në minierat e Bulqizës. Janë të shumta viktimat e asaj përplasjeje, ndërsa sipas dyshimeve të para, ekspertët e policisë së Tiranës dyshojnë se ndaj Lekës të kenë qëlluar ‘ushtarët’ e Gjin Nikës, që njihej ndryshe si “kapoja i periferisë së Tiranës. Ky i fundit ra në një pritë të ngritur në Urën e Tapizës me 3 prill të këtij viti.

Policia e Durrësit dhe as e Tiranës nuk zbuluan kurrë autorët e atij atentati, ndërsa u fol se Nika ishte i dyshuar për të paktën tri vrasje, më të fundit të Hasan Taljas, por edhe për të Qerim Markut, viktima këto që ishin përplasur me Nikën për rivalitetin në minierat e Bulqizës. Nika, gjithashtu, u tha, po gjithnjë pas vdekjes se drejtonte një grup vrasësish me pagesë të cilët stërviteshin në zonën ku banonte Nika, në periferi të Tiranës, ndërsa Leka, arriti t’i dilte dëshmitar kundër në gjykatë, pasi shoku i tij, Gentian Kaçi i tha Gjykatës se Nika e kishte qëlluar me armë zjarri.
 
Nika, njihej si vrasës me pagesë, gjobëvënës dhe person që merrte haraç tek biznesmenët e kromit dhe dyshohet se pjesë e grupit të tij ishte edhe Leka.
 
policia naten me logo
(Në foto: Policia në vendngjarje) Foto të tjera

Shkëlzen Leka dhe “Far Westi” në Bulqizë
Emri i Shkëlzen Lekës është bërë i njohur edhe më herë, gjatë një shkëmbimi zjarri në orët e para të 25 shkurtit të vitit 2013, kur qyteti i Bulqizës ishte kthyer thuajse në ‘Far West’.

Dy banda rivale kishin hapur zjarr ndaj njëra-tjetrës nga dy makina. U tha se nuk kishte të plagosur, ndërsa policia një ditë më vonë bëri me dije se janë shpallur në kërkim Gentian Kaçi dhe Shkëlzen Leka. Madje, u tha se kishin qëlluar në ajër, por më pas u mësua se shkak ishin përplasjet e përgjakshme për kromin. Muaj më vonë, Shkëlzen Leka, do të dëshmonte kundër Gjin Nikës, në një proces gjyqësor, që në fakt Nika fitoi ndaj drejtësisë, por jo kundër rivalëve të tij, të cilët e ekzekutuan me breshëri kallashnikovi në Tapizë. Kaçi dhe Leka mësohet se ishin që herët në konflikt me Gjin Nikën dhe ‘ushtrinë’ e tij vrasëse dhe konflikti ishte gjeneruar nga kromi.

Deklarata e Ministrisë së Brendshme dhenë mbremjen e 5 Dhjetorit për ngjarjen
Në orën 18:42 minuta Salla operative e Policisë së Tiranës ka marrë njoftimin për një ngjarje kriminale të ndodhur në rrugën “Islam Alla”, në kryeqytet.

Menjëherë janë organizuar dhe dërguar shërbimet policore pranë vendit të ngjarjes, ku u konstatua dhe u morën masat për shoqërimin për ndihmë mjekësore, të të plagosurit Shkëlzen Leka, banues në Babru të Tiranës.

Një patrullë e Policisë e ka dërguar atë në spital, por 38-vjeçari ka ndërruar jetë pa hyrë në sallën e operacionit.

Ekspertët e kriminalistikës sekuestruan në vendngjarje mbi 8 gëzhoja pistolete dhe dëshmitë se autori i vrasjes që dyshohet me paramendim, ishte një person i maskuar.

Policia shoqëroi menjëherë gjithë dëshmitarët okularë në vendngjarje dhe rreth 15 persona të tjerë, të cilët mund të japin të dhëna të vlefshme për hetimin dhe po punon për identifikim e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
 
*Shkrimi u publikua fillimisht me 5 Dhjetor Ora 19:25 dhe u perditesua sot, 6 Dhjetor

Redaksia Online
(Gre.M/e.s/Shqiptarja.com)