'Xibraka', Apeli ul dënimet, ja sa
vite burg do vuajë Ermal Hoxha

'Xibraka', Apeli ul dënimet, ja sa<br />vite burg do vuajë Ermal Hoxha<br /><br>
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka ulur dënimet e grupit të ashtuquajtur “Xibraka”, pasi ka pranuar gjykimin e shkurtuar të kërkuar nga anëtarët e bandës në fjalë.

Më parë shkalla e parë e kësaj gjykate, e kishte refuzuar një kërkesë të tillë. Shkalla e parë e krimeve të rënda dënoi 9 anëtarët e bandës së kokainës me 105 vite burg, ndërsa Apeli i Krimeve të rënda ka vendosur dënimin e tyre në total me 63 vite burg, duke zbritur kështu jo pak por 38 vite nga dënimi i mëparshëm. 

Mes të dënuarve që përfiton ulje është edhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha. Nga 10 vite burg që dha shkalla e parë e krimeve, Ermal Hoxha dënohet përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burg. Ulje të dënimit kanë përfituar edhe dy kolumbianët Cesar Avila dhe Valter Moreno nga 12 në 8 vite burg. Ndërsa për Genc Xhixhës, në arrati, i cili dyshohet si koka i grupit të kokainës i janë zbritur rreth 5 vite burg, duke u dënuar me 8 vite e 8 muaj nga Gjykata e Apelit.  

Dënimet janë të mëposhtmet:

1. Ermal Hoxha - 6 vjet e 8 muaj

2. Ilir Hyseni - 8 vjet

3.  Cesar Avila - 8 vjet

4. Valter Moreno - 8 vjet

5. Genci Xhixha - 8 vjet e 8 muaj (në mungesë)

6. Gentian Gjonaj - 7 vite e 8 muaj 

7.  Kelmend Dalipi - 7 vite e 4 muaj

8. Sajmir Batku - 8 vite e 8 muaj

9. Arjan Dalipi - 7 vite e 4 muaj

Dënimet e mëparshme të shkallës së Parë kishin qenë:

13 vite burg për Genci Xhixhën

10 vite burg për Ermal Hoxhën

12 vite burg për Ilir Hysenin

10 vite burg për Arjan Dalipin

11 vite burg për Gentian Gjonaj

12 vite burg për Cesar Avila 

12 vite burg për Valther Moreno

11 vite burg për Kelmend Dalipin

13 vite burg për Sajmir Batku

Laboratori i drogës në Xibrakë të Elbasanit
Grupi i drogës "Xibraka" u zbërthye në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni të policisë të asistuar nga agjentë të policisë gjermane, ndërsa u sekuestua sasia rekord e kokainës prej 100 kg. Droga u gjet në një magazinë në fshatin Xibrakë 10 km larg qytetit të Elbasanit. 

Tetë persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre dhe kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë. Ndërkohë që u shpall në kërkim Genci Xhixha i cili njihet si kreu i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë dhe më gjerë. 

Si u zbulua laboratori i kokainës në Xibrakë
Në datën 17.12.2014, ka mbërritur në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë.

Në datën 18.12.2014, Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal nr.335 për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve” e parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.
 
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton e provuar se të pandehurit kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal për trafikimin e lëndëve narkotike, në kuadër të të cilit ata kanë importuar në territorin e Republikës së Shqipërisë një sasi lënde në përmbajtje të së cilës ka qenë e fshehur kokainë.

Për ekstraktimin e saj, ata kanë ngritur edhe një laborator ku përpunohej lënda bazë që përmbante kokainën deri sa nxirrej në formën e saj përfundimtare, e gatshme për t’u shitur në treg apo trafikuar.

Prania e kokainës në një sërë lëndësh që ndodheshin të depozituara në enë, shishe qelqi, qese, kontenierë etj, të sekuestruara në magazinë, siç u përshkrua në mënyrë të detajuar më lart, provon plotësisht se në magazinën në Xibrakë ishte ngritur një laborator për ekstraktimin e kokainës nga lënda ku ishte fshehur më parë, me qëllim kalimin me lehtësi të kontrolleve në pikat doganore.

s.k/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë