Leka Bungo kërkon shkrirjen e Këshillit Drejtues të RTSH: Duan të zgjedhin drejtoreshë një inxhiniere

Leka Bungo kërkon shkrirjen e Këshillit Drejtues të RTSH: Duan të zgjedhin drejtoreshë një inxhiniere

Leka Bungo

Gara për zgjedhjen e drejtorit të ri të Radio Televizionit Shqiptar u mbulua nga akuzat për paligjshmëri, pasi Këshilli Drejtues vendosi të hënën me shumicë votash që të skualifikojë 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim. Pesë kandidatë të tjerë ishin skualifikuar më parë për mangësi në dosjet e aplikimit.

Gjatë votimit të së hënës u skualifikuan nga gara kandidatët Eni Vasili, Kliton Rama dhe Ermal Hoxha, duke thirrur në dëgjesë vetëm dy kandidatë; Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon, kjo e fundit drejtore e komanduar e RTSH-së pas dorëheqjes së Alfred Pezës.

Kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo e denoncoi vendimin si të paligjshëm dhe paralajmëroi ankimin e tij në organet e drejtësisë.

“Ishte një vendim i paligjshëm,” tha Bungo për BIRN.

“Janë shkelur kriteret e përcaktuara në ligj, duke skualifikuar nga gara gazetarë dhe duke lënë në garë një kandidate si Aurora Polo, e cila është inxhiniere me profesion,” shtoi ai.

Sipas Bungos, ngërçi i krijuar mund të zgjidhet vetëm me ‘shkrirjen e këshillit drejtues të RTSH-së’.

Akuza ndaj këtij vendimi erdhën të martën edhe nga përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës nga Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, organ ku përzgjidhen anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së.

“Këshilli Drejtues shpik rregulla që nuk ekzistojnë, skualifikon 8 kandidatë që plotësojnë çdo kriter ligjor duke shkelur ligjin,” deklaroi përmes një statusi në Facebook deputetja e PD-së, Ina Zhupa, e cila e drejton këtë komision.

Në një reagim publik të martën, ajo e cilësoi skualifikimin nga gara të kandidatëve një “çmenduri” dhe akuzoi anëtarët e KD për tejkalim të kompetencave ligjore.

Akuzat e Zhupës i mbështeti dhe nënkryetarja socialiste e komisionit, Evis Kushi, e cila në një reagim në Facebook tha se “nuk i heq dot asnjë presje reagimit të saj” dhe paralajmëroi ndërhyrjen e Kuvendit në proces.

“I bëj thirrje Këshillit Drejtues të kthejë menjëherë situatën në normalitet dhe të lejojë garën e hapur, transparente e meritokratike. E kundërta do të ishte vetëasgjësim i Këshillit dhe Parlamenti do të detyrohej të ndërhynte në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës së garës, duke marrë masa drastike që ne nuk i dëshirojmë,” shkroi Kushi.

Edhe drejtori i mëparshëm i RTSH-së, Alfred Peza kaloi një proces përzgjedhjeje të kontestuar, pasi kishte një karrierë të politike pranë Partisë Socialiste. Peza dha dorëheqjen nga detyra në qershor të vitit që shkoi, ndërsa po përballej me kritika për shkarkime masive nga puna të gazetarëve dhe punonjësve të këtij institucioni gjatë një viti që mbajti detyrën.

Transmetuesi publik është në teori një institucion politikisht i pavarur, por bordi drejtues zgjidhet nga parlamenti, ndërsa drejtori ekzekutiv zgjidhet nga bordi. Anëtarët e bordit aktual janë zgjedhur kryesisht nga votat e Partisë Socialiste./Reporter.al

Anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH
1-Leka Bungo- Kryetar
2-Gëzim Podgorica- zv.kryetar
3-Genc Përmeti- anëtar
4-Mevlan Shanaj- anëtar
5-Ilir Keko- anëtar
6-Ardita Regi- anëtar
7-Milena Selimi- anëtar
8-Engjëll Ndocaj- anëtar
9-Edmond Tullumani- anëtar
10-Dionis Papadhimitri- anëtar
11-Albert Minga- anëtar

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Dhelprat e Vogla’ shfaqje në teatrin Metropol! ‘Ekrani fikur, fëmijët në zgjim’, ekspozitë te Galeria e Arteve, Shkodër

Aktivitetet kulturore/ ‘Dhelprat e Vogla’ shfaqje në teatrin Metropol! ‘Ekrani fikur, fëmijët në zgjim’, ekspozitë te Galeria e Arteve, Shkodër