TIRANE- Gjykata e Vlorës ka ndryshuar masën e sigurisë në “detyrim paraqitje” dhe jo “arrest me burg” ndaj kreut të Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika i arrestuar nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.
 
Në seancën gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme në ambientet e Spitalit Amerikan, ku Gjika qëndron i shtruar prej ditës së djeshme si rezultat i problemeve në zemër dhe tensionit të lartë, kryebashkiakut pritej t’i komunikohej masa e sigurisë  “arrest me burg” e vendosur në mungesë nga Gjykata e Vlorës dhe me kërkesë të Prokurorisë.
 
Por në rivlerësimin e sotëm, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” ndaj Gjikës.
 
Në një dalje për mediat në përfundim të seancës, avokati i tij, Ardian Leka e cilësoi këtë si një vendim të drejtë, dhe që ka ardhur sipas tij pas verifikimit të gjendjes shëndetësore të klientit të tij si dhe provave të Prokurorisë që siç u shpreh ai rezultuan të gabuara.
 
“Në verifikim të kushteve të caktimit të masës së sigurimit u konstatua se gjendja shëndetësore ishte shumë e rëndë, dhe gjatë seancës Gjika kaloi edhe një situatë të rëndë si pasojë e stresit. Në këto kushte gjykata vlerësoi masën e detyrimit të paraqitjes. U konstatua se veç gabimeve të Prokurorisë, masa e sigurimit u caktua duke iu referuar gjendjes shëndetësore të klientit tim. Problematikat e provave të Prokurorisë, bëhet fjalë për sekuestrimin e një libri, ndërkohë që ai është kqyrur nga ana e Prokurorisë dhe ishte edhe në dosje dhe ai libër do t’i vijë sërish Prokurorisë.” u shpreh në fjalën e tij avokati Leka

Sakaq, kryeministri Rama i ndodhur sot në Novoselë të Vlorës ku inspektoi zonat e prekura nga përmbytjet, nuk ka pranuar të komentojë arrestimin e kryebashkiakut.
 
Pas këtij vendimi të gjykatës, Shpëtim Gjika lihet i lirë rreth 2 ditë pas arrestimit të tij, i ndodhur të premten pasdite pasi nga hetimet e kryera rezultoi se Gjika ka falsifikuar dokumentet lidhur me lejen e dhënë në vitin 2011 për një pallat 11-katësh në qytetin bregdetar. Pranga Shpëtim Gjikës, pas 5 orësh në reanimacion
 
Pas seancës gjyqësore, Gjika pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrje koronarografike në zemër, pasi sipas mjekëve shëndeti i tij vijon të jetë me probleme.
 
Së bashku me Gjikën, në prangat e policisë u vunë edhe Drejtoresha e Urbanistikës në Vlorë Doriana Sulaj dhe biznesmeni Artur Haxhi. Ndaj këtyre dy të fundit, Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ora 17:50 Mjekët: Gjika do të qëndrojë edhe për 5 ditë në Spital
Mjeku i Spitalit Amerikan Bekim Jata ka dhënë detajet më të fundit të gjendjes së kreut të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika. Sipas mjekut Jata, Gjika do të qëndrojë në spital edhe për minimalisht edhe për 5 ditë të tjera. 



Avokati Leka: U verfikuan gjendja shëndetësore e klientit tim dhe provat e gabuara të Prokurorisë
Ardian Leka, avokati i Shpëtim Gjikës ka komentuar vendimin e dhënë sot nga Gjykata e Vlorës duke e cilësuar atë si të drejtë dhe që ka ardhur në kushtet e një gjendje shëndetësore të rëndë për klientin e tij.
 
Sipas tij ky faktor por edhe gabimet e provave të Prokurorisë, të verifikuara nga ana e gjykatës, kanë bërë që Shpëtim Gjikës t’i caktohet masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
 
“Në verifikim të kushteve të caktimit të masës së sigurimit u konstatua se gjendja shëndetësore ishte shumë e rëndë, dhe gjatë seancës Gjika kaloi edhe një situatë të rëndë si pasojë e stresit. Në këto kushte gjykata vlerësoi masën e detyrimit të paraqitjes. U konstatua se vecc gabimeve të Prokurorisë, masa e sigurimit u caktua duke iu referuar gjendjes shëndetësore të klientit tim. Problematikat e provave të Prokurorisë, bëhet fjalë për sekuestrimin e një libri, ndërkohë që ai është kqyrur nga ana e Prokurorisë dhe ishte edhe në dosje dhe ai libër do t’i vijë sërish Prokurorisë. Ky ishte thjesht një verifikim kushtesh vetëm u panë ata elementë për caktimin e masës dhe duke qenë se nuk janë të njëjta u vendos kjo masë e drejtë sigurimi.” u shpreh avokati Leka