Aktiviteti i transportit ajror dhe atij detar erdhi në rritje në tremujorin e tretë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë që hekurudhën e përdorën vetëm 782 pasagjerë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se Porti i Sarandës kaloi atë të Durrësit për nga numri i pasagjerëve në tremujorin e tretë 2025

Në transportin ajror gjatë tremujorit të tretë 2025 kanë operuar 31 shoqëri ajrore, nga këto 30 janë shoqëri të huaja dhe 1 shoqëri shqiptare. Në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 139.923 avionë, nga të cilët 83,6% të tyre e zë numri i mbikalimeve.

Volumi i mallrave (duke përfshirë postën) të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 714,3 ton, nga të cilat 78,5% janë mallra të hyrë dhe 21,5% janë mallra të dalë. Krahasuar me tremujorin e tretë 2024, Në tremujorin e tretë 2025, kanë udhëtuar me linja ajrore 3.892.761 pasagjerë nga 3.534.751 pasagjerë që kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u rritur me 10,1%. 

Volumi i mallrave të tregtuara (eksport dhe import) me ajër në tremujorin e tretë 2025 është 581 ton. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky tregues është rritur me 25,6%. Volumi i mallrave të importuara me ajër në tremujorin e tretë 2025 zë 0,03% ndaj volumit gjithsej të mallrave të importuara.

Porti i Sarandës kalon Durrësin për pasagjerët

Në Shqipëri operojnë katër porte detare të cilët shërbejnë për transport mallrash Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë).

Porti i Durrësit është porti kryesor në vend prej të cilit, gjatë tremujorit të tretë 2025, janë transportuar 95,0% e volumit të mallrave të transportuar me det, ose 2.135 mijë ton mallra. Volumi gjithsej i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit është rritur me 17,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Grupi i mallrave “Koks dhe produktet e rafinuara të naftës” përbën 19,3% të mallrave të transportuara nga portet. Grupi “Metale bazë; produkte metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve” përbën 15,8% të mallrave të transportuara nga portet.

Grupi “Produkte të tjera minerale (jo metalike)” përbën 13,7% të mallrave të transportuara nga portet dhe Grupi i mallrave “Qymyr dhe linjit; naftë bruto dhe gaz natyror” përbën 6,5% të mallrave të transportuar nga portet.

Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare në vend është 1.010.888 persona. Porti i Sarandës është porti nga i cili kanë udhëtuar 49,2% e pasagjerëve, ndjekur nga porti i Durrësit me 40,8% dhe më pas porti i Vlorës me 10,0%.

Në tremujorin e tretë 2025, volumi i mallrave të tregtuara me det (eksport dhe import) është 1.467 mijë ton. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky tregues është rritur me 5,6%. Volumi i mallrave të eksportuara me det në tremujorin e tretë 2025 zë 32,2% ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të eksportuara. Volumi i mallrave të importuara me det në tremujorin e tretë 2025 zë 65,8% ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të importuara.

Vetëm 782 pasagjerë në hekurudhë

Volumi i mallrave të transportuara nëpërmjet rrugëve hekurudhore është 156,2 mijë ton, duke shënuar rritje me 13,7%, në krahasim me tremujorin e tretë 2024.

“Qymyri dhe linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror” zuri 75,8% të mallrave të transportuar me hekurudhë , “Lëndë të para të ricikluara; mbetjet e ngurta (bashkiake) dhe mbeturina të tjera” 23,2% dhe grupi “Metale bazë; produkte metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve” zënë 1,0%. (tab.1)

Në tremujorin e tretë 2025, kanë përdorur transportin hekurudhor si mjet udhëtimi 782 pasagjerë, duke shënuar ulje me 62,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./Monitor