AFGANISTAN- Yalda Hakim, prezantuesja e BBC, e cila ka qenë edhe në Shqipëri gjatë kohës që vendi ynë hapi dyert për afganët, është rikthyer në atdheun e saj, hera e parë pasi talebanët morën pushtetin. Mes shumë pyetjesh në kokë, ajo pa nga afër, atë që druhej, një vend ku qytetarët thjesht mbijetonin.
Shkrimi i saj për BBC (përshtatur nga Shqiptarja.com)
E dija se kthimi im i parë në vendin e lindjes, që kur talebanët morën pushtetin në gusht, do të më ngrinte shumë pyetje. Sa ka ndryshuar kombi që kur talebanët rrëzuan qeverinë e mbështetur nga perëndimi? A do të merrte më në fund populli afgan paqen që kishte dëshiruar? Çfarë e ardhme do të kishte për gratë dhe vajzat që tashmë po dëbohen nga jeta publike nga pushtetarët e tyre të rinj? Kishte një pyetje, megjithatë nuk prisja t'ia bëja vetes. Çfarë force duhet të marrë për të ardhur në punë, ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji gjithnjë e më të mundimshëm, pa u paguar.
Kjo është pikërisht ajo që mësova. Nga punonjësit e kujdesit shëndetësor në Kandahar tek pastruesit në spitalet e Kabulit, asnjë nga stafi i kujdesit shëndetësor publik të Afganistanit nuk është paguar që kur qeveria ra dhe ndihma e huaj u ndal. Pavarësisht gjithçkaje, ata ende vijnë për punë, duke u kujdesur për një popullsi gjithnjë e më të dëshpëruar, ndërsa ata vetë po shkojnë në buzë të greminës.
Nasreen punon si pastruese në Spitalin e Fëmijëve “Indira Gandhi” në Kabul.
“Nëse nuk vijmë në punë, këto foshnja do të vdesin, si mund t'i braktisim? më thotë ajo.
Punonjësit e spitalit në takimin me Yalda Hakim
Reparti duhet të jetë sa më i pastër që të jetë e mundur që pacientët, shumica e tyre të dobët dhe të kequshqyer rëndë, të mos kenë ndonjë infeksion. Nasreen thotë se nuk mund të përballojë transportin, kështu që ajo ecën për në punë me orë të tëra, një udhëtim rraskapitës, duke u kthyer përsëri pas një turni 12 orësh. Sado e rëndë të jetë gjendja e punonjësve të kujdesit shëndetësor, pacientët për të cilët kujdesen janë në kushte shumë më të këqija.
Kombet e Bashkuara thonë se pothuajse 23 milionë afganë po përballen me urinë. 95% e njerëzve nuk kanë ushqim të mjaftueshëm.
Gra dhe fëmijë afgane
Në repartet që Nasreen i mban pastër, sheh viktimat më të reja të krizës. Gulnara, tre vjeçe, është aq e dobët sa mezi i mban sytë hapur. Sytë i janë zhytur, flokët i rrallohen, kur duket se zgjohet, qan nga dhimbja. Kjo është ajo që kequshqyerja e rëndë po u bën fëmijëve të Afganistanit.
Zëdhënësi i talebanëve Suhail Shaheen drejton gishtin e fajit te komuniteti ndërkombëtar dhe më thotë se vuajtjet e popullit afgan janë shkaktuar nga veprimet e Perëndimit.
“Nëse ata thonë se ky vend po shkon drejt katastrofës, urisë, krizës humanitare, atëherë është përgjegjësia e tyre që të ndërmarrin veprime, veprime të duhura për të parandaluar të gjitha këto tragjedi. Komuniteti ndërkombëtar dhe vendet e tjera që po flasin për të drejtat e njeriut... ata duhet të rishqyrtojnë marrjen e hapave që çojnë në një krizë humanitare në Afganistan," shton ai.
Pavarësisht nëse e pranoni apo jo analizën e tij se kush është fajtori - shumica e vëzhguesve do të pajtoheshin se zgjidhja e këtij problemi do të vijë nga financimi ndërkombëtar. Askund nuk është më e dukshme kjo kur bëhet fjalë për ekonominë. Kur “çezmat e ndihmës ndërkombëtare u mbyllën, ekonomia u shemb”.
"Kam punuar në furrat e tullave," më thotë një burrë ndërsa priste rrugëve për ndonjë punë. "Atëherë rroga ime ishte 270 dollarë në muaj. Tani nuk mund të bëj 22 dollarë në muaj.
Të katër fëmijët e tij janë të sëmurë në shtëpi dhe ai nuk ka para për ilaçe.
“Unë nuk shoh të ardhme, familjet e varfra nuk kanë të ardhme”, më thotë ai.
Marrë nga BBC
Përshtatur nga Shqiptarja.com