Ministrja teknike e Arsimit, Mirela Karabina ka reaguar pas akuzave dhe letrës së 6 Dekanëve, që e cilësuan si një uzurpim të Bordit të Administrimit të Universitetit të Mjekësisë zëvendësimin e 4 anëtarëve.
 
Karabina shprehet në reagimin e saj se ndryshimet janë bazuar në ligj, ndërsa janë bërë në përgjigje të shqetësimeve të autoriteteve drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë publik.
 
Gjithashtu, ministrja sqaron se sipas përcaktimeve ligjore, emrat e anëtarëve rinj të Bordeve  të Administrimit emërohen nga ministri përgjegjës për arsimin.
 
Sipas përcaktimeve ligjore, emrat e anëtarëve rinj të Bordeve  të Administrimit, “si përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin janë ekspertë të njohur nga fushat akademike, menaxheriale, ekonomike dhe juridike” dhe siç përcaktohet në nenin 48, pika 1, të Ligjit Nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe emërohen nga ministri përgjegjës për arsimin” thotë ministrja.
 
Të gjitha shkrimet dhe deklaratat, Karabina i cilëson si të papërgjegjshme duke keqinformuar opinionin dhe, për më tepër,  janë në kundërshtim me misionet e institucioneve të arsimit të lartë dhe interesit publik.
 
Zëvendësimi i 4 anëtareve të Bordit të Administrimit të Universitetit të Mjekësisë me urdhër të Ministres teknike të Arsimit, Mirela Karabina, nuk është pritur mirë nga disa anëtarë të Bordit.
  
Pas urdhrit të ministres teknike të Arsimit, Mirela Karabina për zëvendësimin e 4 anëtarëve të Bordit të Administrimit në Universitetin e Tiranës, gjashtë dekanët kanë shprehur përmes një letre shqetësimin ndaj këtij vendimi.

Në letrën e dekanëve drejtuar kryetarit të Bordit të UT, Ervin Demos, thuhet se urdhri i ministres Karabina është jotransparent, ndaj duhet t’i kthehet mbrapsht pasi prek autonominë dhe reputacionin e UT.


DEKLARATA E PLOTE E MINITRES TEKNIKE TE ARSIMIT
Duke marrë shkas nga lajme të publikuara mbi disa ndryshime të anëtarëve në përbërje të Bordeve të Administrimit të disa institucioneve të arsimit të lartë publik, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron se:
 
Ministri i Arsimit dhe Sportit në përputhje me përcaktimet ligjore ka ndërmarrë të gjitha masat  për kryerjen e veprimeve ligjore duke mundësuar ndryshimet në Bordet e Administrimit për të garantuar përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, si dhe mbarëvajtjen financiare e administrative të tyre.
 
Këto ndryshime janë bërë në përgjigje të shqetësimeve të autoriteteve drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë publik për të siguruar mbarëvajtjen e institucioneve në përgatitjet e tyre për vitin akademik 2017-2018.
 
Sipas përcaktimeve ligjore, emrat e anëtarëve rinj të Bordeve  të Administrimit, “si përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin janë ekspertë të njohur nga fushat akademike, menaxheriale, ekonomike dhe juridike” dhe siç përcaktohet në nenin 48, pika 1, të Ligjit Nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe emërohen nga ministri përgjegjës për arsimin.
 
Ministri i Arsimit dhe Sportit në zbatim të detyrimeve ligjore ka përgjegjësi institucionale të ndërmarrë të gjitha masat që shërbejnë për të krijuar mekanizma të qëndrueshëm të sigurimit të cilësisë dhe menaxhimit financiar, në institucionet e arsimit të lartë, të cilat gëzojnë liri akademike, autonomi financiare e organizative, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet Europiane.
 
Të gjitha shkrimet dhe deklaratat e papërgjegjshme kanë keqinformuar opinionin dhe, për më tepër,  janë në kundërshtim me misionet e institucioneve të arsimit të lartë dhe interesit publik.
 
Ministri i Arsimit dhe Sportit, distancohet nga burimet disinformuese të përdorura nga segmente të caktuara të lidhura me interesa personale korruptive dhe garanton bashkëpunim me të gjithë institucionet e arsimit të lartë, si dhe transparencë të plotë të të gjitha veprimeve në shërbim të monitorimit të standardeve të cilësisë së arsimit të lartë në vend. 




dy.b/shqiptarja.com