Agjentë të Shërbimit Informative Shtetëror, forcat RENEA, oficerë policie dhe pjesëtarë të shërbimit zjarrfikës do të jenë në terren për të monitoruar sigurinë dhe rendin gjatë festës për ndërrimin e viteve. Report Tv ka mësuar se janë angazhuar 4 mijë efektiv, ndërsa për herë të parë një pjesë e shesheve në qytetet kryesore do të monitorohen nga ajri me dron dhe efektivë civilë për të parandaluar çdo ngjarje kriminale.

Drejtuesit e policisë pak para festës i bëjnë apel qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugorë. Në një dalje për media, Drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit, Albert Dervishi, paralajmëroi masa të rrepta për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale gjatë festave.

"Janë planifikuar punonjës policie në cdo qytet në ndërrimin e viteve, vecanërisht pranë lokaleve ku do festohet. Siguria është e organizuar me një qasje të integruar në natën e ndërrimit të viteve në Tiranë, ku do organizohet një festë. Janë shtuar masat në pikat e kalimit të kufirit, gjatë hyrje-daljeve të emigrantëve. FNSH ka përforcuar akset për të parandaluar ngjarjet kriminale", tha Dervishi.

Më tej, Kreu i Rendit ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve të bëjnë kujdes me fishekzjarret në natën e ndërtimit të viteve, duke mos i lënë ato në duart e fëmijëve. Ndërsa sqaroi se policia bashkiake në çdo qytet ka organizuar hedhjen e fishekzjarreve në mënyrë të kontrolluar.

"Përdorimin e fishekzjarrëve, duke evituar përdorimin e tyre nga fëmijët. Të evitohet përdorimi i kapsollave dhe lëndëve të tjera të rrezikshme të këtij lloji. Nga ana e Policisë Bashkiake të Tiranës dhe bashkitë e tjera, është organizuar hedhja e fishekzjarrëve në mënyrë të kontrolluar në Sheshin Skëndërbej dhe sheshet përkatëse në natën e ndërrimit të viteve", shtoi zyrtari i lartë i policisë.

d.c./shqiptarja.com