Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar në SPAK kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Kulturës Blendi Gonxhja për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, për miratimin e aktit normativ 4.2 milion euro për mbarëvajtjen e koncertit të reperit amerikan, Kanye West.

Reperi amerikan mblodhi më 11 korrik në Tiranë mijëra të rinj, nga 80 shtete të botës, në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të dekadës. Qeveria ka argumentuar se financimi “është alokuar përmes programit buxhetor Turizëm dhe se nuk ka prekur asnjë fond emergjence apo financimet e planifikuara." Qeveria tha se anulimi i tij do ishte imazh i keq për vendin, ndërsa ekonomia e vendit do të gjeneronte deri në 100 mln euro.

Opozita reagoi ashpër duke vënë në dukje se financimi i qeverisë për koncertin përbën gati gjysmën e fondit rezervë të emergjencave, dhe një abuzim me Aktin normativ. Në padinë e depozituar në SPAK, ata thonë se fondi rezervë i shtetit përdoret vetëm për raste si fatkeqësi natyrore, përmbytjet, tërmetet, epidemitë apo emergjencat civile dhe nuk mund të përdoret për shpenzime që janë të planifikuara. Ata akuzojnë Ramën dhe Gonxen se kanë cenuar fondin rezervë të buxhetit të shtetit dhe se kanë cënuar parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit, pasi një mundësi e tillë nuk ka qenë e parashikuar për operatorët e tjerë ekonomikë, që po ashtu mund të aplikonin për të përfituar mbështetje financiare për realizimin e këtij koncerti apo të ngjashëm me të.

Në kallëzimin penal të depozituar nga grupi parlamentar i PD theksohet se “kuadri ligjor në fuqi ka sanksionuar detyrimin e autoriteteve shtetërore që, në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të tyre, të përdorin me eficencë dhe efektivtet burimet financiare shtetërore, duke respektuar parimet e qëndrueshmërisë së financave publike, barazisë para ligjit dhe konkurrencës së lirë. Në këtë drejtim, Kushtetuta, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, ashtu si dhe ligjet e dala në zbatim të tyre, kanë sanksionuar ndalimin e çdo sjellje apo veprimi të institucioneve shtetërore, të cilat cënojnë në vetvete Buxhetin e Shtetit, lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e palëve në ofrimin e mallrave dhe shërbimeve, pavarësisht nëse përdoren ose jo për qëllime publike. Rezulton se mbi bazën e një operatori ekonomik privat, shtetasi Blendi Gonxhja, me detyrë Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka iniciuar procedurën për miratimin e aktit normativ, me qëllim që këtij operatori t’i akordohej një fond prej 4.2 milionë Euro, duke shfrytëzuar fondin rezervë të Buxhetit të Shtetit. Ky i fundit, referuar dispozitave ligjore të mësipërme, mund të përdoret vetëm për shpenzime të cilat nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen, siç mund të jenë rastet e fatkeqësive natyrore, përmbytjeve, tërmeteve, epidemive dhe emergjencave civile. Në rastin konkret, nuk jemi përpara asnjërit prej këtyre rasteve, pasi koncerti muzikor ishte një ngjarje e planifikuar në kohë, dhe operatori ekonomik privat kishte mundësi që të aplikonte me përpara për të përfituar një fond të caktuar për realizimin e këtij aktiviteti, në përputhje me procedurat ligjore. Duke vepruar kështu, shtetasit Edi Rama dhe Blendi Gonxhja nga njëra anë ka cënuar fondin rezervë, që përbën një grupeve kryesore të shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit, ashtu si edhe ka cënuar parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit, pasi një mundësi e tillë nuk ka qenë e parashikuar për operatorët e tjerë ekonomikë, që po ashtu mund të aplikonin për të përfituar mbështetje financiare për realizimin e këtij koncerti apo të ngjashëm me të.”.

"Nga sa më sipër, është e qartë se shtetasi Edi Rama, me detyrë Kryeministër i Shqipërisë, dhe shtetasi Blendi Gonxhja, me detyrë Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin sa i përket shfrytëzimit të fondit rezervë për të mbështetur një aktivitet muzikor privat, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, e në këtë kuptim veprimet e tyre përmbushin elementin e anës objektive të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga ana tjetër, të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shkelur rregullat sa i përket lirisë së pjesëmarrjes dhe realizimit të barazisë së shtetasve në tendera publik, me qëllim krijimin e avantazheve dhe privilegjeve të padrejta për një operatori ekonomik të caktuar, duke përmbushur kështu elementin e anës objektive të veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar neni 258 i Kodit Penal.” – thuhet në kallëzimin e depozituar në SPAK.

I menjëhershëm ishte reagimi i socialistëve përmes deputetit Ulsi Manja, i cili me ironi shkruan se PD qenka ngjallur.

“Partia Demokratike qenka ngjallur!  Po çoka në SPAK Kanye West-in dhe mirë e bën. Po nuk e kuptoj pse kanë shkuar deri te Kanye, se ai i shkreti në Kashar këndoi, kurse bulevardin PD-së ia kanë marrë këngëtarët popullorë! Po nejse, rëndësi ka që u ngjall PD-ja dhe tani duhet të çojë në SPAK edhe Albanian Files, se nuk i lihet ajo kauzë e madhe Gonit dhe Tikut”, shkroi Manja.

Nga Kuvendi, të njëjti qëndrim mbajti edhe kreu i grupit të PS, Taulant Balla.

“Meqë këta zgjohen vonë, tani e morëm vesh përse kanë munguar sot në seancë, kanë kallëzuar Kanye West. U gjet edhe një armik tjetër i shqiptarëve. Hyn në listën e lajmeve qesharake në botë ku një parti politike, me prezencë jo të vogël në Kuvend, janë aq qesharakë sa edhe kallëzimin e kanë bërë në emër të grupit parlamentar të PD dhe kanë kallëzuar këngëtarin. Pashë edhe një llogaritare që kundërshtonte gjendjen e ekspertëve të ekonomisë. E mbështes vendimmarrjen e kryeministrit dhe qeverisë për ta mbështetur financiarisht atë aktivitet.

Turp i madh që një parti politike e degradon betejën në kallëzim penal për një koncert. Gjithë kjo vendimmarrje për një parti politike që ka mbaruar hallin e vet se Saliu u zgjodh kryetar, ka të bëjë me kompleksin. Kur ti sheh një idiot si Progni, i sëmurë mendor që del në krye të protestës dhe thotë do të bëjmë një ligj dhe do të fusim në burg të gjithë ata që shkuan në koncert, kompleksi shkon përtej idiotësisë që thotë një idiot dhe bën një kallëzim penal për këngëtarin. Sorrat thonë do të fusim në burg ata që shkuan në koncert.

Edhe Qëndresa Qytetare i është drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit me kërkesën për të ushtruar kontroll mbi përdorimin dhe administrimin e 4 milionë eurove të marra nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për financimin e koncertit të Kanye West.

Kallëzimi i PD

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:27
‘U ngjallët?’- Bardhi i përgjigjet ironisë së Manjës: Po bën rolin e budallait, nuk kallëzuam Kanye West, por Edi Ramën! Rri zgjuar se SPAK mund të të trokasë në derë

1783949980_xcgdyuuu.JPG

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi deputeti socialist Ulsi Manja ironizoi PD-së, pas kallëzimit në SPAK të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Blendi Gonxhja, për miratimin e aktit normativ 4.2 milion euro për mbarëvajtjen e koncertit të reperit amerikan, Kanye Ëest.

Pasi Manja tha me ironi se ‘PD po çon në SPAK Kanye West’, përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka shkruar se Ulsi Manja ndodhet ‘mes rolit të budallait dhe hetimit të SPAK’.

Më tej Bardhi ka shkruar se PD nuk ka kallëzuar në SPAK Kanye West, por kryeministrin Edi Rama, pasi sipas tij ka shpërdoruar detyrën, ‘me 4.2 milionë euro para publike, të dhëna si pare xhepi për një koncert privat.

Bardhi pyet më pas Manjën nëse ka ndërhyrë te ish-ministrja Belinda Balluku për t’i mundësuar biznesmenit Paulin Rajta përfitimin e një HEC-i në qarkun Dibër, teksa e paralajmëron deputetin socialist se SPAK do t’i trokasë një ditë në derë.

Reagimi i Bardhit:

Ulsi Manja, mes rolit të budallait dhe hetimit të SPAK-ut.

E kam të vështirë ta ndaj, nëse Ulsi Manja e bën me lehtësi rolin e budallait apo jo, por mund të them me siguri se sot qenka në kulmin e vet të performancës.

Ulsi, nuk kemi çuar në SPAK Kanin, por Edin. Sepse Edi ka shpërdoruar detyrën bashkë me 4.2 milionë euro para publike, të dhëna si pare xhepi për një koncert privat.

Tani që, besoj je më i qartë dhe më i qetë për Kanin, të paktën mos e gënje Edin për pozitën e tij penale dhe, njëkohësisht, bëhu gati edhe vetë për në SPAK!

Meqë ke marrë përsipër të bësh analizë me laps në dorë për kallëzimet e opozitës ndaj vjedhjeve tuaja, gjej edhe guximin t’u përgjigjesh dy pyetjeve, përpara se të të pyesin në SPAK:

1. Çfarë të lidh me Paulin Rajtën?

2. A ke ndërhyrë te Belinda Balluku për t’i mundësuar atij përfitimin e një HEC-i në qarkun Dibër?

Kur nuk bën rolin e budallait për llogari të Edi Ramës, ti, Ulsi, e di shumë më mirë se ndërhyrja për dhënien e licencave në kundërshtim me ligjin është vepër penale. Kur ndërhyrja bëhet për një biznesmen që, më pas, si Ministër Drejtësie, firmos për ta emëruar drejtor të Policisë së Burgjeve, pozita penale rëndohet.

Kthjellu, Ulsi! Roli i budallait apo servilit nuk të mban dot për shumë gjatë! Rri zgjuar këto kohë, se mund të të trokasë SPAK tek dera!

Foto e publikuar nga Gazment Bardhi

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë