Viktimë e atentatit mbeti 44-vjeçari Denis Kasa me origjinë nga Patosi e banues në lagjen "15 tetori" të qytetit të Fierit , ndërsa u plagosën dy shokët e tij Elton Margariti dhe Klement Kastrati.
Sipas policisë makina tip benz në të cilën udhëtonte Kasa dhe dy të plagosurit është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një tjetër automjet, i cili u kishte zënë atyre pritë tek Kthesa e Mullirit të Artë.
Gjithashtu policia bën të ditur se mes dy grupeve është shkëmbyr zjarr në distancë. Në vendin e ngjargjes janë gjetur dy kallashnikov si dhe dhjetra gëzhoja. Mësohet se Denis Kasa ka dalë nga makina dhe në ato moment ka marrë disa plumba, të cilët i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Viktima dhe dy të plagosurit kanë qënë shokë me njëri-tjetrin, ndërkohë që nuk dihet se cili prej tyre ka qënë objektiv I ketij atentati.
Hetimi
Sipas policisë Kasa dyshohet se kishte ndryshuar emër, pasi më parë figuronte Granit Kasa. Ndërkohë sipas burimeve për Shqiptarja.com Kasaj ishte emigrant në Hollandë ndaj dhe policia po heton pistën e një konflikti në vendin ku ai jetonte. Denisi (Graniti) ishte kthyer në Shqipëri pak ditë para festave të fundvitit
(Viktima Denis Kasa)
Pas atentatit, autorët i kanë vënë flakën automjetit që u gjet i shkrumbuar rreth 9 metra larg nga trupi i viktimës, ndërsa vetë janë larguar me një automjet tip Toyota me targa të huaja, i cili po ashtu u gjet i djegur rreth 1 kilometer larg nga vendi i krimit, në mes të një are në fshatin Vajkan.
Pasi kanë djegur makinën, autorët dyshohet se janë larguar në këmbë. Sakaq policia dhe FNSh e Fierit ka nisur krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Sakaq dy të plagosurit Elton Margariti dhe Klement Kastrati 31 vjeç janë dërguar në Spitalin Rajonal të Fierit.
Një nga personat e mbetur të plagosur në atentatin e së premtes është ndaluar nga policia në vitin 2008. Klement Kastrati në atë kohë 23 vjeç, u vu në pranga bashkë me një person tjetër në akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje”, “Kanosjes”, si dhe “Armëmbajtjes pa leje”.
Në 8 ditët e para të janarit kjo është vrasja e 8 që ndodh në vend, pas dy krimeve të dyfishta në Sarandë e Shkodër, 2 ekzekutimeve në Vlorë dhe Durrës si dhe vrasjes për një plep në Kavajë.
Foto të tjera..
Fier, informacion paraprak
Ne aksin rrugor Fier-Lushnje ne vendin e quajtur "Kthesa e mullirit te arte" eshte vrare me armë zjarri shtetasi Denis Kasa,44 vjeç, dhe janë plagosur po me arme zjarri, shtetasit E.M dhe K.K te cilet jane derguar ne spitalin Rajonal Fier.
Autorët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të makinës tip benz me targa shqiptare AA 414 LC, ku udhëtonte viktima dhe dy të plagosurit.
Ende nuk është verifikuar si ështe djegur makina e viktimës. Më pas autorët jan larguar me nje automjet tjeter tip Toyotë veturë me targa te huaja ku i kanë vënë flakën në mes të një are rreth një kilometër nga vendngjarja.
Në vendngjarje grupi hetimor po punon intensivisht për zbardhjen e ngjarjes.
Forcat e policisë dhe FNSH Fier po krehin zonën pasi dyshohet se autori/ët mund të kenë lëvizur me këmbë.
Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)