44 vjet Revolta e Spaçit fotot e
vendngjarjes dhe relacioni sekret

44 vjet Revolta e Spaçit fotot e<br />vendngjarjes dhe relacioni sekret
44 vjet më parë, më 21 maj 1973, në Spaç nisi një revoltë nga të burgosurit e cila zgjati për 3 ditë rradhazi dhe u mbyll me një bilanc tragjik, katër të ekzekutuar.

Protesta nisi si një kundërshtim i thjeshtë i rregullave, dhe kjo ishte vetëm një shkas për kundërshtim të thellë e kuptimplotë të regjimit nga kundërshtarët e regjimit me parrullat “Ja vdekje ja liri!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Ju jeni katila!”, “Populli është me ne!”, “Rroftë Europa e lirë!”, që vazhduan për mbi 3 ditë në taracën e burgut nga 100 të burgosur, që u rrethuan me shpejtësi nga mbi 4500 trupa ushtarake nga Shkodra e Tirana, të cilët hapnin zjarr nga të gjitha anët.
Revolta e Spaçit i tregoi Shqipërisë dhe botës së rezistenca e popullit shqiptar vazhdoi të mbijetonte, megjithë dhunën dhe presionin e diktaturës.
Revolta e Spaçit zgjati 3 ditë; të burgosurit valvitën në tarracën e burgut famëkeq një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist përsipër, duke kënduar dhe hedhur parrulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak; 4 nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan.
Katër të pushkatuarit ishin Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai. 

Në përkujtim të kësaj ngjarje, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit  njoftoi dje se ka vënë në dispozicion të publikut, disa materiale dokumentare dhe foto mbi këtë ngjarje. Mes dokumenteve  ata publikuan: një relacion mbi situatën e jashtëzakonshme që u krijua nga të dënuarit në Repartin 303, Spaç, Mirditë. Ky material përfshin gjithë dinamikën  e ngjarjes, përgjithësime mbi shkaqet e ngjarjeve të ndodhura, analiza dhe konkluzione mbi ngjarjen e ndodhur,  listën e të dënuarve që morën pjesë në revoltën e datës 22.05.1984, foto të tyre, pamje të përgjithshme të vendit ku ndodhi ngjarja, sheshit ku kanë kaluar, mjeteve që janë përdorur për sulmin, skema të dislokimit të togave të Repartit 303, Spac dhe vendkomanda.Disa nga fotot e vendngjarjes  Autoriteti i publikoi në faqen e tij zyrtare. Bashkë me këto foto ne sjellim për lexuesit relacionin  e hartuar me 23 maj 1973 nga  komisari  dhe komandanti i repartit  303 në Spaç mbi këtë ngjarje. 
 
Relacioni mbi revoltën e Spaçit
 
Nr. 306 SEKRET
Ekzemplar Nr. 1
E përkohshme 5 vjet
Spaç me 23.V.1973
R E L A C I O N
MBI NJE NGJARJE TE RENDE TE JASHTEZAKONSHME SHKAKTUAR NGA TE DENUARIT E REPARTIT 303 SPAÇ
Në datën 21 maj 1973 si çdo ditë vazhdonte puna normalisht në repart. Personeli i shërbimit vazhdonte punën sipas programit dhe urdhrit të ditës. Ndërmjet veprimeve të tjera, N/Oficer Mark Tuci, në mëngjes shkon për të heqë batanijet të dënuarve në dhomat e izolimit sipas rregullores. Njëkohësisht aty do të bëheshin edhe veprimet e tjera. Ndërmjet të dënuarve, që ishin ndëshkuar, ishte edhe Pal Gjergj Zefi, i datëlindjes 1940 nga Rrushkulli i Durrësit, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë. Ky është ndëshkuar nga komanda me një muaj vuajtje dënimi në dhomat e izolimit për arsye se kishte shkelur rëndë rregullat e vendosura në repart. Në kohën që N/oficeri i çel derën për t’i heqë batanijet, ai arbitrarisht i ikën dhe bashkohet me turmën e të dënuarve që ishin në oborr. N/Oficeri e gjurmon dhe mbasi e gjen i bën thirrje që të shkojë në dhomat e izolimit, tentoi ta marri por ai refuzoi duke e kanosur. I dënuari qëndronte në tarracë duke mbajtur në dorë një shufër hekuri të gjatë rreth dy metra, që e kishte gjetur gjatë kohës që iku nga dhomat e izolimit dhe thotë se nuk lë asnjeri të më afrohet se do ta qëlloj. Kjo ndodhi rreth orës 5.00 të datës 21.V.1973.

Për këtë N/Oficer Mark Tuci, pa humbur kohë, njofton oficerin e rojes së repartit, oficer Fejzi Liço, i cili në këtë repart kryen detyrën e punëtorit operativ të Sigurimit të Shtetit. Ky i fundit informon kryetarin e degës së zbatim vendimeve penale oficer Sulejman Manokun, i cili ndodhej në repart. U urdhërua që me çdo kusht të kthehej në dhomat e izolimit i dënuari Pal Gjergj Zefi . Rreth orës 6.30’ punëtori operativ Fejzi Liço duke pasë me vehte N.oficerin Mark Tuci, Nue Lleshi, Zef Bardhoqi shkon në vendin ku qëndronte i dënuari në fjalë dhe sipas rregullave i bën thirrje që të shkonte në dhomat e izolimit. Por ai nuk bindet dhe prapë iu kanoset punëtorit operativ dhe policëve për t’i qëlluar dhe vrarë. Në këtë kohë vinë këtu edhe nënoficerët Gjet Çupi, Skënder Noniri, Frrok Deda dhe Ndue Prenga të cilët gjejnë oficerin e rojes dhe 3 nënoficera që shënuam së pari duke arrestuar Pal Zefin. Në kohën që këta i hidhen Pal Zefi qëllon me hekur të dënuarin Medi Noku që futet për ta penguar në ndihmë të punonjësve të policisë si dhe punëtorin operativ dhe 3 nënoficera.

Policët e arrestuan por në çast për të mbrojtur të dënuarin Pal Zefi hidhen disa të dënuar të tjerë nga turma dhe ua  nxjerrin forcërisht nga duart dhe e marrin në mbrojtje. Njëkohësisht personat që ndërhynë kanë qëlluar me grushte dhe mjete të tjera punëtorin operativ dhe policët që u ndodhen atje dhe është zhvilluar njëfare përleshje që ka zgjatur rreth 0.5’. Ndër të dënuarit që kanë vepruar aktivisht kundër forcave të policisë janë: Jorgo Papa, Dashnor Kazazi, Pavllo Pope, Hasan Hibo, Pandi Sterjo, Muharrem Dyli, Rexhep Lazeri, Fadil Dushku, Sulo Veshi etj. Të dënuarit filluan që të grumbullohen dhe në këto rrethana punonjësit tanë tërhiqen.
Mbas largimit të tyre ata u acaruan dhe fillojnë të shajnë dhe të flasin kundër Partisë e pushtetit. Për këtë nga oficeri i rojes u njoftua komanda.

Nga ana e jonë u morën masa për ta normalizuar çështjen dhe për këtë fillimisht u muar kontakt me të dënuarit nga komisari i repartit oficer Shahin Skura dhe mbas pak kohe edhe nga oficer Sulejman Manoku, por edhe këtyre si të dënuarit e tjerë ashtu edhe Pal Zefi nuk iu bindën. Përfundimisht gjendja mbeti e nderë.
Në orën 15.30’ erdhi në vendin e ngjarjes grupi operativ i kryesuar nga prokurori i rrethit, shoku Zef Deda, shefi i policisë së rrethit oficer Rexhep Karaj, shefi seksionit të sigurimit oficer Gjergj Zefi dhe hetuesi i degës së punëve të brendshme oficer Shaban Dani.

Mbasi u njohën me situatën filluan veprimet e para. Në orën 17.00 u bë arrestimi i të dënuarit Pal Zefi dhe urgjentisht u nis për në degën e punëve të brendshme të Rrëshenit. Punonjësit tanë që kryen arrestimin u shoqëruan nga një turmë të dënuarish dhe ndërmjet tyre Dervish Bejko thirri: “Mos e arrestoni more të poshtër” dhe u bë zhurmë nga të tjerët. Për një kohë nuk pati tjetër reagim.
Në orën 18.00, mbas lëshimit të sanksionit nga prokurori, filloi puna për arrestimin edhe të 5 të dënuarve të tjerë. Kështu u bë arrestimi i të dënuarit Syrja Lame dhe u çua në dhomat e izolimit.

U thirr edhe i dënuari Pavlo Pope për ta arrestuar. Në këtë kohë në oborr e në tarracë grumbullohen shumë të dënuar, që filluan të lëvizin të revoltuar. I dënuari në fjalë tha vij vetë pa u lidhur. Këtë ne e bëmë për të qetësuar gjendjen. Në dalje refuzoi të vinte. Atëherë nga ana e punonjësve tonë ju tha: “rri, por ne do të të marrim ti nuk ke ku shkon, këtu të kemi” dhe pastaj u larguan. Të dënuarit të revoltuar tentuan të kapnin dhe të mbanin peng brenda në kamp hetuesin dhe prokurorin që ishin në infermieri të të dënuarve. Këtë e mësojnë rojet e brendshme dhe i nxjerrin në rrugë tjetër. Të dënuarit filluan të grumbullohen të revoltohen më shumë dhe të hedhin parulla “ja vdekje ja liri, ne nuk punojmë, ju jeni katila” etj. Të dënuarit fillojnë t’u afrohen rojeve të brendshme. Atëherë na urdhëruan që këto roje të dalin në zonën e ndaluar për të dënuarit dhe mbas pak me që gjendja filloi të acarohej më tepër i nxorrën jashtë rrethimit.

Në orën 21.00 të dënuarit thyen dhomat e izolimit dhe nxorrën ata që ishin aty. Meqenëse disa shkelën në zonën e ndaluar rojet hapën zjarr dhe ky zjarr u shoqërua edhe me breshëri të tjera nga drejtime të ndryshme për demonstrim nga ana e jonë. Turma e të dënuarve fillon të acarohet së tepërmi dhe grumbullohet në shesh dhe në tarrace, disa prej tyre si Skender Daja, Dervish Bejko dhe Bashkim Fiku filluan të mbajnë fjalim e të recitojnë poezi me përmbajtje kundër pushtetit popullor, thirrje për kryengritje etj. Demonstrimi i tyre vazhdoi dhe gjatë kësaj kohe u thanë këto parulla me përmbajtje kundërrevolucionare:
-Rroft ë Shqipëria e Lirë. Ja vdekje ja liri. Ne nuk punojmë as sot as mot. Ju jeni katila dhe kini lyer duart me gjakun tonë. Ushtria është me ne. Populli është me ne dhe kundër jush. Shokë ushtarë dorëzoni armët. Ju do të vini këtu se ju është ngushtuar rrethi. Do t’ju djegin si Stalinin. Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi. Poshtë komunistët. Rroftë Europa e lirë etj. Nga ana e komandës u muarrën masa të rrepta sigurimi dhe u bënë të gjitha përpjekjet që të mos kishte mundësi shpërthimi i kampit. Për gjendjen u njoftua dega e punëve të brendshme e rrethit dhe nëpërmjet saj edhe Ministria.

Të nxitur nga elementët organizatorë të dënuarit vazhduan ta thellojnë revoltën dhe tendencat armiqësore filluan të demonstrohen fuqimisht me thirrje për kryengritje dhe me veprime të ndryshme.
Rreth orës 3.00 të datës 22.5.1973 në katin e tretë të pallatit të tyre të dënuarit ngritën një flamur të shkruar prej tyre që me sa disponojmë ne duhet të jetë shkruar nga Mersin Vlashi dhe është ngritur nga persona që akoma nuk i kemi identifikuar dhe vazhdojmë punën në këtë drejtim.

Filluan të bëjnë mbledhjen e përfaqësuesve të krahinave për të përpunuar platformën dhe për të koordinuar veprimet në vazhdim të revoltës. Njëkohësisht për të konkluduar edhe për kërkesat ndaj nesh duke kërkuar lëshime si mos të dënohet asnjë njeri, të lirohen nga burgu se janë të pafajshëm dhe të mos punojnë asnjëherë nën tokë.
Komanda disa herë iu bëri thirrje për normalizimin e gjendjes, zbatimin e rregullave dhe dorëzimin e shkaktarëve. Një gjë të tillë ata e refuzuan.
Duke  vazhduar e thelluar veprimet e tyre ata dogjën këndin e emulacionit të kampit dhe materialet e tjera figurative, vend në të cilin shkruhen dhe vendosen parulla kundërrevolucionare.

Në orën 8.00 të datës 22.5.1973 iu bëri thirrje zv. Ministri i Punëve të Brendshme shoku Feçor Shehu për të vendosur rregull dhe të zbatonin rregulloren e brendshme. Në emër të të dënuarve një përfaqësi e përbërë nga Paulin Vata, Hajri Pasha dhe Nuri Stepa jo vetëm që nuk e përfilli këtë thirrje por iu kundër vu me këto kërkesa: Të mos dënohet asnjë fajtor, të mos punojnë asnjëherë në minierë, por të na kaloni në ndërtim, të bëhen amnisti sepse që kur u prishët me B.S. nuk kini bërë, të shikohet çështja e jonë për të na liruar sepse jemi pa faj. Në këtë kohë i dënuari Hajri Pasho shprehet me fjalë fyese kundër Partisë dhe pushtetit si dhe kundër zv. ministrit sh.Feçor Shehu duke i thënë: “ju është ngushtuar rrethi.

Ju do të vini këtu ku jam unë e tjera. Mbas kësaj të dënuarit të ashpërsuar filluan njëherë të hedhin parulla shpifëse në drejtim të Partisë dhe pushtetit e ndaj udhëheqësve të ndryshëm si dhe parullat “Ja vdekje ja liri”, ne do të fitojmë, rroftë Shqipëria e lirë, ne jemi në Europën e lirë, poshtë komunizmi etj. Në këto parulla mori pjesë pothuaj i gjithë efektivi i të dënuarve. Personat e përfaqësisë u larguan në mënyrë mospërfillëse dhe demonstrative.
Si rezultat i masave të marra dhe i ardhjes së reparteve të policisë dhe të ushtrisë nga Tirana, që shkaktuan një presion psikologjik tek të dënuarit ata përfundimisht në orën 9.00 të datës 23.5.1973 pranuan kushtet e vëna nga organet tona dhe në këtë mënyrë revolta u mposht dhe të gjithë të dënuarit u lidhën e u vunë nën kontrollin tonë.

Nuk pranuan të dënuarit Dashnor Kazazi, Skender Daja, Jorgji Pepa e Dervish Bejko që me hekura e dërrasa në duar hypën mbi tarracë dhe fillimisht nuk iu nënshtruan thirrjes duke bërtitur dhe ofenduar organet që kryejnë veprimet e përmendura. Organet e policisë duke vepruar me forcë dhe me të njëjtat mjete iu kundërvunë atyre dhe forcërisht i lidhën dhe i mposhtën.
Përveç sa sipër gjatë kontrollit në kamp u gjetën mjaft prova që vërtetuan se të dënuarit ishin të pregatitur për të rezistuar kundër forcave tona me mjete dhune. Kështu u gjetën sopata, sqepare, kazma, lopata, shufra hekuri etj, mjete me rrezikshmëri.

Ishin vendosur parulla me përmbajtje kundërrevolucionare. Me sa disponojmë neve në këtë veprimtari janë aktivizuar shumë elementë ndërmjet të cilëve të dënuar Pal Zefi , Dervish Bejko, Qani Dangëllia, Luan Koka, Skender Daja, Syrja Lame, Luan Burimi, Hajri Pasho, Hodo Sokoli, Paulin Vata, Pavllo Popa, Dashnor Kazazi etj. Këto veprime përbëjnë krime të rënda që parashikohen të dënohen nga Kodi Penal i RPSH, dhe karshi fajtorëve jemi të mendimit të merren masa.
KOMISARI I REPARTIT KOMANDANTI I REPARTIT
/SHAHIN SKURA/ /HAXHI GORO/
Spaç, 23 maj 1973

[gallery]22418[/gallery]

[gallery]22386[/gallery]

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prish provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarët kur si pëlqejnë vendimet

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prish provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarët kur si pëlqejnë vendimet