4,46 miliardë lekë, 'portofoli' i Kulturës rritet me 12% për 2024! Gjysma e buxhetit për ‘kantieret’ e hapura nga Teatri Kombëtar tek Parku i Artit

Me një buxhet rreth 4,46 miliardë lekësh, Ministria e Kulturës shënon një rritje prej 12 për qind krahasuar me vitin aktual, vetëm pagave u dedikohen 1.44 miliardë lekë, ndërsa për investimet përkatësisht gjysma e buxhetit 2.22 miliardë. 

Ministrja e Kulturës Elva Margariti gjatë diskutimit në parim në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, theksoi se mbi 198 milionë lekë janë parashikuar për Planifikim, menaxhim dhe administrim; Për Artin dhe Kulturën dedikohen 3.34 miliardë lekë ndërsa për Trashëgiminë kulturore dhe muzetë 916 milionë lekë.  

Lidhur me investimet Margariti përmendi finalizimin brenda 2024 të rikonstruksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve, procedurat e financimit të Parkut të Artit, që nisi me grant të Bashkimit Evropian për të vijuar me vlerë të dedikuar nga buxheti i shtetit si dhe shifrat për Teatrin Kombëtar. 

"Nisi ndërtimi i Teatrit të ri, që bashkë me Galerinë e Arteve, Muzeun “Besa”, Muzeun Etnografik të Tiranës te Sarajet do të krijojë një aks të rëndësishëm kulturor jo vetëm për kryeqytetin, por për të gjithë Shqipërinë. Vlera totale për ndërtimin e Teatrit është 4,8 miliardë lekë.Mbështetja për 2024 do të jetë 820 milionë lekë për zbatim dhe 275 milionë për pajisje mobilim.  E po ashtu po krijojmë një pol të ri kulturor, tanimë jo në qendër të Tiranës, por më në periferi, duke i rikthyer identitetin artistik një zone, që dikur ka qenë kryeqendra e kinematografisë shqiptare, ish-Kinostudios. E gjithë hapësira përreth Ministrisë së Kulturës po shndërrohet në një Park Arti, dedikuar artistëve dhe komunitetit. 
E nisëm me një fond prej 1 milion euro të Bashkimit Europian për të vijuar me buxhetin e shtetit në masën 140 milionë lekë. 
", u shpreh Margariti

Teksa më tej diskutoi për vijimin e punës për  Planin e Menaxhimit të Durrësit dhe Projektit TID.

"Një proces shndërrimi rrënjësor kemi nisur në Durrës, ku synon rigjallërimin e dimensionit kulturor të këtij qyteti, duke rinxjerrë në pah vlerat e jashtëzakonshme që ka trashëgimia kulturore e këtij qyteti. Një proces që do të vijojë me ritme më të shpejta në vitin 2024. Bashkë me partnerin tonë AADF realizuam hartimin e Planit të Menaxhimit të Zonës Arkeologjike A dhe B në Durrës, që bën bashkë dhe koordinon të gjitha investimet në këtë zonë. Një prej projekteve madhore ka të bëjë me rikualifikimin e vlerave që mbart Amfiteatri, banjat romake, Forumi bizantin, të cilat do të lidhen përmesh shtigjesh urbane që do të ndërtojnë një hartë të plotë të trashëgimisë në këtë qytet.  Gjatë këtij viti do të angazhojmë një buxhet prej 120 milionë lekësh. E kemi nisur punën me shpronësimet, një proces që do të vijojë edhe gjatë vitit 2023, ndërsa do të nisë procesi i gërmimeve në amfiteatër në masën 47 milionë lekë dhe rehabilitimin e kësaj zone në mësën 11,2 milionë lekë. Është një moment i shumëpritur për të nxjerrë në dritë një nga monumentet më domethënëse për qytetin, por edhe për gjithë Shqipërinë, që i hap një horizont të ri studiuesve dhe kërkuesve të fushës. Por nuk ndalemi vetëm te arkeologjia. Siç e përmenda dhe më sipër, Plani i Menaxhimit rrok gjithë hapësirën me vlera të veçanta kulturore, pjesë e të cilit është edhe Teatri „Aleksandër Moisiu“, i cili do t’i nënshtrohet restaurimit me një buxhet prej 55,7 milionë lekësh.
Një tjetër projekt është ai i ngritjes së një zone TID në Durrës, mbi përvojat më të mira në të tjera qytete të Shqipërisë, si Gjirokastra, Tirana, Vlora, në bashkëpunim me partnerin tonë AADF. Puna nisi me hartimin e projektit gjatë këtij viti dhe do të nisë puna me financimin e donatorit, duke filluar me rehabilitimin e Bulevardit  'Epidamn'", u shpreh më tej ministrja e Kulturës.

Deputeti Ismet Beqiraj ngriti shqetësimin për neglizhimin e Planit të Menaxhimit të Bylisit, të nisur prej marrjes së detyrës së Margaritit, me drojtjen se ndoshta Bashkimi Evropian për shkak të kësaj zvarritje mund të anulonte fondin.Ministrja shpjegoi se agjencia italiane zbatuese e këtij projekti që parashikohet të realizohet tërësisht përmesdonatorëve (BE, në këtë rast),  ka folur gjatë një takimi të këtyre javëve për realizimine Planit brenda 2026-ës. 

Në komision u diskutuan të tjera çështje si dosjet për në UNESCO, zvarritja e restaurimit të Urës së Zogut (për të cilën Margariti bën thirrje për angazhimin e të gjithë aktorëve dhe thotë se shirat e fundit nuk kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme) si dhe mbështetja për artistët e rinj.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:07
'Ura e Zogut' në rrezik, 'ngec' projekti i ndërhyrjes, Margariti: Kompanitë ta pranojnë sfidën për implementimin!

Monument Kulture i Kategorisë së parë, 'Ura e Zogut' e ndërtuar në vitin 1927 vijon të jetë në rrezik. Ndonëse në krye të këtij viti, pas thirrjeve të njëpasnjëshme u miratua një projekt për ndërhyrje emergjente në objekt, ende nuk është zbatuar. Duke qenë se komuniteti dhe aktivistë, kërkuan angazhimin e instancave, parë vështirësitë e shtuara pas shirave të ditëve të fundit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u pyet këtë të hënë në Komisionin për Edukim lidhur me ecurinë e punës. 

"Është e vërtetë që kemi hartuar një projekt në bazë të Paktit për Universitetin dhe jemi në monitorim të vazhdueshëm. Ura e Zogut, në reshjet e fundit nuk më rezulton të ketë pasur goditje madhore, edhe pse ky nuk është një justifikim. Ne kemi hapur disa herë thirrjen drejtuar kompanive për implementimin e projektit, është një projekt ambicioz, pasi përtej faktit që është një monnument kulture, është një vepër inxhinierike komplekse. Projekti që ne kemi hartuar së bashku me profesionistët e Fakultetit të Inxhinierësë, është ruajtja emergjente duke pasur parasysh dëmtimin veçmas të një prej këmbëve (është zhvendosur në mbi 2 m e 40 cm) . Uroj për implementimin deri në fund të vitit të projektit, që varet jo vetëm nga Ministria e Kulturës, por nga të gjithë aktorët. Dhe shpresoj të bëhen bashkë disa kompani dhe ta pranojnë këtë sfidë e cila shpesh herë na ngel ne mbi supe, por është një sfidë e përbashkët e një komuniteti të gjërë", u shpreh Margariti. 


Ura e Zogut, e veçantë edhe për shkak të harqeve të saj, është renditur nga organizata "Europa Nostra" një ndër 7 monumentet më të rrezikuara në Evropë, 

Ora 22:31
Plan Menaxhimi për ish-kamp-burgun e Spaçit, nis në 2024-ën. Ndreca: Aty vuajti elita, të punohet me ritme më të shpejta

Gjatë diskutimit në parim të Buxhetit për Ministrinë e Kulturës për 2024-ën, të mbajtur këtë të hënë, deputeti Eduard Ndreca foli rreth kthimit të kamp-burgut të Spaçit, në një Muze si dëshmi e vuajtjeve të ish- të përndjekurve politikë. 

"Ajo që unë do të doja është që ritmet e kësaj pune të ishin më të shpejta, edhe pse burgu i Spaçit ka qenë vend vuajtje për elitën", u shpreh deputeti Ndreca.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se tashmë ka një projekt konkret për rehabilitimin dhe menaxhimin e kësaj hapësire që është nën mbrojtjen e MK-së.


"Si një projekt me potencial të jashtëzakonshëm jo vetëm për ruajtjen e kujtesës dhe përcjelljes te brezat e rinj, por edhe në aspektin e turizmit kulturor është edhe rehabilitimi i ambienteve të Burgut të Spaçit, i cili është një objekt nën mbrojtjen e Ministrisë së Kulturës. Tashmë ky proces ka nisur dhe në bashkëpunim me donatorë (CHËB) kemi hartuar Planin e Menaxhimit të Burgut të Spaçit. Po ashtu kemi mbështetur projekte artistike që vlejnë për dokumentimin e kujtesës, si në rastin e realizimit të dokumentarëve apo hartimin  e projektit të rehabilitimit të 7 godinave dhe ambienteve përreth, si dhe nisjen e rehabilitimit të objekteve dhe ambienteve të burgut të Spaçit. Zbatimi i projektit vlerësohet në shumën 212.5 mln lekë dhe për vitin 2024 nga buxheti i shtetit është parashikuar një shumë prej 70 milionë lekësh" u shpreh ministrja Margariti.
 

K.M//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë