Në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja u ndal te një prej problematikave më të shpeshta te meshkujt, veçanërisht pas moshës 45-vjeçare: shëndeti i prostatës dhe zmadhimi i saj me kalimin e moshës. Gjatë bisedës, Merja foli për problemet më të zakonshme që prekin prostatën, simptomat që shoqërojnë këto problematika, si edhe për rolin që mund të kenë ushqyerja dhe bimët mjekësore në kujdesin ndaj saj.

Prostata është një gjëndër e sistemit riprodhues mashkullor, e cila prodhon lëngun prostatik dhe luan një rol të rëndësishëm në funksionin riprodhues.

“Prostata është gjëndër hormonale mashkullore me sekrecion të brendshëm. Funksioni i saj është të prodhojë lëngun prostatik, një sekrecion qumështor që ushqen spermatozoidët, ndihmon që ata të lëvizin lirshëm dhe kontribuon në mbrojtjen e rrugëve ku kalojnë spermatozoidët”, u shpreh Merja.

Cilat janë problemet më të shpeshta të prostatës?

Ndër problematikat kryesore që prekin prostatën përmenden: Prostatiti, ose inflamacioni i prostatës; zmadhimi beninj i prostatës, kanceri i prostatës.

Sipas Ylli Merjas, inflamacioni i prostatës mund të shoqërohet me simptoma të ndryshme, ndër të cilat:

·         Dhimbje në pjesën pelvike

·         Dhimbje ose djegie gjatë urinimit

·         Nevojë e shpeshtë për të urinuar

·         Vështirësi në urinim

·         Ndjesi e pamundësisë për të zbrazur fshikëzën

·         Dhimbje gjatë ejakulimit

Sipas tij, faktorët që mund të lidhen me inflamacionin e prostatës përfshijnë infeksionet bakteriale të rrugëve urinare, dëmtimet fizike të prostatës, stresin, disa infeksione seksualisht të transmetueshme, si edhe probleme të tjera të traktit urinar.

Zmadhimi beninj i prostatës

Zmadhimi beninj i prostatës është një problem i zakonshëm me rritjen e moshës. Ndër simptomat që mund të shfaqen janë:

·         Vështirësi në nisjen e urinimit

·         Rrjedhje e dobët ose e ndërprerë e urinës

·         Ndjesi e moszbrazjes së plotë të fshikëzës

·         Urinim i shpeshtë

·         Urgjencë për të urinuar

·         Rrjedhje e urinës me pika

·         Qëndrim i zgjatur në tualet

Sipas specialistit të bimëve mjekësore Ylli Merja, në problemet që lidhen me prostatën mund të ndikojnë disa faktorë, ndër të cilët ai përmendi çrregullimet hormonale, uljen e testosteronit, mungesat e disa mikroelementeve ushqyese, qëndrimin e zgjatur ulur, si edhe faktorët trashëgues. Merja përmendi gjithashtu kalcifikimet e prostatës si një tjetër faktor që, sipas tij, lidhet me problematikat e saj.

“Në Shqipëri njihen shumë bimë të cilat vijnë në ndihmë në trajtimin e problemeve të prostatës”, u shpreh Ylli Merja, duke sugjeruar përdorimin e disa bimëve dhe farave, të shoqëruara me një regjim të rregullt ushqimor.

Ndër bimët që ai përmendi janë:

·         Bimë që përdoren tradicionalisht për nxitjen e urinimit: hithra, trëndafili i egër, mustaqet e misrit, bishtat e qershisë dhe rrushi i ariut.

·         Fara të përdorura në kujdesin tradicional për shëndetin e prostatës: gjembgomari, gjembaçi, farat e hithrës, arrat, farat e kungullit dhe bajamet.

·         Fara të pasura me acide yndyrore dhe përbërës ushqyes, të cilat Merja i përfshiu në rekomandimet e tij ushqimore.

·         Bimë me përdorim tradicional për vetitë antibakteriale: dëllinja, karafili i egër, trumza, rigoni etj.

·         Bimë të tjera që, sipas Merjas, përdoren në kura bimore të lidhura me shëndetin e prostatës, ndër to Galium verum, Galium aparine dhe radhiqja.

Merja sugjeroi që përdorimi i bimëve të shoqërohet me një regjim të rregullt ushqimor dhe kujdes ndaj stilit të jetesës. Ndërkohë, çdo simptomë e vazhdueshme urinare apo shqetësim lidhur me prostatën kërkon vlerësim dhe këshillim mjekësor.

Rëndësia e ushqyerjes

Përveç bimëve mjekësore, Merja theksoi edhe rëndësinë e një regjimi të rregullt ushqimor. Ndër këshillat e tij ishin:

·         Kufizimi i konsumit të mishit të kuq

·         Konsumi i moderuar i vezëve

·         Përfshirja e perimeve dhe zarzavateve që përmbajnë antioksidantë dhe likopene në dietën e përditshme

·         Konsumi i farave të kungullit, arrave, farave të lirit, farë e zezë, hithra

·         Përdorimi i vajit të rigonit, vajit të lirit dhe vajit të farave të kungullit

Ai përmendi gjithashtu disa përgatitje dhe produkte bimore, si çajrat për prostatën, duke dhënë edhe mënyra konkrete përdorimi gjatë bisedës.

Shënim i redaksisë: Megjithatë, simptomat urinare nuk duhet të vetëdiagnostikohen dhe trajtimi i problemeve të prostatës duhet të përcaktohet nga mjeku. Veçanërisht në rastet e dhimbjes, vështirësisë së urinimit, gjakut në urinë ose ndryshimeve të vazhdueshme urinare, rekomandohet vlerësimi mjekësor. Bimët mjekësore nuk duhet të zëvendësojnë diagnostikimin apo trajtimin e përshkruar nga mjeku, ato janë një ndihmesë për shëndetin e prostatës.