45 mijë familje gjermane dhe mbi 2000 biznese mbetën pa energji elektrike dhe ngrohje, fundjavën e parë të vitit 2026, pas një sulmi zjarrvënieje në rrjetin energjitik të Berlinit. Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi i majtë radikal Vulkangruppe, i cili në një tekst të gjatë të shpërndarë online deklaroi se synimi ishte “t’u pritej energjia klasave sunduese”.

Grupi e justifikoi aktin si “veprim në interes publik”, duke e lidhur me krizën klimatike, përdorimin e lëndëve djegëse fosile dhe konsumin e madh të energjisë nga qendrat e të dhënave për inteligjencën artificiale.

Sulmi ndodhi në orët e para të së shtunës, pranë një ure mbi kanalin Teltow, në jugperëndim të kryeqytetit gjerman, ku u dëmtuan disa kabllo të tensionit të lartë pranë centralit të energjisë në Lichterfelde.

Në deklaratë, militantët pretendojnë se teknologjia dhe kompanitë e mëdha po krijojnë një shoqëri gjithnjë e më të kontrolluar dhe se shoqëria po shkon drejt një të ardhmeje ku “njerëzit do të ulen para ekraneve të ndritshme, ndërsa do të vdesin nga uria dhe etja”. Ata kërkuan ndjesë për banorët me të ardhura të ulëta që u prekën nga ndërprerja e energjisë, por shtuan se “keqardhja është e kufizuar” për zonat e pasura të qytetit.

Autoritetet gjermane kanë nisur hetime për terrorizëm dhe sabotazh të infrastrukturës kritike. Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Kai Wegner, e cilësoi sulmin si “politikisht të motivuar” dhe paralajmëroi se akte të tilla rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, veçanërisht të të moshuarve dhe pacientëve në spitale.

Ndërprerja e energjisë ka shkaktuar probleme të shumta: rrjetet celulare ranë përkohësisht, policia përdori altoparlantë për të informuar qytetarët, linja hekurudhore u ndërprenë dhe shumë shkolla rrezikojnë të shtyjnë rikthimin e nxënësve pas pushimeve. Riparimet po ecin me vështirësi për shkak të motit të ftohtë dhe borës, ndërsa disa zona mund të mbeten pa energji deri më 8 janar.

Sulmi ka ndezur shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës energjetike në Gjermani. Fillimisht u përfol edhe për sabotazh të huaj, kryesisht nga Rusia, por fakti që vetë grupi radikal e mori sulmin për sipër nënkupton se rrjeti energjetik është shndërruar në një objektiv të ri të ekstremizmit ideologjik.