TIRANE- Infrastruktura e transportit në të katër anët e vendit është një nga pikat prioritare të Planit të Përgjithshëm Kombëtar. Me qëllim realizimin e integrimit hapësinor të vendit dhe të shpërndarjes së balancuar të flukseve brenda territorit të tij, Plani ka sugjeruar përfundimin e pesë korridoreve rrugore brenda vitit 2020 si dhe vënien në funksion të aeroportit të Kukësit dhe ndërtimin e një aeroporti të ri në Delvinë të Sarandës. Kësisoj, në projektet rrugore strategjike parashikohet që Rruga e Arbërit dhe Korridori Blu Veri-Jug, të përfundojnë brenda katër viteve. Vitalizmi i infrastrukturës rrugore dhe asaj ajrore, pritet të gjallërojë të ardhura të konsiderueshme në buxhetin e shtetit.