‘5 pyetjet nga Babaramo’/ Kaso: Berisha po persekutohet nga SPAK, drejt diktaturës! Pëllumbi: I hoqëm politikës drejtësinë nga duart, mezi i presim zgjedhjet!

Zgjedhjet e vitit 2025 po afrojnë dhe politika është e përfshirë edhe në përplasje jashtë Parlamentit, ku tema më e nxehtë është ajo e dosjes “Partizani” të SPAK, që ka marrë nën akuzë ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe dy ndërtues.

Por a ndikon ky hetim tek elektorati i djathtë dhe a do ketë një kosto për opozitën? A do e arrijë Edi Rama një mandat të katërt?

Kjo dhe tema të tjera si mandati i Olta Xhaçkës apo dhe fushata e ardhshme elektorale, ishin temat e debatit të zhvilluar sot në mbrëmje në emisionin “Pesë pyetje nga Babaramo”, në Report TV.

Të ftuarit e panelit ishin Arben Pëllumbi, deputet dhe anëtar i kryesisë së PS, përballë anëtarit të kryesisë së PD dhe kreut politik për qarkun Korçë, Ivi Kaso, gazetari Flogert Muça, dhe juristi i përfshirë në politikën e opozitës Skerdian Dhuli.

Dueli Rama-Berisha, kush fiton zgjedhjet dhe a përbën handikap që opozita të kërkojë votat e shqiptarëve me kryetarin e saj të akuzuar për korrupsion? Kjo ishte pyetja kryesore e moderatorit Babaramo.

Ivi Kaso u shpreh se ky ishte persekutim politik ndaj kreut të opozitës, Sali Berisha dhe familjes së tij.

“Politikisht e motivuar dhe me një kallëzim të rremë si bazë. Kemi një dosje me 9 muaj hetime për Berishën dhe familjen e tij, pse ka miratuar ligje dhe akte ligjore me VKM, duke hetuar edhe brezin e tretë të tij, por edhe 20 vjet aktivitet të PD-sa. Dhe akuza e vetme është pse ka hartuar ligje dhe VKM, që kanë kaluar dhe votuar në Parlament apo qeveria, ku nga 450 mijë familje, një është ajo e familjes Jamarbër Malltezi, dhëndrit të tij, një fragment i vogël i pronës”, tha Kaso.

Ai theksoi se problem dhe njollë e rëndë që mund të kishte kosto në fushatën e ardhshme do ishte një akuzë për korrupsion.

“Ky është keqpërdorim i institucioneve të reja të drejtësisë, për të goditur liderin e opozitës dhe përbën zero handikap për fushatën e ardhshme. Nuk ka budalla në botë që beson se Berisha ka miratuar ligje dhe akte duke bërë korrupsion”, tha Kaso

Kurse deputeti Pëllumbi, pyetjes nëse duke u përqendruar te Berisha kthehet në bumerang politik për mazhorancën, sikurse në vitin 2005, kur akuzohej për 1997, iu përgjigj:

“Nuk jemi më në vitin 2005, PS ka bërë riorganizim, rizgjedhje përzgjedhje, sfidën e parë e kemi me veten, me avantazhe e disavantazhe dhe me peshën e 3 mandateve. Rasti është çështje e drejtësisë. Zotin Berisha e lidh me Gërdecin dhe 21 Janarin, s’po flas për 97 dhe 98, se ato kaluan në 2005, por e lidh me këto. Opozita ka konflikte të brendshme, duke parë 2021 që Berisha u largua nga PD dhe grupi parlamentar”.

Kurse juristi Dhuli u shpreh se SPAK vepron me “sensor politik” jo vetëm me Berishën, por edhe me raste të tjera, duke iu kthyer edhe mazhorancës. Ai preku rastin e mandatit të Olta Xhaçkës, duke akuzuar PS se nuk zbatoi një vendim.

“Parlamenti shpëtoi mandatin e Olta Xhacka, se di si ka votuar zoti Pëllumbi, por tani i bie që të kërkohet edhe lirimi i Jorgo Goros nga burgu. Gjykata Kushtetuese thotë e kam unë tagrin, ju thoni jo.

Kurse gazetari Muça u shpreh për dy standardet që ndjek Sali Berisha dhe që dëmtojnë opozitën me sulmet që ai i bën drejtësisë së re.

“Berisha duartroket kur çon dosje në SPAK për ministra, ish-ministra socialistë, drejtorë, ose kur ata arrestohen dhe dënohen. Ndërkohë që kur ky SPAK-u nis hetime ndaj tij, i sulmon. Unë besoj se formulimi për Berishën në fillim është bërë gabim, por kjo nuk e prek çështjen në tërësi”.

Kurse Kaso vuri në dukje indiferencën e Kushtetueses tek ky rast, edhe pse një e pesta e deputetëve të opozitës iu drejtuan për veprim antikushtetues nga ana e SPAK për arrestin shtëpiak të Berishës pa iu drejtuar Parlamentit në fillim.

“Ka konstitucionalistë dhe juristë kafenesh që dalin me ekspertë se ata që janë per atë punë”, tha Kaso.  

Kurse për mandatin e Xhaçkës, deputeti Pëllumbi shpjegoi se PS ia dërgoi Venecias pasi kishte nevojë për sqarim ligjor, sepse nga opozita ishin bërë dy kërkesa iniciativa, e para me 1 të 5 e deputetëve që vuri në lëvizje Kushtetuesen dhe që u pushua dhe e dyta me 1 të 10-at e deputetëve ku Kushtetuesja nuk u vu në lëvizje.

“Gjykata Kushtetuese e ka gjykuar në themel duke thënë se nuk ka çështje. Debati është mbyllur. Në Venecia shkojmë për çështjen tjetër, se ishte dhe një iniciativë e dytë, nga grupi në konflikt brenda opozitës”, tha Pëllumbi.

Por Kaso u shpreh se PS nuk zbatoi vendimin e Kushtetueses, e kritikuar kjo edhe nga ambasada e SHBA dhe BE-së.

“Kushtetuesja thotë pushoi shqyrtimin dhe i tha Kuvendit se jeni ju të detyruar të ma sillni mandati e Xhaçkës, por ju e refuzuat dy herë. Votuan kundër këta. E solli prapë Gjykata Kushtetuese dhe thotë Kuvendi s’ka diskrecion të gjykoj vendimin tonë, por ta sjellin dhe të zbatojnë vendimin. Pra Kuvendi të mblidhet dhe ta çojë mandatin në Kushtetuese. Ju përsëri nuk e dërguat. Venecia nuk e jep, kjo bëhet për ta zvarritur 6 muaj të tjerë”, tha Kaso.

Në lidhje me fushatën, të ftuarit ndanë mendimin se do të ishte e përzier me programe dhe me dosjet e SPAK-ut, pasi ky ishte një proces i vazhdueshëm, pasi drejtësia është aktive. Gazetari Muça theksoi se “Doktori po luan rolin e viktimës për të ndezur entuziazëm, kurse Rama do vendosë fytyrën e Berishës dhe Metës para elektoratit, duke u kujtuar bëmat”.

“Opozita po vepron gabim me SPAK-un, ka kosto politike. Ai institucion gëzon 80 për qind mbështetjen e qytetarëve. Bie kredibiliteti, njëlloj si në rastet e Palokës dhe Bardhit kur thoshin se do largoheshin po të humbnin apo po të kthehej Berisha në PD”, kujtoi gazetari.

Juristi Dhuli tha se “derisa shkojmë në SPAK e bëjmë denoncime, do të thotë se i besojmë”.

Kurse deputeti Pëllumbi u shpreh se “i gjithë kuadri ligjor është bërë që drejtësia e re dhe SPAK të jenë të pavarur dhe po funksionojnë më mirë se çfarë ka qenë drejtësia më parë”.

Kjo shkaktoi debate të forta në studio, pasi Kaso dhe Dhuli pretenduan se drejtësia e re është e kapur.

“Ne ia hoqëm duart politikës nga drejtësia, nga SPAK-u”, tha Pëllumbi.

“Nuk është e pavarur. S’ka asnjë provë, zero evidenca në prova, nuk është histori suksesi. SPAK nuk mund të na rregullojë kulturën demokratike që na ka munguar për 30 vite. Nuk shoh zgjidhje magjike apo lumturi edhe tek SPAK. Ju keni emëruar çdo person me lidhje politike, ka ish-ministra socialistë te drejtësia e re, ish-kryetarë të KLD e titullarë të PS, ke inspektorin e lartë të drejtësisë në drejtësinë e re”, iu përgjigj Kaso.

Edhe Dhuli kujtoi prokurorin Arben Kraja se ka punuar në kohën e monizmit dhe prej 34 vitesh është ende prokuror që po heton dhe Berishën. “Si qenka drejtësi e re kjo?”, u shpreh ai.

Kurse gazetari Muça kritikoi linjën që ndjek Berisha dhe që ndiqet nga të tjerët.

“E kupton se çfarë ndodh t’i dalësh nga linja doktorit? Nga Silvia Konti bëhesh lavire bulevardi, si te rasti i 21 Janarit me Ina Ramën, që donte të bënte një herë të vetme detyrën. Berisha sillet njëlloj me drejtësinë, si në pozitë, ashtu dhe në opozitë”, tha ai.

Por Kaso u shpreh se “vetëm kuajt e ngordhur të Ramës janë marrë nën hetim nga SPAK”. Dhuli përmendi faktin se shumë drejtues të lartë politik të PS janë të akuzuar dhe arrestuar, sidomos aksi Fier-Durrës.

“Edi Rama ka qeverinë më të korruptuar të Botës dhe Europës, e thotë edhe DASH. Ilir Beqja, ndër më të korruptuarit për mendimin tim, hetohej për korrupsion dhe vazhdonte vidhte, derisa SPAK e arrestoi”, u shpreh ai.

“Nëse është drejtësi e Ramës, pse prek njerëzit e Ramës?”, pyeti gazetari Muça dy debutuesit opozitarë, teksa u kujtoi dhe kritikoi se po humbin vota duke sulmuar SPAK-un.

Deputeti Pëllumbi tha se “fushata do program, frymë dhe lidershqip, ndaj ne kemi një vit e gjysmë që kemi nisur punën për zgjedhjet e vitit 2025”.

Ai kujtoi arritjet e PS dhe qeverisë, “nga 12,5 mld që e gjetm GDP, ka shkuar 25 mld. Rrogat janë rritur pensionet janë rritur, njerëzve u intereson ekonomia”.

Por Kaso i kujtoi se “shtabi elektoral i PS në Shkodër është akuzuar te dosja Metamorfoza”, apo se “në disa qarqe drejtuesit politikë janë emra të tjerë, si Vangjush Dako” dhe jo ata që janë publikuar.

Deputeti Pëllumbi me ironi iu kthye duke i thënë se “domethëne i paskemi të fituara ne zgjedhjet”.

Kaso këmbënguli tek kërkesa për qeveri teknike, pasi shtoi se “kështu do të kemi mundësi të zhvillojmë zgjedhje në kushte e rregulla të barabarta loje, për zgjedhje të lira”.

Teksa Kaso kujtoi lidhjet e PS me grupe kriminale, Pëllumbi iu kundërpërgjigj:

“A të të them se çfarë bandash keni qenë më 2013, të të them me çfarë keni qenë më para?”

Në fund të ftuarit dhanë mendimin për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Nëse zgjedhjet e 2025 do të jenë si të 2021 dhe 2023, ky vend shkon në diktaturë”, tha Kaso.

Juristi Dhuli u shpreh se “Rama do mundet se është me qeverinë më të korruptuar të botës”.

Por deputeti Pëllumbi tha se:

“Ne jemi gati t’i mundim që sot, ndaj i duam zgjedhjet sa më afër, e i kërkuam të dielën e parë të muajit Maj. Mezi i presim!”.

Gazetari Muça kujtoi faktin se “Berisha flet për zgjedhje të lira, kur vetë më 1996 i ka vjedhur”:

"Ju nuk mbushni me shpresë, ndaj ikën rinia”, kujtoi ai ndaj panelistëve opozitarë.

A.Q/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë