5 vite nga vrasja e efektivit në Lazarat/ Lleshaj: Ibrahim Basha shembull për policët e tjerë që nuk janë në lartësinë e detyrës

TIRANË- Një shembull, motiv për brezat e rinj, e ka cilësuar ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, efektivin e policisë Ibrahim Basha, i cili u vra në krye të detyrës.

Në 5 vjetorin e tij të vdekjes, ministri Lleshaj, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kolegë dhe familjarë të tij, nderuan sot në 5-vjetorin e rënies në krye të detyrës, Ibrahim Bashën, i shpallur  Dëshmori i Atdheut. Ndryshe nga vitet e tjera në këtë ceremoni përkujtimore, ka qenë më të pakët në numër, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. 

Lleshaj ka folur me superlativa për Ibrahimin, i cili tha se është shembull për ata efektiv policie të Policisë së Shtetit, por që nuk janë në lartësinë e duhur, edhe pse sipas tij nuk janë të shumtë në numër.

"Mesazhi dhe sakrifica e Ibrahim Bashës, reflektohet, duhet të reflektohet dhe do të reflektohet në angazhimin e përditshëm të Policisë së Shtetit për ta pastruar Shqipërinë nga krimi, nga kanabisi, për ta pastruar Policinë nga ata që nuk janë ende në lartësinë apo të denjë për të shërbyer në radhët e saj, sepse tek-tuk edhe ka të tillë, me qëllim që ne t’i hapim rrugë, një Shqipërie të re, një Shqipërie pa krim, një Shqipërie me prosperitet, një brezi të ri, i cili e ndërton të ardhmen te puna e ndershme dhe jo te krimi. T’i hapim rrugë, një Shqipërie, e cila ecën përditë e më shpejt në rrugën e saj europiane, duke qenë të bindur se vetëm integrimi europian i Shqipërisë, do të jetë edhe plotësimi i ëndrrave të shumë shqiptarëve, edhe plotësimi i ëndrrës së Ibrahim Bashës, i cili pikërisht kësaj të ardhmeje, kësaj ëndrre të madhe, i kushtoi edhe jetën e gjakun e tij", tha Lleshaj në fjalën e tij.

Si ndodhi ngjarja
Mesnatën, duke u gdhirë data 24 qershor 2015, kur ministria e Brendshme Drejtohej nga Saimir Tahiri, forcat e policisë nisën një operacion në zonën e Lazaratit, pasi kishin informacione se disa të rinj po përgatiteshin për veprime kriminale. Gjatë kontrolleve, pranë qendrës së fshatit, forcat speciale të Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xhulio Malo, i cili po drejtonte një mjet, ku gjendeshin armë të ndryshme dhe lëndë narkotike kokainë. Pas arrestimit, forcat speciale kanë njoftuar kolegët e tyre, të cilët gjendeshin në një furgon, për të realizuar shoqërimin e Malos. Në momentin që furgoni po afrohej, ndaj tij është qëlluar me armë zjarri, nga një largësi rreth 200 metra. Nga goditjet me armë ka mbetur i vdekur efektivi i policisë, Ibrahim Basha, si edhe janë plagosur efektivët Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj. Në vijim të operacionit policor dhe, më tej, nga hetimet e drejtuara nga Prokuroria për Krime të Rënda, u arrit të identifikoheshin dhe të arrestoheshin 11 pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal.

Fjala e plotë e ministrit Sandër Lleshaj
Sot vërtetë jemi mbledhur pak, këtu në këtë kënd të ri të “Varrezave të Dëshmorëve”, ku prehen eshtrat e shumë djemve të rinj, që dhanë jetën së fundmi për Shqipërinë. Me këtë rast, së pari, dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e thella për familjen e Ibrahim Bashës, të cilët prej 5 vitesh përjetojnë një mungesë të madhe, një mungesë të jashtëzakonshme. U mungon djali, u mungon vëllai, u mungon i dashuri i tyre. Por besoj se njëkohësisht prej 5 vitesh familja e Ibrahim Bashës kompensohet disi me një ndjenjë të fortë mirënjohjeje, respekti, e cila buron nga zemrat e të gjithë shqiptarëve. Besojmë që përmes respektit dhe mirënjohjes tonë ne do të kontribuojmë për ta lehtësuar sadopak barrën e madhe që kjo familje përjeton. Ashtu sikundër përmes respektit dhe mirënjohjes ndaj “Dëshmorëve të Atdheut”, anëtarë të PSH, apo anëtarë të Forcave të Armatosura, sepse në këtë kënd janë bashkë, edhe pjesëtarët e Policisë së Shtetit dhe të Forcave të Armatosura, që kanë dhënë jetën për Shqipërinë.

Përmes kësaj mirënjohjeje ne kontribuojmë për të lehtësuar sado pak dhimbjen dhe mungesën e përjetshme të familjeve të tyre, përmes një devocioni të përjetshëm. Ashtu sikundër përmes këtij respekti dhe kësaj mirënjohjeje ne kontribuojmë që brezat e rinj të Shqipërisë të mos harrojnë kurrë, se çfarë sakrifice është bërë për ta, çfarë humbjeje është bërë në emër të tyre, sa gjak është derdhur në emër të tyre, të së ardhmes së tyre.

Besoj dhe shpresoj fort që të gjithë qytetarët e këtij vendi, sidomos rinia e këtij vendi do ta vijojnë traditën e mrekullueshme të respektit ndaj atyre që dhanë atë që kishin më të shtrenjtë, jetën e tyre, për Shqipërinë dhe për të ardhmen tonë.

Ibrahim Basha ishte një djalë i ri shqiptar, i cili e filloi karrierën në shërbim të Shqipërisë si ushtarak i Forcave të Armatosura, që shërbeu brenda dhe jashtë Shqipërisë në misionet e Forcave të Armatosura e më pas u bashkua me repartin elitë të Policisë së Shtetit. Kudo që ishte, edhe në Forcat e Armatosura edhe në Policinë e Shtetit, ai shkëlqeu me angazhimin, me patriotizmin, me profesionalizmin dhe dha një mesazh të jashtëzakonshëm për gjithë shqiptarët, për gjithë Policinë e Shtetit dhe jam i bindur që Policia e Shtetit do ta ketë përherë në ballë të krenarisë së vet Ibrahim Bashën dhe të 224 dëshmorët e tjerë të saj, të cilët janë krenaria e Policisë, krenaria e Shqipërisë, janë motivimi i madh i brezave që vijnë.

Ibrahim Basha u vra në një përpjekje me krimin e organizuar, i cili ende përpiqej të ruante të paprekur një njollë turpi në historinë e Shqipërisë, e cila lidhet me krijimin e një vatre të rrezikshme të kultivimit të kanabisit në Lazarat.Falën angazhimit, sakrificës së Ibrahim Bashës dhe shumë të tjerëve, Shqipëria arriti që ta heqë këtë njollë, ndërkohë që puna për të vijuar pastrimin përfundimtar të Shqipërisë nga kanabisi dhe fenomeneve të tjera kriminale vazhdon.

Mesazhi dhe sakrifica e Ibrahim Bashës, reflektohet, duhet të reflektohet dhe do të reflektohet në angazhimin e përditshëm të Policisë së Shtetit për ta pastruar Shqipërinë nga krimi, nga kanabisi, për ta pastruar Policinë nga ata që nuk janë ende në lartësinë apo të denjë për të shërbyer në radhët e saj, sepse tek-tuk edhe ka të tillë, me qëllim që ne t’i hapim rrugë, një Shqipërie të re, një Shqipërie pa krim, një Shqipërie me prosperitet, një brezi të ri, i cili e ndërton të ardhmen te puna e ndershme dhe jo te krimi. T’i hapim rrugë, një Shqipërie, e cila ecën përditë e më shpejt në rrugën e saj europiane, duke qenë të bindur se vetëm integrimi europian i Shqipërisë, do të jetë edhe plotësimi i ëndrrave të shumë shqiptarëve, edhe plotësimi i ëndrrës së Ibrahim Bashës, i cili pikërisht kësaj të ardhmeje, kësaj ëndrre të madhe, i kushtoi edhe jetën e gjakun e tij.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Ibrahim Bashës dhe i gjithë dëshmorëve të tjerë të Policisë së Shtetit dhe gjithë dëshmorëve të tjerë të Shqipërisë!

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arberi: 24/06/2020 15:08

    Qofte i xhenetit! Zoti e forcofte familjen!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Report Tv, Namir Lapardhaja: PS ka rritje, prej 'luftës civile' në PD! Partitë e reja të gjejnë forcë të bashkohen rreth euro-atlantizmit

Sondazhi i Report Tv, Namir Lapardhaja: PS ka rritje, prej 'luftës civile' në PD! Partitë e reja të gjejnë forcë të bashkohen rreth euro-atlantizmit