Mbrëmjen e së premtes FRESSH organizoi një aktivitet mjaft interesant në ambientin veror të Bar Austria, pranë selisë qëndrore të Partisë Socialiste. Ky aktivitet u parashtrua si një risi në Shqipëri, pasi ishte një kombinim i përkryer midis debateve më të nxehta politike dhe sociale të momentit, ritmit klasik të violinës, ritmit tribal të muzikës më të fundit në treg, verës së mirë dhe të rinjve idealistë e punëtorë të ardhur jo vetëm nga Tirana, por edhe nga rrethet. Mbrëmja e së premtes tek Bar Austria nisi në orën 20:00, kur me përpikmëri më shumë se dyqind të rinj u ulën në tryezat e rrumbullakta të verandës dhe nën ritmin e violinës filluan të debatojnë kryesisht për arsimin shqiptar, një nga temat më të rëndësishme për aktualitetin shqiptar. Fjalën hapëse e mbajti Nënkryetarja e FRESSH për Universitetet, Joleza Koka, e cila përshëndeti të rinjtë e ulur dhe të gatshëm për një diskutim sa më të fortë për temat në vazhdim. Midis të tjerash, Nënkryetarja për Universitetet u shpreh se, “Ky është takimi i parë, hapi i parë drejt organizimesh të këtij lloji. Ne do të bëjmë periodikisht aktivitete si ky, aktivitete të cilat nuk përmbajnë vetëm festa dhe kërcime, por edhe debate të sofistikuara. Në kryeqëndër të mbrëmjes së sotme dhe në kuadrin e përfundimit të vitit akademik, tema e debatit do të lidhet me sistemin arsimor. Problematikat e arsimit shqiptar janë shumë delikate dhe të veçanta në natyrën e tyre, sepse nuk mund të analizohen prej specialistëve. Analiza më e mirë e problematikave të arsimit mund të bëhet vetëm nga studentët. Ne, si studentë, dimë më mirë se cilido specialist problematikën e arsimit shqiptar, prandaj zëri ynë duhet të dëgjohet.”
Skandali i provimeve të Maturës Shtetërore, paradoksi i vullnetit të organeve qendrore të arsimit publik shqiptar për ta kthyer TOEFL-in në një kriter të detyrueshëm për universitetet, kushtet e dobta të infrastrukturës së arsimit shqiptar dhe largimi i të rinjve të zhgënjyer prej Shqipërisë, u kthyen në kryeqendrën e debatit, i cili zgjati për më shumë se një orë. Tek mendimet dhe argumentat e të rinjve u vu re një frymë e përbashkët pakënaqësie ndaj reformave arsimore, organizimit aktual të universiteteve dhe kushteve të mësimdhënies. Për shembull, dy të rinj mjaft energjikë të cilët janë angazhuar për të ndryshuar kushtet e mësimdhënies në Fakultetin e Mjekësisë, Ariela Pogaçi dhe Redion Rroshi, shprehën pakënaqësinë e mungesës së aksesit në këshillat studentorë, duke u ndier kështu të papërfaqësuar. Atyre dhe mjaft të rinjve të tjerë të Fakultetit të Mjekësisë u është dashur të protestojnë për këto arsye. Sipas Pogaçit, “Papërfaqësimi ynë në këshillat studentorë është vetëm njëra anë e të keqes. Tabloja e papërgjegjshmërisë së sistemit arsimor plotësohet me izolimin e specialistëve, të cilët nuk paguhen. Ne kemi dalë të protestojmë; pa dashje sistemi po i kthen të rinjtë në specialistë autodidaktë protestash.”
Dy të rinj dhe aktivistë të kahershëm të FRESSH parashtruan përpara numrit në rritje të pjesëmarrësve në diskutim një pikëvështrim tjetër. Denis Hajdari, student i përkryer, u detyrua të kthehej nga Franca pas një viti studimesh për Drejtësi, pasi nuk mund ta përballonte ekonomikisht. Shteti shqiptar nuk i dha atij asistencë ekonomike për të vazhduar studimet, pavarësisht notave absolute. Sokol Tushe, një student tjetër i jashtëzakonshëm i cili ka kryer me sukses ciklin Bachelor në Vjenë dhe Master në Francë, u shpreh kështu: “Jam mjaft i zhgënjyer prej sistemit të punëdhënies në Shqipëri. Pas kthimit tim nga Vjena dhe Franca, nuk po gjej dot punë këtu, ndërkohë që jashtë shtetit kam patur disa oferta mjaft të mira. Pikërisht në këtë mënyrë shkatërrohet idealizmi i atyre të rinjve që duan t’i përkushtohen me mish e me shpirt Shqipërisë.”
Në fund të debatit, Znj. Ledi Shamku, prezencë e nderuar për të rinjtë e FRESSH përgjatë diskutimit, e vlerësoi me shpresë dhe optimizëm energjinë e të rinjve pjesëmarrës. Midis të tjerash Znj. Shamku deklaroi se, “Qeveria tallet me ne. Të gjithë ju, të gjithë të rinjtë do të kenë mbështetjen tonë maksimale, por edhe ne na duhet mbështetja juaj, forca juaj aktive. Ashtu si sot në këtë ambient të këndshëm, shprehini idetë tuaja pa frikë, me zë të lartë, që ata t’ju dëgjojnë mirë. ”
Pas mbylljes së debatit, ritmi i këngëve më të fundit në treg dhe vera e mirë shoqëruan mbrëmjen dhe verandën e tejmbushur me të rinj. Mbrëmja e së premtes ishte festive dhe e mbushur plot optimizëm për FRESSH dhe Partinë Socialiste. Ky ishte i pari nga një seri e gjatë aktivitetesh të ngjashme të cilat do të organizohen prej FRESSH, ku qëllim kryesor do të jetë gjithnjë përçimi i frymës ndryshe, dëgjimi i zërave të rinj, lufta e përbashkët ndaj skeptikëve të cilët deklarojnë se të rinjtë nuk kanë rëndësi, mendimet e tyre janë të papjekura, përfaqësimi i tyre i panevojshëm.