Të ndaluarit akuzohen për korrupsion, pasi punonjësja e policisë i ka dorëzuar 6 mijë euro shefit të ALUIZNI-t në Laprakë përmes punonjëses së Hipotekës, B.Belli dje, ndërsa sot ka marrë lejen e legalizimit në bazë të aplikimit të kryer nga nëna e saj në vitin 2014, por nuk e ka gëzuar, pasi është ndaluar.
Sipas prokurorisë, "shtetasja M.S. ka aplikuar për lejen e legalizimit të një ndërtimi pa leje, në zyrat e ALUIZNI-t, Tiranë, në vitin 2014. Prej asaj kohe, ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje për aplikimin e saj. Për t’u interesuar për ecurinë e aplikimit, është interesuar vazhdimisht edhe vajza e aplikueses, shtetasja K. Sala, e cila është efektive në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në sallën operative.
Kjo e fundit është njohur me shtetasen S. Musallaj, e cila i ka siguruar se kishte njohjet e duhura për të mbaruar punën me dokumentet. S. Musallaj ka vendosur kontaktet ndërmjet të interesuarës, K. Sala dhe një punonjësve të Hipotekës së Tiranës, B. Belli.
Kjo e fundit, pasi ka konsultuar letrat e aplikimit të bëra nga nëna e K. Salës ka thënë se nuk ishte punë që e mbulonte institucioni i saj (Hipoteka).
Gjithsesi, punonjësja e Hipotekës i ka thënë të interesuarës se kishte një mikun e saj te ALUIZNI-i i Tiranës, dega Laprakë, e konkretisht, shtetasin M.Bezhani.
Pas disa komunikimeve ndërmjet personave të mësipërm, është rënë dakord që e interesuara, shtetasja K.Sala, të paguante shumën prej 6 mijë eurosh tek shefi i ALUIZNI-t për Laprakën, M. Bezhani.
Shuma e parave, në formë ryshfeti, është dorëzuar nga shtetasja K.Sala tek punonjësja e Hipotekës, B.Belli, ditën e djeshme (dt. 12.11.2017). Shtetasja B. Belli është takuar pasditën e së dielës me shtetasin M. Bezhani, duke i dorëzuar shumën e parave.
Në vijim të kësaj “pagese”, ditën e sotme (dt. 13.11.2017), aplikuesja K.Sala ka marrë lejen e legalizimit në bazë të aplikimit të kryer nga nëna e saj në vitin 2014” njofton prokuroria.
dy.b/shqiptarja.com

ndaluar në Tiranë, 3 zyrtarë











