Aktiviteti i Unionit zotëron impakt të dukshëm tek popullata e zonës rurale, duke kombinuar elementin financiar me atë social. Si ndërhyrësi ekskluziv dhe i vetëm në zonën rurale, Unioni dhe rrjeti SHKK ka arritur që të kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e aksesit financiar të fermerëve dhe në krijimin dhe zgjerimin e punësimit në zonat rurale.
Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti USHKK zotëron një total asetesh prej 4,203,919,398 lekë, portofol kredie prej 1,857,741,586 lekë, depozita në shumën 784,514,962 lekë dhe kapital në vlerën e 1,062,305,759 lekëve. Sipas përllogaritjeve portofoli i kredisë përbën 42% të aseteve të Unionit, ndërkohë që kapitali i Unionit përbën 59% të portofolit të kredisë.
Përvojë 22 -vjeçare
Përvoja mbi 22 vjeçare në mikrofinancë, përkushtimi i të zgjedhurve në SHKK mbi baza vullnetare, produktet konkurruese dhe profesionalizmi i stafit janë avantazhe që e bëjnë Unionin të dominojë në treg. Miratimi në parlament i paketës ligjore për përfshirjen në skemën e ASD-së ishte një arritje e shumëpritur për Unionin dhe anëtarësinë e rrjetit SHKK. Futja e depozitave të anëtarëve të SHKK-ve në skemën e sigurimit të depozitave përveç impaktit në forcimin e besimit dhe perceptimit pozitiv të anëtarëve për sigurinë e kursimeve të tyre, plotësoi edhe një boshllëk që ekzistonte në kuadrin rregullativ të sigurimit të depozitave të kursimit në treg.
Në fund të gjashtemujorit të I 2014, rrjeti SHKK-ve, rezulton me një total prej 38,076 anëtarë, nga ku 16,068 janë klientë aktivë. Vetëm tremujorin e dytë të këtij viti, rrjetit i janë shtuar 1,080 anëtarë të rinj, gjë që dëshmon për potencialet në rritje që ka zona rurale për shërbime financiare dhe për dominimin e sistemit të SHKK-ve në këtë zonë.
USHKK , 453 kredi më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar
Gjatë tremujorit të II, konstatohet një rritje e lehtë e portofolit të kredisë pas një stanjacioni të vërejtur gjatë vitit të kaluar dhe tremujorit të I-rë të vitit. Gjatë gjashtëmujorit të I janë disbursuar 2937 kredi me një shumë prej 862,555,196 lekë (ose 453 kredi më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar). Kreditë janë disbursuar kryesisht për financimin e aktiviteteve bujqësore (sera, perime, vreshtari, pemëtari, ullishte), blegtorale (mbarështim gjedhësh, të imta, derra, shpendësh), tregti dhe shërbime (inpute bujqësore, ambiente tregtare, makineri bujqësore, transport, mall xhiroje), etj.
Portofoli i kredisë së rrjetit SHKK deri në fund të muajit qershor 2014 rezulton në shumën e 3,572,221,756 lekë, që përbën një rritje prej 1% krahasuar me tremujorin e parë. Ruajtja e një cilësie të mirë dhe brenda parametrave të portofolit të kredisë është shtylla kryesore që garanton qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e institucionit në vazhdimësi. Prandaj edhe minimizimi i portofolit të kredisë në risk ka qënë dhe vazhdon të jetë ndër prioritetet kryesore të Unionit dhe rrjetit SHKK.
Volumi faktik i depozitave tejkalon parashikimet
Viti 2014 vazhdon të karakterizohet nga një rritje e lartë e portofolit të depozitave të anëtarësisë në SHKK. Në rritjen e volumit të depozitave në SHKK ka pasur impakt pozitiv lajmi për përfshirjen e SHKK-ve në skemën e ASD-së dhe finalizimi i këtij procesi me aprovimin e paketës ligjore të hyrjes në skemen e sigurimit. Volumi faktik i depozitave i ka tejkaluar parashikimet e bëra në biznesplanin 2014, ku konkretisht më 30.06.2014 portofoli i depozitave të anëtarëve në SHKK ka arritur shumën 2,241,519,807 lekë.
Gjatë tremujorit të dytë ka pasur një shtesë prej 148.7 mln lekë depozita që përbën një rritje 7.2% krahasuar me tremujorin e parë. Krahasuar me fundin e vitit 2013, depozitat janë rritur me 384 mln lekë ose me 20.7%. Gjithashtu, edhe ruajtja e normave konkurruese pavarësisht përshtatjeve të bëra në koherencë me tregun ka pasur impaktin e vet në këtë rritje.
USHKK shtrin aktivitetin e saj në 1100 fshatra në 16 rrethe të vendit, nëpërmjet 97 SHKK-ve anëtare, të cilat ofrojnë shërbime financiare kryesisht për popullatën e zonës rurale. Në zbatim të objektivave 2014, Unioni është angazhuar me të gjitha mënyrat dhe burimet e veta që të realizojë zgjerimin e zonës së ndërhyrjes në rrethe dhe fshatra të reja gjatë 2014./ATSH/