TIRANE- Gjendja shëndetësore e pacientit N. Gj., i cili është prekur nga ethet hemorragjike dhe ndodhet i shtruar në reanimacionin e QSUT-së, është mjaft kritike.
 
Zyra e shtypit e QSUT-së ka bërë të ditur se 12 orët e fundit gjendja shëndetësore e 35-vjeçarit nga Radomira e Peshkopisë është përkeqësuar dhe si pasojë e insuficiencës renale progresive ndaj mjekimit është marrë vendimi që ai t’i nënshtrohet Dializës.
 
Sipas QSUT-së, është vërtetuar diagnoza e Ethes Hemorragjike me sindromë renale të shkaktuar nga Virusi Hantan, variant Dobrava dhe një test pozitiv për Leptospirë, çka mund të rëndojë edhe më tej gjendjen.
 
“Në këto kushte, prognoza e rastit është shumë e rezervuar, pasi konsiderohet një formë shumë e rëndë e sëmundjes dhe refraktare përsa i përket insufiçencave” shprehet zyra e shtypit e QSUT duke sqaruar se në reanimacionin e Infektivit ndodhet vetëm një person i prekur nga ethet hemorragjike.
 
Ndërsa sa i përket mungesës së gjakut, QSUT mohon në mënyrë kategorike që të kenë mungesa madje shpjegon se janë përgatitur njësi të tjera të gatshme edhe për ditët në vazhdim, e Diel, e Hënë dhe e Martë.

Çfarë janë ethet hemorragjike?
Ethet hemorragjike janë grup i sëmundjeve infektive akute të rënda të shkaktuara nga viruset. Karakterizohen me dëmtim të sistemit vaskular si dhe çrregullim të aftësisë rikuperuese të organizmit. Shkaktarët e etheve hemorragjike janë të përhapur në gjithë globin. Ethet hemorragjike transmetohen prej kontaktit të njerëzve me strehuesit. Viruset që barten nga brejtësit transmetohen kur njerëzit vijnë në kontakt me urinën, materiet fekale, pështymën ose ekskrecionet tjera trupore të brejtësve të infektuar.


Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)