Në të gjithë vendin është festuar 68-vjetori i çlirimit nga pushtuesi nazifashist. Në qytetet kryesore të Shqipërisë janë zhvilluar homazhe në varrezat e dëshmorëve, ku janë vendosur kurora me lule. Ajo që ka rënë në sy ka qenë mungesa e të djathtëve në këto ceremoni.

LEZHE
Të majtët në Lezhë dhe veteranët e luftës kanë nderuar 29 Nëntorin si çlirimin e vendit. Homazhet janë zhvilluar në varrezat e dëshmorëve, ku janë vendosur edhe kurora me lule në nderim të sakrificës së heronjve të kësaj zone për çlirimin e vendit. Kreu i bashkisë, Tushaj dhe deputetë dhe përfaqësues të Partisë Socialiste kanë qenë të pranishëm në atë ceremoni. (Nga Julian Hila)

DURRES
Edhe në qytetin e Durrësit të majtët zhvilluan homazhe në mauzoleun e Dëshmorëve të Kombit me rastin e ditës së çlirimit. Forcat politike të majta dhe veteranët si dhe familje të të rënëve vendosën kurora pranë varrezave të dëshmorëve. (Nga Artur Korriku)

ELBASAN
Në qytetin e Elbasanit u zhvilluan homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të kësaj zone. Në këtë ceremoni përkujtimore merrnin pjesë veteranë të brigadës 17 sulmuese, por edhe familjarët e dëshmorëve të rënë. Në nderim të dëshmorëve të rënë kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini u shpreh se “sot është dita e çlirimit të Shqipërisë nga okupatori, po sot është dita që flamuri të valëvitet i lirë në të gjithë hapësirën shqipfolëse.” (Nga Andi Qosja)

FIER
Paraditen e sotme në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Fierit janë zhvilluar homazhe për nder të dëshmorëve që kanë rënë për Atdheun. Ndërsa dje janë zhvilluar homazhe nga e djathta, sot të majtët kanë nderuar të rënët e luftës duke vendosur kurora dhe lule në memorialin e kushtuar dëshmorëve të Fierit. (Nga Kristaq Thano)

BERAT
Krerë të pushtetit lokal, deputetë të Qarkut të Beratit si dhe familjarë të të rënëve kanë bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, ku janë përulur me nderim dhe respekt për ata heronj, të cilët dhanë jetën për çlirimin e vendit.

KORCE
Bashkia e qytetit të Korçës ka nderuar sot me një koncert festiv të organizuar në teatrin “Andon Zako Cajupi” ditën e çlirimit të vendit dhe të rënët për atdhe. Nëpërmjet një aktiviteti përkujtimor, ku ka qenë i pranishëm dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko është vlerësuar vepra dhe kontributi i tyre. Duke u ndalur tek festimet një ditë më parë në qytetin e Vlorës, Majko është shprehur se “për herë të parë mazhoranca dhe opozita festuan bashkë, duke respektuar në këtë mënyrë protokollin e Shqipërisë.” Kështu sipas tij duhej të veprohej edhe për 29 nëntorin. (Nga Dafina Ismaili)

VLORE
Ceremonia në varrezat e dëshmorëve të Vlorës kanë filluar në orën 10:00. Kreu bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika i shoqëruar dhe nga akademiku Rexhep Qosja vendosën kurora me lule në nderim të të rënëve dhe u përkul në nderim të atyre që ranë për çlirimin e saj. Akademiku Rexhep Qosja në fjalën e tij është shprehur se “nuk mund të largohesha nga Vlora pa bërë homazhe në varrezat e atyre që kanë derdhur gjakun dhe kanë dhënë jetën në të mirë të Shqipërisë.” (Nga Armand Xhelili)

GJIROKASTER
Drejtues të bashkisë së Gjirokastrës, veteranë dhe familjarë të të rënëve në Luftën Nacionalçlirimtare kanë zhvilluar sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve për të nderuar kontributin e të rënëve për liri, por edhe për të respektuar 29 Nëntorin ditën e çlirimit. Kryetari i bashkisë, Flamur Bime tha për mediat se kjo ditë do të nderohet gjithmonë pasi i jepet nderi që u takon të rënëve për liri. Ajo çfarë ra në sy në këtë ceremoni, për herë të parë mori pjesë dhe konsulli grek në Gjirokastër, Nikolaos Kotrako i cili shoqërohej nga kreu i Partisë Socialiste të Gjirokastrës, Florian Hysi. (Nga Piro Nase)

(S.Ç/Gre.M/Shqiptarja.com)