Besim Ndregjoni, një nga kandidatët për Avokat i Popullit, ka reaguar për deklaratën e sotme në Kuvend të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili tha se Ndregjoni nuk mund të zgjidhet pasi është 70 vjeç dhe përjashtohet automatikisht nga ligji për atë post.
“Më vjen keq që talleni me një të persekutuar politik si Besim Ndregjoni, e dini të gjithë që nuk zgjidhet dot, se është 70 vjec nuk e lë ligji. Ju talleni me Adriana Kalanë”, tha Balla në Kuvend më herët.
Ndregjoni thotë se pretendimi i Ballës është i pabazuar në ligj pasi neni 3 i ligjit nr. 8454/1999 e përcakton qartë se cilat janë kriteret për këtë funksion, dhe mosha nuk është pjesë e atyre kritereve.
Reagimi i plotë:
Në vijim të deklarimit publik të deputetit Taulant Balla, i cili ka deklaruar se kandidatura për Avokat të Popullit “nuk mund të votohet pasi kandidati ka mbushur moshën 70 vjeç”, dëshiroj të bëj një sqarim të domosdoshëm për publikun dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ligji shqiptar nuk parashikon asnjë kufizim moshe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Neni 3 i ligjit nr. 8454/1999 e përcakton qartë se cilat janë kriteret për këtë funksion, dhe mosha nuk është dhe nuk ka qenë kurrë pjesë e tyre. Për këtë arsye, çdo pretendim që lidhet me një kufizim moshe është plotësisht i pabazuar në ligj.
Kandidatura ime është shqyrtuar dhe verifikuar në mënyrë të rregullt nga strukturat kompetente të Kuvendit, të cilat kanë konfirmuar përputhshmërinë time me të gjitha kriteret e përcaktuara nga legjislacioni. Deklarata se kandidatura “nuk mund të votohet”, për shkak të moshës, përbën një shtrembërim të hapur të së vërtetës dhe një ndërhyrje të papranueshme në procesin e votimit.
Në këtë rast po tentohet të pengohet qëllimisht kandidimi i një të përndjekuri politik për një funksion kushtetues të pavarur. Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por përbën një cenim të rëndë të të drejtave themelore, të parimit të barazisë dhe të pjesëmarrjes së lirë në jetën publike. Të përdorësh justifikime të sajuara për të ndaluar votimin e një kandidature të ligjshme është një praktikë diskriminuese, që krijon precedent të rrezikshëm dhe sjell ndër mend praktika që Shqipëria është përpjekur t’i kapërcejë.
Veprime të tilla bien ndesh me standardet e kërkuara nga BE, SHBA, OSBE dhe Këshilli i Evropës, të cilët kanë theksuar prej vitesh se institucionet e pavarura duhet të zgjidhen përmes proceseve transparente, të paanshme dhe të bazuara në merita. Përpjekjet për të deformuar ligjin dhe procesin e votimit minojnë besimin publik dhe dëmtojnë imazhin demokratik të vendit.
U bëj thirrje institucioneve të respektojnë ligjin dhe të garantojnë një proces të rregullt, duke mos lejuar ndërhyrje politike që cenojnë zgjedhjen e Avokatit të Popullit, një institucion kyç për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Lajmi kryesor:
'Maratona' në Kuvend/ Zgjidhet sot Avokati i Popullit mes 6 kandidatëve, PD: Shabani s’është propozimi ynë! PS: Firmosët me dëshirë












