70-vjetori i Universitetit të Mjekësisë, Rama: Nëse Universitetet tona futen në sistemin e arsimit të lartë të BE, do jetë fitore e madhe

U përkujtua sot 70 - Vjetori i krijimit të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, një pjesë e veçantë e historisë shkencore dhe intelektuale të vendit, i cili e nisi rrugëtimin e tij menjëherë pas Luftës, si Instituti i Lartë Mjekësor me 67 studentë e ku ndër dekada u formuan breza të tërë profesionistësh burra dhe gra, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në shërbimin tonë kombëtar shëndetsor.

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e rastit i dorëzoi rektorit të Universitetit “Yllin e Mirënjohjes Publike”, në nderim të punës 70 vjeçare të Universitetit Mjekësor të Tiranës, me motivacionin  “Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, në këtë prag 70 vjetori, për përkushtimin e treguar në formimin profesional të brezave, edukimin e tyre me vlerat njerëzore, me vlerat bazë të mishëruara në betimin e Hipokratit, si dhe për kontributin e veçantë, gatishmërinë e treguar në çdo kohë, por posaçërisht në një kohë shumë të vështirë, si ajo e pandemisë Covid 19.” 

Kreu i qeveri tha se Universiteti i Mjekësisë në Tiranë është i pari në renditjen për fondet e përthithura nga BE. Kreu i qeverisë tha se i ka kërkuar vazhdimisht BE-së, të njëjtën gjë do të bëjë edhe nesër në Samitin e Tiranës, për njohjen e Universiteteve shqiptare në sistemin e arsimit të lartë në Europë.

'Nga ana tjetër, shtoj këtu edhe faktin që janë rreth 300 studentë dhe profesorë të këtij Universiteti që kanë përfituar nga shkëmbimet, programet e shkëmbimeve të BE-së dhe të gjitha  këto  së bashku përbëjnë një arsye shumë të fortë për të besuar që, nëse ne do të arrijmë dhe kjo është përpjekje që po e bëjmë në mënyrë shumë këmbëngulëse me BE-në, - do të  jetë pjesë edhe e diskutimeve të nesërme në Samitin e BE dhe Ballkanit Perëndimor që universitetet tona, të vendit tonë dhe gjithë rajonit të pranohen në sistemin e IAL-së të Bashkimit Europian, do të jetë një fitore shumë e madhe, do të jetë një autostradë e re që do të hapet përpara institucioneve tona të arsimit të lartë dhe unë jam i bindur qe ndër më të përgatiturit, është universiteti juaj, Univeristeti i Mjekësisë në Tiranë. Nuk dua të zgatem shumë sepse besoj që kjo është dita për të ndarë ju, me njëri- tjetrin kaq shumë gjëra që janë për t’u ndarë në 70 vite histori, por nuk mund të ndalem këtu pa i shprehur shumë sinqerisht dhe jo për arsye formale dhe jo protokallare repsektin dhe vlerësimin më të lartë rektorit tuaj, Arben Gjatës.

E përsëris, jo sepse duhet thënë një fjalë si kjo, po sepse realisht nga të gjitha informacionet dhe nga të gjitha analizat që ne i bëjmë punës sonë të sistemit të arsimit të lartë, realisht Universiteti i Mjekësisë në Tiranë, rezulton një ndër më të mirëadministruarit, një ndër  më aktivët dhe siç e thashë më parë, një ndër universitetet me nivelin më të lartë të iniciativës së brendshme. Dhe natyrisht që kjo është meritë e të gjithë atyre pedagogeve dhe pedagogëve që janë të përfshirë në sistemin tuaj po patjetër është meritë e komandantit që udhëheq punën dhe po ashtu dua t’i shpreh një konsideratë shumë të lartë me shumë respekt të gjithë pedagogëve më të vjetër, nëse mund ta përdor këtë term, atyre që sot janë në pension, me duket se kur hyra më zunë sytë profesor Besim Elezin. Është një legjendë e mjekësisë shqiptare, është një legjendë e universitetit të Tiranës. Nuk kam pasur fatin e mirë që të bija në dorën e tij në thikë, por nga çkam dëgjuar nga ata që kanë kaluar nga thika e tij, kam vlerësimet maksimale, kështu qe të hysh në zemrat e njerëzve “me thikë’’ nuk është diçka që mund ta bëjë kushdo dhe profesor Besimit dhe gjithë të tjerëve, ju shpreh mirënjohjen dhe respektin maksimal. Dhe këtu kam shumë gjëra të mira që ne kemi bërë për ju, për mjekësinë, për shëndetësinë etj, etj, po jua kursej për sot. Ndërkohë që do doja që para se të largohem, t’i lutesha rektorit që të vijë këtu për t’i dorëzuar një medalje simbolike të mirënjohjes e cila është një medalje që ne në Kryeministri e japim me jashtëzakonisht shumë kursim, kështu që, nuk jeni më shumë, por me ata që jeni, jeni në një shoqëri realisht të mirë dhe të respektueshme.'- tha Rama.

 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia