Kryetarët e bashkive anëtare të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40 shprehin shqetësimin e tyre të thellë për paraburgimin pa afat të Kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në një letër të përbashkët, krerët e 76 bashkive e quajnë mbajtjen në paraburgim pa afat të Imamoglusë dhe Veliajt një “trend të rrezikshëm” që kërcënon demokracinë vendore në Ballkan dhe më gjerë.
Ata kërkojnë t’i jepet fund masës së paraburgimit ndaj tyre: “Thirrja jonë e qartë është t’i jepet fund paraburgimit pa afat të Kryetarit Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarit Erion Veliaj, dhe t’u lejohet të presin në liri procedurat ligjore, duke ushtruar njëkohësisht detyrat që u janë besuar nga qytetarët që përfaqësojnë”.
Sipas nënshkruesve të letrës, largimi nga detyra i zyrtarëve të zgjedhur pa një vendim përfundimtar “nuk është drejtësi” dhe minon vullnetin e votuesve. Ata i referohen edhe Raportit të tetorit 2025 të Komisionit të Venecias dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se ndalimi duhet të jetë masë e fundit dhe jo mjet për pengimin e mandatit.
Më poshtë letra e plotë e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40:
Letër e përbashkët: Qëndrim solidarizues për Demokracitë Lokale dhe dhënien fund të masës së paraburgimit për Kryetarin e Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
Ne, të nënshkruarit kryetarë të bashkive të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40, nisma më e rëndësishme e rajonit të Ballkanit, e themeluar nën udhëheqjen e z. Ekrem İmamoğlu, Kryetar i Bashkisë së Stambollit, shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me shfaqjen e një trendi të rrezikshëm që kërcënon demokracinë vendore në Ballkan dhe në botë.
Pavarësisht përkatësive tona të ndryshme politike, ne jemi të bashkuar në ngritjen e alarmit për paraburgimin pa afat të Kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, President themelues i Rrjetit B40, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Presidenti i tretë i Rrjetit B40, si edhe të kryetarëve të tjerë. Largimi nga detyra i zyrtarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, pa një vendim përfundimtar, nuk është drejtësi. Ai minon vullnetin e votuesve dhe paraqet kërcënime të drejtpërdrejta për demokracitë vendore.
Raporti i tetorit 2025 i Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës paralajmëron shprehimisht se përdorimi i paraburgimit ndaj kryetarëve aktualë të bashkive përbën rrezik serioz për qeverisjen demokratike. Kur zbatohet pa afat, një paraburgim i tillë i privon në praktikë qytetarët nga përfaqësimi, duke i mënjanuar përfaqësuesit e zgjedhur prej tyre pa një procedurë të rregullt ligjore.
Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndalimi duhet të mbetet një masë e fundit, jo një mjet për ta penguar ushtrimin e mandatit për arsye politike. Kur një kryetar bashkie i zgjedhur mbahet i ndaluar pa kusht ose pa gjyq, qytetarët mbeten pa përfaqësim, çka gërryen besimin e publikut dhe legjitimitetin institucional.
Është e qartë se ndalimi dhe procedurat gjyqësore që lidhen me Kryetarin Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarin Erion Veliaj nuk përputhen me parimet dhe standardet e sanksionuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të artikuluara në Raportin e tetorit 2025 të Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës.
Ne theksojmë çfarë nuk po kërkojmë. Ne nuk kërkojmë imunitet, as nuk komentojmë mbi thelbësinë e akuzave apo mbi fajësinë ose pafajësinë. Apeli ynë është i kufizuar, parimor dhe plotësisht në përputhje me standardet evropiane.
Thirrja jonë e qartë është t’i jepet fund paraburgimit pa afat të Kryetarit Ekrem İmamoğlu dhe Kryetarit Erion Veliaj, si edhe kryetarëve të tjerë të ndaluar, dhe t’u lejohet të presin në liri procedurat ligjore, duke ushtruar njëkohësisht detyrat që u janë besuar nga qytetarët që përfaqësojnë.
Drejtësia duhet të jetë transparente, proporcionale dhe respektuese ndaj zgjedhjes demokratike. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse t’i zbatojnë këto parime dhe të mbrojnë demokracinë vendore.
Ne, kryetarët e bashkive të nënshkruar më poshtë të Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40, u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse të sigurojnë rivendosjen e mandateve demokratike dhe zbatimin e qëndrueshëm të normave evropiane në të gjitha rastet që kanë të bëjnë me zyrtarë vendorë të zgjedhur.

Letra e plotë e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40
Komente










