Menopauza lidhet me ndryshime në tru të ngjashme me ato që shihen te sëmundja e Alzheimerit, sipas një studimi në Mbretërinë e Bashkuar.

Humbja e lëndës gri në zona që lidhen me kujtesën dhe emocionet mund të shpjegojë pjesërisht pse gratë, në përgjithësi, kanë rrezik më të lartë për demencë sesa burrat, thonë studiuesit.

Studimi përfshiu pothuajse 125,000 gra, prej të cilave 11,000 iu nënshtruan rezonancës magnetike të trurit.

Në studimin e botuar në revistën Psychological Medicine, përdorimi i terapisë zëvendësuese hormonale (HRT) nuk duket se e parandalon humbjen e lëndës gri.

Prof. Barbara Sahakian, autore dhe nga Universiteti i Kembrixhit, tha: “Zona e trurit ku pamë këto ndryshime janë ato që zakonisht preken nga sëmundja e Alzheimerit. Menopauza mund t’i bëjë këto gra më të cenueshme më vonë. Edhe pse nuk është e gjithë historia, kjo mund të ndihmojë në shpjegimin pse shohim pothuajse dy herë më shumë raste demence te gratë sesa te burrat.”

Ndryshimet në tru ndodhën në:

-një zonë që ka rol kryesor në të mësuar dhe kujtesë,

-një zonë për formimin e kujtimeve dhe orientimin hapësinor,

-një pjesë që ndihmon në vëmendje dhe rregullimin e emocioneve.

Lënda e bardhë dhe lënda gri janë të dyja pjesë thelbësore të trurit dhe palcës kurrizore.

Lënda gri përbëhet nga trupat e qelizave nervore dhe dendritet e tyre – zgjatime të shkurtra që komunikojnë me neurone të afërta. Lënda e bardhë përbëhet nga aksone të gjata të neuroneve që transmetojnë impulse drejt rajoneve më të largëta të trurit dhe palcës kurrizore.

Sipas studiuesve, ka një kuptim të kufizuar të efekteve të menopauzës dhe përdorimit të HRT-së mbi trurin, kujtesën dhe humorin.

Studimi zbuloi se gratë që merrnin HRT kishin më shumë gjasa të vuanin nga shëndeti i dobët mendor. Por shumë prej tyre kishin tashmë probleme më të mëdha të shëndetit mendor përpara se t’u përshkruhej medikamenti.

Dr. Christelle Langley tha se ishte e rëndësishme të njihej shumëllojshmëria e vështirësive që mund të shoqërojnë menopauzën. “Të gjithë duhet të jemi më të ndjeshëm jo vetëm ndaj shëndetit fizik, por edhe ndaj atij mendor të grave gjatë menopauzës. Nuk duhet të ketë turp për t’u treguar të tjerëve se çfarë po kaloni dhe për të kërkuar ndihmë.”

Prof. Channa Jayasena, ekspert i hormoneve nga Imperial College London, tha: “Efekti i HRT-së mbi shëndetin e trurit gjatë menopauzës vazhdon të jetë një temë debati, dhe studimet e vjetra klinike si Women’s Health Initiative nuk kanë arritur t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Sidoqoftë, kjo është një çështje e rëndësishme që përjetojnë miliona gra në Mbretërinë e Bashkuar, prandaj meriton vëmendje të madhe në të ardhmen.”

Michelle Dyson nga Shoqata e Alzheimerit tha se gratë përbëjnë rreth dy të tretat e personave që jetojnë me sëmundjen e Alzheimerit në Mbretërinë e Bashkuar.

“Dhe, megjithëse ende nuk e kuptojmë plotësisht pse ato janë më të ndjeshme sesa burrat, mendohet se hormonet mund të luajnë një rol,” tha ajo. “Ky studim i madh i shtohet provave që tregojnë se si menopauza ndikon në tru, përfshirë ndryshime fizike si humbja e vëllimit të trurit. Por pa ndjekje afatgjatë të pjesëmarrësve, për të parë nëse ata zhvillojnë më vonë demencë, nuk mund të jemi të sigurt se këto ndryshime të trurit të lidhura me menopauzën rrisin gjithashtu rrezikun e demencës.”

Ajo shtoi se ushtrimet e rregullta fizike, moskonsumimi i duhanit dhe kufizimi i alkoolit mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të demencës.