TIRANË - Gazetari Denis Dyrnjaja ishte i ftuar sot në Report Tv komentoi edhe sondazhin e djeshëm në ‘Repolitix’ i cili i jep Ramës dhe PS-së 80 mandate në zgjedhjet parlamentare.
Dyrnjaja thekson për Nertil Agalliun në 'Sot Live në Shqipëri' se PD është larg situatës në vitet 2004-2005, ku duke që ishte pranë pushtetit, ndërsa sot aleatja e saj më e ngushtë PL-ja është pothuajse e shkrirë.
'Në 2004 ishin indiciet se PD po vinte në pushtet. E njëjta ndodhi me Ramën në 2012 se do merrte pushtetin. Por ishte e gabuar aleanca me LSI, por e kishte të nevojshme sigurinë për të marrë pushtetin për ta patur 100% të sigurt fitoren. Dhe më pas i dha duart kur iu bë barrë. Sot LSI ka ardhur drejt shkrirjes dhe po shkon drejt një asimilimi politik si pasojë e faktit si parti e lidhur ngushtësisht me pushtetin dhe jo si projeksion emocional. Parti familjare e kryesuar nga dy njerëz sot të ndarë nga njëri tjetri. PL e ka parashkruar fatin e vet se Meta bëri gabimet e tij në raport me mënyrë si e kishte ndërtuar filozofinë e forcës së tij. Sado bashkim solid të jetë, nuk do arrijë koeficientin që të rrëzojë politikisht Ramën.'
Më tej, ai thotë se Rama shkon në këto zgjedhje me kosto shumë të larta, për shkak të arrestimit dhe hetimit të disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.
'Megjithë kostot e rënda të Ramës, kjo është sfida e parë ku duhet të kapërcejë si lideri i PS. Ka njerëzit para drejtësisë. Ka një opinion publik që brenda pushtetit ka njerëz me kapital të rëndë korrupsioni, duke filluar nga Ahmetaj, Veliaj. Në zgjedhjet e fundit ishte drejtuesi politik i Tiranës. Hallet e Veliajt janë të rënda, nuk e di a do i kalojë. Nuk i uroj askujt burgun. Pakujdesitë, arroganca, indiferenca, servilizmi në raport me grupe interesi, në raport me njerëz me atë çka presin njerëzit e nivelit qytetar sjellin në këto lloj efektesh dhe pasojash. Këta njerëz mendojnë se duke qenë në pushtet janë të pakapshëm. Këta që janë sot, nuk harrohet asgjë dhe jo gjithçka kalohet me njohje, lobime.'
Edhe partitë e reja nuk duken që sjellin diçka të re, pasi janë parti kryetarësh.
'Edhe partitë e reja, janë parti kryetar. A kanë kryesi? Vetëm kryetarët e vetëcaktuar. Thurja ka bërë zgjedhje, Lapaj ka bërë zgjedhje, Qori ka bërë zgjedhje? Janë parti televizionesh. A mblidhet ndonjë kryesi? Pse nuk i bëjnë transparente? Ku i gjejnë partitë e mëdha fondet për eventet? Ku i gjen Berisha dhe PD? Ku i gjen paratë për eventet luksoze? Financohet nga burime që nuk i dimë. Ka një spektër shumë të gjerë mungese transparence. SPAK ka bërë premtim që në dhjetor ose janar do bëjë transparent strategjinë për zgjedhjet dhe si do garantohen zgjedhjet. nuk e ka bërë deri tani por presim ta bëjmë. do doja që SPAK të mos kursente askënd. Kush ka detyrimin për të shkuar para ligjit, ora nuk ndalon.'
Sakaq, nënvizon standardin e dyfishtë të PD-së me SPAK, që nga njëra anë e quan organizatë kriminale, ndërsa nga ana tjetër atje çon kallëzimet.
'Te SPAK çohen letrat dhe denoncimet e opozitës kur goditen njerëzit e opozitës quhen organizatë kriminale. PS është nisur për reformë në drejtësi për të dënuar korrupsioni në nivele të larta. Nuk e di nëse i ka çuar mendja kaq lart, Rama thotë do goditem dhe vetë. Kjo justifikon qasjen e tij si lider i mazhorancës. Por nuk mendoj se të tjerët kanë menduar njësoj si Rama. Kanë menduar se Rama do i mbrojë. Ai ka krijuar distancën.'
Sipas tij, Rama nuk ka pse të japë dorëheqjen për shkak të vënies para drejtësisë së bashkëpunëtorëve të tij.
'Rama hyri me parimin të reformojë sistemin e drejtësisë me njerëz të korruptuar. Këtu u bën juristë plepash. Politikisht e ka paraprirë procesin dhe moralisht nuk ka pse jep dorëheqjen për një nismat themelore të marrë prej tij. Ka thënë do ketë pasoja brenda oborrit tim politik. Ky nuk do i rrijë derë më derë ministrave. Ose ti fusi çip. Ose një parti politike, Rama pas zgjedhjeve do duhet të ndërmarrë aksion spastrimi. Për të hequr këtë plejadë hajdutësh, legena që bëjnë si të ndershëm dhe duan që njerëzit të besojnë gënjeshtrën e tyre të neveritshme.'
Sa i përket 8 janarit, Dyrnjaja thotë se demokratët e kanë lëpirë atë që kanë pështyrë dhe pranuan se janë bij të Berishës.
'Demokratët e kanë lëpirë atë që kanë pështyrë, e kuptuan që pa Berishën nuk shkojnë dot një hap më tej. Janë produkt që i ka sjellë Berisha aty. Këtë lloj politikani epruvete, e prodhon ky ligj zgjedhor ku kryetari i partisë cakton listën si shërbëtorë. Përdorimi i ligjit nga kryetari i partisë është i tmerrshëm.'
Berishës ende nuk i ka dalë zhgënjimi me Bashën.
'Vetëm në Shqipëri ndodh që lideri këshillin dhe këshilltarët dhe zëdhënësit. Gjithë presin liderin çdo thotë. Kështu janë katandis. Dhe Berisha futi përmes Bashës, nuk e mendoi si dobiç. I doli besëprerë dhe mirë ia bëri. Ia ngopi njeriu më i besuar që kishte. Dhe dëgjova në një intervistë zhgënjimi më i madh i jetës së Berishës ishte Basha. 8 janari ishte një nga datat më të turpshme. Shkatërruan veten për karrige pushteti.'
Ndërsa së fundmi përshëndet dhe tërheqjen e Dukës nga kandidimi si deputet më 11 maj.
'Po qarkullon lajmi që Duka është tërhequr, e përshëndes. Simbolik edhe pse minore, për çdo politikan në Shqipëri që ka një fund politik.'